LULZIM BASHA/ Nga zgjedhjet e lira humbet Rama, krimi dhe oligarkët, por...

LULZIM BASHA/ Nga zgjedhjet e lira humbet Rama, krimi dhe oligarkët, por fitojnë shqiptarët

62
0
Shares

Çdo ditë, në këtë shesh ne konfirmojmë vendimin e marrë më 18 shkurt, një vendim popullor pa kthim.
Por çdo ditë është e rëndësishme dhe e domosdoshme sikur jo thjesht për njëri-tjetrin, po për qindra-mijëra shqiptarë që na ndjekin çdo minutë, të kujtojmë arsyet e thella që e sollën Shqipërinë këtu, arsyet e vërteta të këtij vendimi të madh e të paprecedentë.
Sot nga ky shesh, qytetarë të ndryshëm, banorë të trevave të ndryshme kanë folur për hallet e përditshmërisë së tyre. Secili gjen veten e vet në një pjesë të rrëfimit dhe të shqetësimeve që u dëgjuan sot këtu.
Shqiptarët janë të bashkuar në më shumë se gjithçka tjetër, në peshën e madhe të halleve që i kanë zënë.
Kjo nuk do të thotë se ne vijmë këtu me naivitetin apo me euforinë se gjithçka ishte parajsë para tre vitesh e gjysmë. Absolutisht jo!
Por pyetjet më thelbësore, më esenciale, më të thjeshta që i drejtojmë njëri-tjetrit apo vetes tonë, marrin të njëjtën përgjigje.
A keni sot, a keni sot, fuqi blerëse më të lartë se para tre vitesh e gjysmë?
A paguani sot më pak taksa se para tre vitesh e gjysmë?
A e paguani energjinë elektrike më lirë se para tre vitesh e gjysmë?
A e paguani faturën e ujit më të vogël se para tre vitesh e gjysmë?
A keni shanse më të mëdha ju, të afërmit tuaj, fëmijët tuaj për punësim se para tre vitesh e gjysmë?
Por këta thonë që kanë hapur 195 mijë vende pune. I bie 200 vende pune të reja çdo ditë.
200 vende të reja pune çdo ditë që kur kanë marrë pushtetin, këtë po iu thotë shqiptarëve. Por në fakt, këto 200 mijë vende, janë
200 mijë familjarë, bashkatdhetarë, bashkëqytetarë tanët që janë sot kanë ikur në emigracion për shkak të kësaj qeverie.
Kjo është një statistikë europiane. Nuk është një shifër e Partisë Demokratike, por është një shifër e Bashkimit Europian. Por nuk është shifër.
200 mijë shqiptarë të larguar nga shtëpitë e tyre janë 200 mijë fate njerëzish, janë 200 mijë drama, që flasin më shumë dhe më mirë se çdo politikan e çdo gazetar. Janë produkti i drejtpërdrejtë i një Shqipërie të varfëruar, një Shqipërie të shpunësuar, një Shqipërie të përballur me padrejtësinë dhe me arrogancën e një pushteti të pashpirt dhe çnjerëzor deri në palcë. Emigracioni, largimi i shqiptarëve, rënia ekonomike, rënia e fuqisë blerëse, janë dramat e përditshme në Tiranë, Durrës, në Elbasan, në Shkodër në Vlorë, në Korçë, Fier, Lushnjë, e anembanë Shqipërisë.

***
Në një fakt kishin të drejtë dje: edhe të djathtë edhe të majtë po trajtohen njëlloj nga kjo qeveri. Të gjithë po humbin me Edi Ramën dhe çetën e tij të korruptuar e kriminale në pushtet. E vërtetë është që kanë bërë shumë në këto katër vite.
Kanë mbyllur mesatarisht 27 mijë biznese vit për vit. Kanë rritur mesatarisht me 30% deri në 50% faturat e energjisë për qytetarët anembanë vendit. Kanë shpenzuar një miliard e 200 milion euro për shëndetësinë falas, që sot është në gjendje më të mjerë se çfarë e gjetën, është shëndetësia më e varfër, më e korruptuar, më e pashpirt për qytetarët shqiptarë.
Kanë dyfishuar tarifat e studimit për studentët në universitetet publike. Kanë bërë shumë, sepse kanë mbushur Shqipërinë me drogë dhe me krim, nga Vermoshi në Konispol.
Kanë bërë shumë, sepse e gjetën në trajektoren e futjes së vendit në BE dhe sot rrezikojnë dhe rikthimin e vizave për qytetarët shqiptarë, për shkak të aleancës së krimit me politikën që e ka kthyer vendin në delen e zezë të Evropës. Kemi bërë shumë thotë, por shumë mundet të humbasim.
E keni dëgjuar, se e përsërisnin. E përsërisnin si automat, si robot.
I nxirrnin njëri pas tjetrit: Kemi bërë shumë thonë, por shumë mund të humbasim. Kush do të humbasë? Kush do të humbasë, nëse Edi Rama nuk e mban pushtetin dhe aleancën e tij me krimin?
I pari që do të humbasë është krimi i organizuar shqiptar dhe kriminelët në parlament dhe kryetarë bashkish. Do të humbasin ministrat e korruptuar me në krye kryeministrin i cili është akuzuar se zotëron një pasuri qindra milionë eurosh në banka off-shore.
Do të humbasë Vlima Nushi, Pandi Carapuli dhe një grusht oligarkësh që po i pinë gjakun popullit duke marrë dhe fituar të gjithë tenderët, të gjithë koncesionet, të gjitha pasuritë e shqiptarëve.
Këta do humbasin dhe humbasin shumë. Sepse paratë e tyre, që në fakt janë paratë e shqiptarëve, do t’i kthehen shumicës, do ti kthehen qytetarëve shqiptarë. Prandaj këtu jam dakord me Edi Ramën. Do humbasësh jo shumë, por do humbasësh gjithçka në Republikën e Re.

***
Republika e vjetër, nga maja e kokës deri te thembra e këmbës është sot banka e krimit e cila prodhon qindra milionë euro për Edi Ramën, për pushtetarët e korruptuar për një grusht oligarkësh dhe kriminelësh që i mbajnë në pushtet.
Me këto para, paguhen lobingje të ndyra, të pista. Me paratë e narkomafias shqiptare, me paratë e korrupsionit qeveritar blihet fjala e lobingjeve në Europë dhe në Amerikë, për t’i ardhur në ndihmë lavatriçes së krimit të organizuar, republikës së vjetër të krimit.
Mos harroni, kjo është një qeveri kriminelësh që do bëjë gjithçka për të mbajtur pasurinë dhe pushtetin që ka së bashku me krimin. E vetmja garanci për fitoren në këtë betejë epike, historike por edhe jetike për gjithsecilin prej jush, për ç’do qytetar shqiptar që nuk i përket kësaj duzine pushtetarësh të korruptuar dhe kriminelësh, e vetmja garanci, është bashkimi dhe qëndresa jonë deri në fitore.

***
Me shpifje, me mashtrime, me presione do bëjnë gjithçka për tërheqjen tonë, për tërheqjen e Partisë Demokratike, për tërheqjen e Lulzim Bashës, për tërheqjen e opozitës nga kjo betejë.
Por unë dua të garantoj sot përsëri, ç’do shqiptar, të djathtë e të majtë, që mund të ndahemi në pikëpamjet tona politike, apo në rrugëzgjidhjet politike, por na bashkon vullneti për të pastruar Shqipërinë nga krimi dhe për të mos lejuar që Shqipëria të kthehet në një Republikë droge.
Dua t’i garantoj sot me vetëdije të plotë, se këtë betejë e ndërmarr me gëzimin dhe vendosmërinë më totale, sepse e di që nuk është për mua, nuk është për karrigen time, nuk është për Partinë Demokratike, por është për fatin e çdo shqiptareje dhe shqiptari të ndershëm.
Ndaj ju them se çdo ditë që kalon jam dhe jemi më të fortë, më të vendosur. Se nga kjo betejë nuk tërhiqem pa përmbushur premtimin që para jush dhashë, pa i shkuar deri në fund vendimit që së bashku morëm: zgjedhje të lira dhe të ndershme, qeveri teknike dhe vetëm votë të lirë dhe të ndershme për qytetarët shqiptarë.
Ky është fillimi i një beteje që do të ndërtojë Republikën e qytetarëve dhe jo të politikanëve. Kjo bëhet jo vetëm për ju dhe fëmijët tuaj, por për brezat që do të vijnë.
Kjo betejë do të vendoset jo nga kompromisi për të ruajtur favoret e pushtetin e krimit, por nga vendosmëria totale për të mos u tërhequr deri sa të sigurojmë, asgjë më pak se standardin europian për zgjedhjet shqiptare.
Sepse vetëm me standardin europian për zgjedhjet shqiptare mund të fillojmë të ndërtojmë standardin europian të jetës për shqiptarët.
Asgjë nuk ka për të ndryshuar, asnjë vend i ri pune nuk ka për t’u hapur, asnjë çmim nuk ka për t’u ulur, asnjë taksë nuk do të lehtësohet, asnjë shërbim nuk do të përmirësohet, as pensionet nuk do të ngrihen, as rrogat nuk do të ngrihen, për sa sa kohë që krimi dikton politikën.
Ndaj kjo është beteja e betejave, për të shkëputur lidhjen e politikës me krimin, në mënyrë që së bashku t’i kthejmë qytetarëve pushtetin politik, dhe përmes pushtetit politik, pushtetin ekonomik.
Mundësi, për një ekonomi të fortë, një të nesërme të sigurt, me vende pune për rininë dhe të papunët. Me pensione dinjitoze për pensionistët, me shëndetësi që i shërben pacientëve dhe jo oligarkëve të korruptuar dhe xhepave të tyre, me një drejtësi që i shërben qytetarëve dhe që ndëshkon politikanët e korruptuar dhe kriminelët.
Kjo mund dhe do të vijë.
Kjo ëndërr do të bëhet realitet! Sepse ne do ta fitojmë këtë betejë për Shqipërinë, për shqiptarët, për demokracinë, për Europën, për Amerikën.
Zoti i bekoftë shqiptarët!
Zoti e bekoftë Shqipërinë!

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY