Kryetari i Grupit parlamentar të PD-së, Edi Paloka, ka folur sot në çadrën e protestës së opozitës në të njëjtën kohë kur në Kuvendin e Shqipërisë kishte nisur seanca parlamentare.
Paloka përforcoi qëndrimin se opozita nuk do të tërhiqet nga protesta përpara kryeministrisë derisa të arrijë qëllimin për të cilin u nis.
“Lideri botëror, tha Paloka me ironi për Kryeministrin, që deklaroi se nëse fiton Trump do të rishikonte marrëdhëniet me SHBA, urdhëroi larot dhe mediat e tij se Trump qenka kundër lëvizjes së lirë të shqiptarëve. Lajme të sajuara nga zëdhënësa pa emër!
Janë po këto media që guxojnë të censurojnë deklaratat jo vetëm të njerëzve më të afër të Trump, por edhe të Zv.Sekretarit të SHBA, i cili qartazi, si në të gjitha deklaratat e fundit të ndërkombëtarëve, se Shqipëria është e rrezikuar, se zgjedhjet në Shqipëri të lira janë rrezikuara ndaj duhet të uleni dhe të dialogoni.
Ky është thelbi i të gjitha deklaratave të ndërkombëtarëve, jo se duan PD-në, jo se duan Lulzim Bashën, por se duan lëvizjen për zgjedhje të lira dhe të ndershme.
Kushdo që ka lindur nga liria nuk bën tjetër përveçse mbështet lëvizjen tonë.
Dje lexova një artikull të ideologut të këtij që kemi këtu të fshehur pas napës së zezë, atij që do të na vinte dhe në çadër. Çfarë thoshte: Le të zhduket PD-ja, dhe po s’pati opozitë s’ka problem. Ideologu i aleancës së qelbësirave nuk është ai që flet, por flet ky këtu. Sepse në diktaturë Shqipëria është më mirë pa diktaturë, pa opozitë. Kjo është Shqipëria që duan këta.
Po a do ta lejojmë ne?! Ndaj jemi këtu, për të qëndruar deri në fund. Kush mendon se ne do të tërhiqemi, e ka gabim, nuk do tërhiqemi derisa të realizohet i vetmi kusht.
Dialog po, sigurisht, nuk jemi kundër dialogut. Por koha kur Rama mund të vendoste dhe e kishte mundësitë për të vendosur ka kaluar: Një vit më parë ne demokratët paraqitëm ndryshimet tona në Kodin Zgjedhor, kërkesa krejtësisht reale, që shqiptarëve do t’u jepnin mundësinë që vota e tyre nuk do vidhej. Një vit më parë ia propozuam Ramës, i kërkuam të ulej. Kishte dhe një komision me synim të qartë për ndryshimet në Kodin Zgjedhor dhe ata u treguan arrogantë. E zvarritën për një vit që të mos jepnin mundësinë për të realizuar me ligj disa kushte që do krijonin besimin tek shqiptarët, opozita, ndërkombëtarët se nuk do vidheshin zgjedhjet, siç ndodhi në Korçë, Dibër dhe Kolonjë. Rama, jo vetëm nuk pranoi dialogun, por me arrogancë, deklaroi se zgjedhjet do t’i bëjë siç di ai. Ndaj jemi këtu!”, u shpreh Paloka.
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/