INTERVISTA/“Lolita” gjendet, ja ku është fshehur përsëri

INTERVISTA/“Lolita” gjendet, ja ku është fshehur përsëri

94
0
Shares

Faqja ”Lolita” është rikthyer sërish online pas gati dy muajsh e arratisur. Në një intervistë për shuplaka.com ajo rrëfen se si ia ka kaluar këto kohë dhe për më te për mundësinë e saj për të gjeur punë tek nje media publike.

Në vijim të intervistës ajo nuk ka befasuar teksa thotë se admiron Luana Vjollcën ndërsa tregon se i pëlqen vera në ndonjë kafe paska të izoluar.

SHUPLAKA: Sapo u riktheve pesë postime brenda pak orësh, kaq shumë kishe plasur?

LOLITA: 5 postime brenda pak orësh nuk janë shumë duke patur parasysh që jemi disa administratorë, por gjithsesi e pranoj që më kishte munguar shumë faqja. Dhe me sa pashë jo vetëm mua. Më fal për mungesën e modestisë.

SHUPLAKA: Ta besojmë që ke të tjerë apo je e vetme?

LOLITA: Jemi disa administratorë. Por mund të kemi edhe prurje të reja.

SHUPLAKA: Nga 23 janari e deri dje, ku ishe, çfarë bëre? A jeton në Tiranë ti?

LOLITA: Nga 23 janari jam munduar të rregulloj disa gjëra për veten, një nga këto gjëra është dhe largimi nga Tirana. Nuk është e lehtë të largohesh nga vendi yt, të largohesh nga njerëz që i do dhe të duan. Por ishte një gjë që planifikoja prej kohësh.

SHUPLAKA: Ke rënë në dashuri?

LOLITA: Më vjen për të qeshur me këtë pyetje, sepse ma bëjnë shpesh. Ndoshta ngaqë më imagjinojnë si krijesë kompjuterike. Po dhe unë jam prej mishi e gjaku dhe po: Jam e dashuruar!

SHUPLAKA: Me kë je dashuruar që ta dimë? Si është ai? Çfarë ka që të tjerët s’e kanë?

LOLITA: Jam dashuruar me një njeri që nuk para thotë “të dua”, por që ta tregon me veprime, përkujdesje dhe përkushtim sa shumë të do. Një njeri që flet pak, por që thotë shumë edhe me heshtjen e tij. Është dikush që nuk të lodh me pyetje, nuk imponohet, nuk kërkon llogari dhe që të bën të ndihesh e lirë. Një njeri që më do edhe kur unë nuk e dua veten.

SHUPLAKA: Kë do sulmosh dhe kë do mbrosh në politikë, tani që u ktheve?

LOLITA: Ne as nuk sulmojmë, as nuk mbrojmë njeri. Ne themi ato që mendojmë. Dhe mendimet tona nuk mund t’ju pëlqejnë të gjithëve, për këtë jemi të vetëdijshëm.

Asnjë nga ne nuk është gazetar, madje as nuk ka qëllim të bëhet i tillë. Misioni ynë nuk është gazetaria dhe as të shajmë apo kritikojmë gazetarët. Një pjesë e tyre janë po kaq mirë të informuar dhe kritikë me pushtetin.

Sarkazma jonë prek atë pjesë të shtypit që i lëpihet pushtetit pa qenë nevoja. Është deri diku e ndershme të punosh në një media pro qeveritare dhe të shkruash edhe gjëra që s’i beson. Por të mbrosh me pasion dhe të gënjesh hapur për të pavërteta që duken haptas është një lëpirje e panevojshme dhe e neveritshme.

Ky soj gazetarësh është edhe më pak dinjitoz se ata militantë partish që sherrosen me komshinjtë për Edi Ramën apo Lul Bashën.

SHUPLAKA: Të ka sulmuar pushteti në Shqipëri ty?

LOLITA: Pushteti është sofistikuar sot. Nuk të sulmon drejtpërdrejt, nuk të vë as pistoletën në kokë e as thikën në fyt. Ata mundohen të të joshin në fillim. Mua më kanë ofruar punë në një nga mediat që kontrollohet nga pushteti. Në një kohë që edhe Adi Krasta ishte pa punë, mua më ofrohej një punë në televizion pa e ditur kush jam dhe pa e ditur çfarë CV-je kam. Edhe njeriu më normal do dyshonte. Ajo ishte një tentativë për të më mbajtur nën kontroll.

Pasi nuk ia dolën, përdorën një pseudogazetar (që njihet për lidhjet e tij me pushtetin) të na kërcenonte dhe denigronte me nxjerrjen e identiteteve. Shumë njerëz u përfshinë edhe pse nuk kishin lidhje me faqen. Faqja e parë u mbyll kur kishte 120.000 ndjekës.

Kjo e reja u raportua në mënyrë të organizuar në një kohë kur i bëmë jehonë emisionit të censuruar të ‘’Publicus’’ për vdekjen e Ardit Gjoklajt. U hoqën nga raportimet postimet kur nxorëm mashtrimin e gruas së kryetarit të Bashkisë për fustanin dhe shumë postime për politikanë e gazetarë që i shërbejnë pushtetit.

SHUPLAKA: A ke ndjerë frikë nga pushteti?

LOLITA: Unë nuk kam frikë nga pushteti sepse kurrë nuk kam përfituar dhe s’kam ndërmend të përfitoj prej tyre. Frikë duhet te kenë ata që marrin para, çanta apo vila nga pushteti dhe ju dridhet dora nga frika kur shkruajnë se mund t’i humbasin të gjitha këto.

SHUPLAKA: Të kalojmë te disa pyetje personale, cila do ishte gjëja më e çmendur që do doje të bëje këto kohë?

LOLITA: Do doja të merrja një kaçavidë, një biletë avioni për në Tiranë dhe t’i çaja gomat e makinës dikujt që nuk po më kthen përgjigje.

SHUPLAKA: Çfarë gjëje nuk e ke arritur dot kurrë?

LOLITA: Nuk kam arritur dot të bëhem shoqja e babait tim. Ka qenë gjithmonë autoritar.

SHUPLAKA: Na thuaj ca gjëra të tjera personale rreth veten: Del natën në pub?

LOLITA: Dal natën por jo në pub-e. Preferoj vendet e qeta ku mund të flas dhe të dëgjoj biseda interesante.

SHUPLAKA: Çfarë pi?

LOLITA: Shoqëria i jep shije verës, jo vera bisedës.

SHUPLAKA: Në cilin rast e heq telefonin nga dora?

LOLITA: Në rastet kur duart përdoren për qëllim më human se të thumbosh fenomenet shqiptare.

SHUPLAKA: Sa orë gjumë fle? Më përshkruaj një ditë normale tënden, zgjohesh në…pastaj shkon në tualet…pastaj…

LOLITA: Unë dhe gjumi kemi marrëdhënie diabolike prej kohësh. Jo më kot faqja ka emrin ‘’Lolita’’ dhe nata është sfiduese e madhe e realiteteve nervangritës.

SHUPLAKA: A ke miq? Kush është mikesha/miku yt më i mirë?

LOLITA: Miqtë e mi më të mirë janë ata që i mbajnë fort të kyçura sekretet e mia. Dhe si të tillë nuk mund të jenë vetëm se të panjohur për të tjerët dhe shumë të dashur për mua. Por gjithsesi nuk janë shumë, kanë mendje të bukur dhe deklarojnë të ardhurat 100% në Tatime.

SHUPLAKA: Ke frikë? Nga kush?

LOLITA: Kam frikë nga të panjohurit. Ngaqë dhe vetë jam një e panjohur e madhe mes njerëzve me të cilët komunikoj. Ndoshta ngadhënjimi mbi këtë frikë më ka bërë të jem një e panjohur e “famshme”.

SHUPLAKA: Cilin personazh që shfaqet shpesh në televizion admiron? Po nga ata që nuk janë publikë?

LOLITA: Admiroja Luanën kur jepte motin. Në fakt personazhet që dalin shpesh në TV ju ka dalë boja njëlloj si rrobat e mia me ngjyrë kur i fus në 90 gradë. Më pëlqen dikush që del rrallë në tv, por është inteligjent, racional, i pakompromentuar dhe me këmbë në tokë. Ai quhet Ergys Mërtiri.

Nga personazhet jo publike admiroj Fondacionin Sudja. Nuk e di kush fshihet pas asaj faqeje por ka një mendje të bukur dhe një sens humori të admirueshëm.

SHUPLAKA: A e urren ndonjëherë veten?

LOLITA: Gati çdo ditë pasi njëherë ka diçka që nuk shkon me flokët, pastaj me fytyrën, me peshën etj. Këto janë arsye madhore për të urryer veten ndërkohë që je larg Shqipërisë dhe askujt nuk i bie ndërmend se si dukesh apo se si je veshur ti .

SHUPLAKA: Çfarë është gjëja që të pëlqen më shumë te vetja, përveç trurit?

LOLITA: Cepi i syzeve dhe flokëve që më ka bërë të ndihem shumë e vlerësuar dhe e dashur sa herë kam nxjerrë ndonjë pjesë.

SHUPLAKA: Cili është filmi më i bukur, më i tmerrshëm apo më kot që ke parë ndonjëherë?

LOLITA: Kam shumë filma që më pëlqejnë. Por do veçoja “Interstellar”. Është një film që më ka futur në mendime, jo vetëm për subjektin interesant por edhe se ma ka sugjeruar dikush që e kam shumë përzemër.

Mendoj që ka filma të dobët, por jo të tmerrshëm. Unë pëlqej edhe filmat horror. Filma kot do klasifikoja këto telenovelat turke dhe indiane që shikon mami im.

P.s Mos më pyet për filmat shqiptarë të para 90-ës se do më bësh pa dashje pjesë të debatit të kohëve të fundit nëse duhen censuruar apo jo. Dhe kam frikë se më mërzitet Ergys Mërtiri po thashë të kundërtën.

SHUPLAKA: Në një ditë pushimi, kur shumica e kanë braktisur telefonin sepse po flenë ose ndoshta po kalojnë kohë me familjen ti çfarë bën?

LOLITA: Rri bluaj me mendje se a janë të vërtetë në atë që po bëjnë? A po shijojnë drekën apo janë duke pritur që të mbarojë sa më shpejt që të bëjnë atë që duan? Po luajnë vërtet apo vetëm po shtyjnë orët? Po flenë apo bëjnë sikur, që mos të përfshihen në bisedat familjare…

Ja për të gjitha këto të vërteta e vras mendjen. Ndërkohë që mendoj se dhe unë vetë ndoshta nuk jam në vendin që do doja të isha.

SHUPLAKA: E ke gjetur ndonjëherë arsyen e suksesit tënd?

LOLITA: Intuita femërore dhe dëshira për të shkruar ato që ndonjëherë nuk mund t’i themi me zë të lartë. E para sepse të ndihmon të zbërthesh ngjarje dhe karaktere që në dukje janë enigmatike dhe e dyta sepse në një farë mënyre duke shkruar nxjerr dhe dufin për kaq shumë padrejtësi sa ka rrotull./ SHUPLAKA

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY