Protesta e PD, Basha: Perëndimi na mbështet, dielli po “ndriçon” gënjeshtrat e...

Protesta e PD, Basha: Perëndimi na mbështet, dielli po “ndriçon” gënjeshtrat e Ramës

99
0
Shares

Në ditën e 37 të protestës para Kryeministrisë, kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha u kujdes të nënvizonte se kauza e tyre për zgjedhje të lira dhe të ndershme ka mbështetjen ndërkombëtare.
Sipas Bashës, tentativa e Ramës për të deformuar të vërtetën me paratë e drogës ka dështuar.
Sakaq pati një përgjigje edhe për akuzat se çadra e protestës po mbështetet nga qarqe që jo domosdoshmërisht i duan të mirën Shqipërisë.
“Amerika është me ne, Europa dhe aleatët e Shqipërisë janë me ne deri në fitore. Fillon dhe llomotit, e keni dëgjuar të flasë për armiqtë e jashtëm që nuk i duan të mirën Shqipërisë, të cilët sipas tij paskan bërë konspiracion me këtë çadër lirie, me këtë shesh lirie, me këtë koalicion lirie. Po kundër kujt? Sot nga ky shesh dua ti them Edi Ramës dhe mercenarëve të tij që paguhen me paratë e drogës dhe narkomafias shqiptare, mercenarëve të tij shqiptarë dhe të huaj, zyrtarë të shkarkuar për korrupsion nga qeveritë e tyre me paratë e drogës shqiptare lehin kundër zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.
Shqipëria dhe shqiptarët kanë vetëm një armik, kjo është tirania e krimit, korrupsionit, tirania e drogës dhe ne jemi të vendosur ta mundim, ta shporrim dhe ta çlirojmë Shqipërinë nga kjo tirani. Armiqtë e Shqipërisë dhe shqiptarëve janë oligarkia, krimi i organizuar dhe narkomafia e cila po investon rëndë për të deformuar të vërtetat dhe treguar botës jo realitetin e Shqipërisë dhe shqiptarëve por realitetin e bandave, krimit të organizuar dhe bandave të bërë njësh me ta. Por kanë dështuar dhe po dështojnë me sukses të plotë.
Dielli po incineron, po djeg dhe përvëlon gënjeshtrat e Edi Ramës dhe konsulentëve të tij të paguar me paratë e mafias shqiptare. Uashingtoni e di të vërtetën, Perëndimi e di të vërtetën, e vërteta ka triumfuar. E vërteta e dhimbshme e një qeverie që qeveriset nga një Kryeministër i bërë njësh me narkomafian dhe krimin e organizuar ka triumfuar dhe pas të vërtetës vjen fitorja e vlerave dhe fitorja e betejës sonë për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Të presim në këtë shesh të vendosur dhe të bashkuar kështu si jemi lajmin e fitores, lajmin e largimit të Edi Ramës, qeverisë teknike, zgjedhjeve të lira dhe të ndershme”, u shpreh Basha.
Kryetari i PD-së, Lulzim Basha, është mbështetur sot në çadrën e protestës nga shqiptarë të ardhur nga Presheva, të cilët i ka falënderuar për përkrahjen që po i bëjnë kërkesave të opozitës në Shqipëri dhe u ka kushtuar vëmendje të veçantë.
Ndërsa në çadër pati të ftuar anëtarë të Aleancës Kuqezi dhe kryetarin e komunës së Preshevës Ragmi Mustafa, Basha tha se qëndresa e opozitës është një lëvizje kombëtare.
“Kjo është një lëvizje kombëtare. Nga fitorja dhe fati i kësaj beteje varen fati dhe fitorja e shqiptarëve kudo ku ata jetojnë, në Kosovë, Maqedoni, Preshevë, Mal të Zi e diasporë. Alternativë tjetër nuk ka. Një Shqipëri e dobët, e nëpërkëmbur ku një klikë pushtetarësh të korruptuar mbajnë peng të sotmen dhe të nesërmen e vendit duke kyçur nën 7 dryna dinjitetin e shqiptarëve përmes dhunimit, blerjes dhe kërcënimit të votës së tyre është garancia më e mirë për armiqtë e kombit shqiptar që të vazhdojnë ti mbajnë shqiptarët nën zgjedhë, të vazhdojnë ti poshtërojnë, të vazhdojnë tua mohojnë të drejtat themelore që i kanë të garantuara me dokumente kryesore ndërkombëtare. Në Preshevë para tre vjetësh kryeministri aktual premtoi mbështetjen e shtetit shqiptar për arsimin, njohjen e diplomave, ndihmë të drejtpërdrejtë për zhvillimin social dhe ekonomik. Asnjë nga këto premtime nuk janë bërë realitet”, vijoi kreu i PD-s.
Por kreu i opozitës u tregua i kujdesshëm kur tha se:
“Kjo është një lëvizje kombëtare, nuk është një lëvizje që synon zhbërjen e kufijve. AK dhe koalicioni ynë nuk synon zhbërjen e kufijve por synon që këto kufij të mos jenë më as barriera dhe as pengesa, por ti bashkojnë shqiptarët me dinjitet, të drejta dhe standarde europiane të jetës që fillojnë me standardin europian dhe amerikan, standardin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme”.
Në agorën e sotme, ishin të pranishëm miq nga Presheva dhe Aleanca Kuq e Zi.
Kryetari i Partisë Demokratike Shqiptare në Luginën e Preshevës, Ragmi Mustafa u shpreh se: Kemi udhëtuar gjatë me shumë shokë nga Lugina për të mbështetur demokracinë sepse nuk ka gjë më të shtrenjtë se demokracia dhe e kemi ndjekur nga afër gjithë rezistencën tuaj në këtë çadër prej ditëve të para. “Duam ta shohim Shqipërisë sa më mirë. Uroj që kjo protestë të rritet çdo ditë më shumë dhe në fund demokracia të fitojë”, tha Mustafa.
Kreu i AK, Spahiu, vuri theksin tek rëndësia e kontratës që parashikon Republika e Re e ideuar nga Lulzim Basha dhe e mbështetur nga aleatët.
 

Mesazhi i Lulzim Bashës në ditën e 37 të protestës në prani të miqve nga Presheva dhe aleatëve të AK

Lëvizja për votën e lirë, është lëvizje për dinjitetin e shqiptarit


lulzim basha, cader fjalim proteste1Kjo e diel, dita e 37-të e protestës vjen me disa lajme praktike siç është ndryshimi i orës, lajme politike, siç është mbështetja euroatlantike për fitoren e kauzës tonë për zgjedhje të lira dhe të ndershme, dhe lajme për praninë në këtë shesh të miqve të nderuar. Jo të kuqezinjve, që kanë qenë që ditën e parë dhe unë dua ti falënderoj me mirënjohje, ju të rinj dhe të reja, burra dhe gra që i jeni bashkuar kësaj lëvizje popullore prej orës së parë me kurajë, me guxim, me vendosmëri dhe keni ngritur këtu në këtë shesh të lirisë tributin tuaj të vendosmërisë së bashku me Kreshnik Spahiun, kryetarin e Aleancës Kuqezi. Por dua të falënderoj në mënyrë të veçantë miqtë nga Presheva me në krye Ragmi Mustafën, të cilët vijnë këtu për të na kujtuar se lëvizja jonë popullore demokratike, qytetare dhe kombëtare për zgjedhje të lira dhe të ndershme është edhe një lëvizje për të drejtat e shqiptarëve kudo që ata jetojnë. Eshët e tillë sepse askush nuk mund të besojë dhe as të pranojë që një Shqipëri që nuk garanton dot të drejtat themelore të qytetarëve të saj, të jetë në gjendje të përmbushë detyrimin kushtetues, detyrimin e shënuar në preambulën e Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, për të luftuar për të drejtat legjitime të shqiptarëve kudo që jetojnë.
Ndaj, prej ditës së pare, kemi thënë që kjo është një lëvizje kombëtare, se nga fati i kësaj beteje, nga fitorja e kësaj beteje, varen fatet dhe fitoret e betejave të shqiptarëve kudo që ata jetojnë, në Kosovë, në Maqedoni, në Preshevë, në Mal të Zi, në diasporë kudo ku ka shqiptarë. Sytë, zemra, mendja e tyre janë të investuara në fitoren e kësaj lëvizje popullore dhe kombëtare. Alternativë tjetër nuk ka. Një Shqipëri e fortë, siç tha këtu para një jave Kim Mehmeti, është garancia më e mirë, është garancia më e sigurt për shqiptarë të fortë dhe dinjitozë kudo që jetojnë. Ndërsa një Shqipëri e dobët dhe e nëpërkëmbur ku klikë pushtetarësh të korruptuar mbajnë peng të sotmen dhe të nesërmen e vendit, duke kyçur në 7 dyer dinjitetin e shqiptarëve përmes dhurimit, blerjes dhe kërcënimit të votës së tyre, është garancia më e mirë për armiqtë e kombit shqiptar, që të vazhdojnë ti mbajnë shqiptarët nën zgjedhë, që të vazhdojnë ti poshtërojnë, që të vazhdojnë ti mohojnë të drejtat themelore që i kanë të garantuara me dokumentet kryesore ndërkombëtare. Dhe ky është realiteti kudo. Në Preshevë para 3 vjetësh, kryeministri aktual premtoi mbështetjen e shtetit shqiptar, mbështetje për arsimin, njohje të diplomave, ndihmë të drejtpërdrejtë për zhvillimin social dhe ekonomik. Asnjë nga këto nuk janë bërë realitet. Për arsyen e thjeshtë, dhe të vetme, se një Shqipëri jo demokratike, një Shqipëri e korruptuar, një Shqipëri e bërë zap nga krimi nuk mund të kujdeset as për qytetarët e vet, e jo më të përmbushë detyrimet kushtetuese për shqiptarët jashtë kufijve të Republikës së Shqipërisë.
Ja pra, pse prej ditës së parë të gjithë së bashku kemi thënë që kjo është një lëvizje kombëtare. Nuk është një lëvizje që synon zhbërjen e kufijve. E kemi diskutuar disa herë këtë çështje së bashku, por edhe me aleatin tonë të ri, AK. Aleanca dhe koalicioni ynë nuk synon zhbërjen e kufijve, por synon që këto kufij të mos jenë më barrierë dhe as pengesa, dhe ti bashkojnë shqiptarët në dinjitet, të drejta dhe standarde europiane të jetës që fillojnë me standardin e artë europian dhe amerikan, standardin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Prandaj kemi mbështetjen e gjithë shqiptarëve të ndershëm kudo që jetojnë, e atyre që kanë votuar dhe kanë pasur mundësi të votojnë Partinë Demokratike por edhe të atyre, të cilët nuk e kanë votuar apo nuk kanë mundësi të votojnë Partinë Demokratike sepse standardi i zgjedhjeve të lira dhe të ndershme është standard që bashkon çdo shqiptar që i thotë vetes patriot dhe atdhetar. Kjo është një beteje për dinjitetin e kombit shqiptar pavarësisht se ku jetojnë në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi, Preshevë. Kudo ku jetojnë dhe frymojnë shqiptarë, beteja për zgjedhje të lira dhe të ndershme i bashkon.
Në këtë beteje, jo rastësisht kanë marrë krahë, kanë vendosur të hedhin peshën e tyre politike faktorët ndërkombëtarë. Ata që historikisht kanë mbështetur aspiratat legjitime të Shqipërisë dhe shqiptarëve për demokraci, për liri, për shtet ligjor, për ekonomi të hapur të tregut, për të drejtat e njeriut, për respekt para ligjit për çdo individ, kanë zgjedhur të mbështesin këtë betejë sepse duke e mbështetur këtë betejë, mbështesin tabanin mbi të cilin qëndrojnë vlerat më të larta të civilizimit të aleancës euroatlantike. Prandaj, Amerika është me ne, prandaj Europa është me ne, prandaj miqtë dhe aleatët e Shqipërisë janë me ne deri në fitore.
Keni dëgjuar këto dy javët e fundit që e ka zënë temperatura e lartë dhe ethet. Fillon dhe llomotit. Keni dëgjuar të flasë për armiqtë e jashtëm të cilët nuk ia duan të mirën Shqipërisë, të cilët sipas tij paskan bërë konspiracion me këtë çadër lirie, me këtë shesh lirie, me këtë koalicion lirie, por kundër kujt?! Sot nga ky shesh dua ti them Edi Ramës dhe mercenarëve të tij që paguhen me paratë e drogës dhe narkomafias shqiptare, mercenarëve të tij shqiptarë dhe mercenarëve të tij të huaj, zyrtarë të shkarkuar për korrupsion nga qeveritë e tyre, që me paratë e drogës shqiptare lehin kundër zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, se; Shqipëria dhe shqiptarët kanë vetëm një armik, dhe kjo është tirania e krimit, tirania e korrupsionit, tirania e drogës dhe ne jemi të vendosur ta mundim, ta shporrim dhe ta çlirojmë Shqipërinë nga kjo tirani.
Armiqtë e Shqipërisë dhe shqiptarëve janë oligarkia, krimi i organizuar dhe narkomafia e cila po investon rëndë për të deformuar të vërtetat dhe për ti treguar botës jo realitetin e Shqipërisë dhe shqiptarëve por realitetin e bandave, krimit të organizuar, dhe pushtetit të bërë njësh me ta. Por kanë dështuar dhe po dështojnë me sukses të plotë. Dielli i pranverës po djeg dhe përvëlon gënjeshtrat e Edi Ramës dhe konsulentëve të tij të paguar me paratë e mafies shqiptare. Uashingtoni e di të vërtetën, perëndimi e di të vërtetën. E vërteta ka triumfuar, e vërteta e dhimbshme e një Shqipërie që qeveriset nga një kryeministër i bërë njësh me narkomafian dhe krimin e organizuar. Dhe, pas të vërtetës, vjen fitorja e vlerave, fitorja e betejës tonë për zgjedhje të lira dhe të ndershme.
Ndaj, le të presim këtu në këtë shesh të vendosur e të bashkuar kështu siç jemi, lajmet e mëdha të fitores që po vjen, të fitores së Shqipërisë, të fitores së shqiptarëve, të fitores së vlerave europiane dhe edhe euroatlantike, lajmin e largimit të Edi Ramës, të qeverisë teknike dhe zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.
Zoti e bekoftë Shqipërinë. Zoti e bekoftë Flamurin tonë kombëtar. Zoti i bekoftë shqiptarët kudo që janë.

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY