Kreu i opozitës Lulzim Basha është rikthyer sonte te cadra e protestës duke ngjallur entusiazëm tek të protestuesit.
Ai tha se vizita e tij në SHBA ka qenë mjaft e suksesshme dhe se ka marrë mbështetjen e fuqishme të senatit, kongresit dhe administratës së Trump për zgjedhje të drejta dhe të lira.
Fjala e Bashës tek cadra e protestës:
“Nga takimi im i parë, mbrëmjen e së martës deri tek takimi i fundit, pasdrekën e së premtes, me përfaqësuesit më të lartë të Partisë Republikane, të Senatit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të Kongresit Amerikan dhe po, të bashkëpunëtorëve të Presidentit Trump në Shtëpinë e Bardhë,
mesazhi i parë është mesazhi i përgëzimit për qytetarët shqiptarë, për këtë qëndresë të jashtëzakonshme, për këtë zgjim, për këtë kauzë të madhe, që i ndan kombet në të civilizuara dhe të pacivilizuara, në të lira dhe në të robëruara, në të forta dhe në të dobëta, në liridashëse dhe të nëpërkëmbura: kauzën e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, kauzën e demokracisë, kauzën e lirisë.
Përgëzimet vijnë drejtpërdrejt, jo për mua, por për gjithësecilin prej jush që jeni në këtë betejë epike, historike, që do të ketë vetëm një përfundim, fitoren tuaj, fitoren e Shqipërisë, fitoren e demokracisë.
Mesazhi i dytë, i sinqertë, që buron drejtpërdrejt, jo nga kalkulimet politike të aleatëve tanë strategjikë, por nga bindja e tyre më e thellë, e këtij brezi drejtuesish dhe politikanësh në Kongres, në Senat, në Shtëpinë e Bardhë dhe dhjetra brezave para tyre, që e dinë fare mirë kuptimin e kësaj lufte në historinë e tyre, pra mesazhi i dytë, që ua kam premtuar bashkëbiseduesëve të mi, politikanëve më të lartë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës që takova në Uashington se do ta përcjell besnikërisht këtu në këtë çadër, është: falenderimi për ju!
Jo thjesht si njerëz që ngriheni për të drejtën tuaj për zgjedhje të lira e të ndershme, por si një armatë e vërtetë që luftoni për liri këtu në këtë front, ku ajo është e kërcënuar nga krimi i organizuar, nga droga, nga paratë e pista që nesër mund të financojnë terrorizmin, dhe e kërcënuar nga nomenklatura e ish komunistëve anti-amerikanë dhe stalinistë të Tiranës. Falenderime për ju sepse beteja për lirinë zhvillohet kudo, zhvillohet kudo ku ajo është e kërcënuar. Dhe këtu kjo betejë luftohet jo vetëm për lirinë e Shqipërisë po për lirinë e çdo kombi të nëpërkëmbur, të dhunuar, të robëruar, të cilit i kërcënohet e drejta e votës, e drejta e lirisë së mendimit, e drejta e lirisë së shprehjes. Prandaj, mesazhi i dytë që ju sjell nga Uashingtoni, janë falenderimet e Amerikës mike dhe aleate për qëndresën tuaj, për betejën tuaj.
Mesazhi i tretë, është mesazhi i mbështetjes totale të miqve tanë! Mbështetjes politike, mbështetjes parimore dhe morale dhe po, mbështetjes së gjithanshme për Partinë Demokratike të Shqipërisë, nga ekipi fitues i Presidentit Trump, jo vetëm për këtë betejë, por edhe për zgjedhjet që do të vijnë, për zgjedhje të lira e të ndershme, me një qeveri teknike. Partia Demokratike dhe opozita shqiptare do të kenë ekspertizën dhe ndihmën e ekipit fitues në zgjedhjet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Beteja jonë ka hyrë në një fazë vendimtare. Në fazën kur vendosmëria, kurajo dhe besimi në kauzën e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme do të përcaktojnë të vetmin përfundim të kësaj beteje. Ka një, dhe vetëm një përfundim. Largimin e Edi Ramës, një qeveri teknike që do të garantojë zgjedhje të lira dhe të ndershme”.
Lulzim Basha kreu një vizitë në SHBA për disa ditë.
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/