FOTO GALERI/ Presidenti Bujar Nishani uron Sulltan Novruzin nga Teqeja e Ali...

FOTO GALERI/ Presidenti Bujar Nishani uron Sulltan Novruzin nga Teqeja e Ali Postivanit

307
0
Shares

Image GalleryPresidenti Republikës, Bujar Nishani dhe Zonja e Parë, Odeta Nishani morën pjesë në kremtimet e festës tradicionale të Sulltan Novruzit në Teqenë e Baba Aliut, në Ali Postivan të Përmetit, duke uruar përzemërisht këtë ditë të shenjtë të besimtarëve bektashinj.

Me këtë rast Presidenti i Republikës dekoroi me
Titullin “Naim Frashëri” klerikun dhe udhëheqësin e shquar shpirtëror të bektashinjve,
Baba Hekuran Nikollari me motivacionin:
“Për kontributin e rëndësishëm në ringritjen, ruajtjen dhe përhapjen e besimit bektashian. Me vullnetin e Zotit si dhe talentin e përkushtimin e tij u ka ofruar besimtarëve bektashianë paqen fetare, dorën e ngrohtë, karakterin atdhetar, dashurinë hyjnore si edhe shpresë e besim tek mendimi filozofik që përfaqëson”.

 

Në fjalën e Tij përshëndetëse, Kreu i Shtetit shqiptar theksoi

“I nderuar Baba Hekurani,

Deputetë, ish-ministra,

Të nderuar drejtues, përfaqësues të pushtetit vendor,

Të nderuar të pranishëm

Motra dhe vëllezër!

Dë pari dëshrioj t’ju uroj nga zemra: Gëzuar festën e Festën e bekuar të Sulltan Novruzit, Gëzuar të gjithëve! Në këtë bukuri që të shikon syri këtu, s’ka sesi zemra të mos jetë njerëzore, e shpirti të jetë bujar.

Jam shumë i lumtur që jemi sot së bashku në ditëlindjen e Imam Aliut, këtu në Teqen e Ali Postivanit, në këtë strehë piktoreske të Zotit, natyrës dhe njeriut.

Jam shumë i lumtur të dashur miq që pata edhe ftesën, edhe dëshirën për të më mikpritur, por edhe të jem këtu sot së bashku me ju në një ditë të shenjtë, në një ditë të madhe, në një ditë të veçantë, në ditën e lindjes së Imam Aliut këtu në Teqenë e Ali Postivanit, në këtë strehë sa piktoreske të Zotit, aq edhe të njeriut. Është një kënaqësi për mua dhe një privilegj si President i Republikës, por edhe si një qytetar i thjeshtë, si njëri prej jush që ta uroj këtë festë gjithë bashkësinë e ndritur të bektashinjve, për të gjithë bektashinjtë shqiptarë e për të gjithë bektashinjtë anembanë botës dhe njëkohësisht të shpreh mirënjohjen e nderimin për punën e përkushtimin e klerikëve bektashinj, të cilët me aq pasion, me dashuri, me përunjësi dhe me besim, përpiqen çdo ditë për të lehtësuar vështirësitë, problemet e njerëzve tanë dhe për t’i orientuar ata drejt rrugës më të mirë, drejt rrugës së parimeve për të cilat në çdo kemi e do të kemi gjithnjë nevojë.

Sot ne festojmë ditën më të rëndësishme të besimit bektashian, ditën e ringjalljes dhe shpresës dhe të gjithë ne lutemi për një të ardhme më të mirë për veten tonë, për familjet tona, për fëmijët tanë, por ne lutemi për një të ardhme më të mirë edhe për të gjithë shqiptarët.

Kam ardhur këtu në Teqen e Alipostivanit, ë bashku me, pranë jush, sepse vetë besimi bektashi sikurse çdo besim tjetër merr vlerën e së vërtetës kur rrezaton edhe në zonat më të thella, anembanë trojeve tona shqiptare, dhe prek nga afër çdo zemër shqiptari, jo vetëm këtu në Alipostivan, jo vetëm në Përmet e në Këlcyrë, jo vetëm në Skrapar e Tepelenë, por deri në Amerikën e largët ku komuniteti bektashian shqiptar është aq i organizuar dhe aq kontribues.

Komunikimi sa më i mirë me besimtarët e vet ka bërë që teqetë e bektashinjve të jenë të shpërndara në pikat më atraktive dhe më dominante të relievit shqiptar, dhe kjo nuk është rastësi. Me ndërtimin e tyre plot finesë ato pasqyrojnë botën e pasur shpirtërore të bektashinjve shqiptarë. Teqetë shqiptare përfaqësojnë një arkitektonikë mahnitëse dhe krijojnë në tokën që jetojmë ne një kostelacion yjesh të përngjashëm me ato që i shohim në qiell.

Brenda këtyre strehave të kultit ato i japin jetë dhe shpresë shpirtit njerëzor nëpërmjet besimit tek Zoti, dijes, atdhedashurisë dhe kulturës që ato përhapin. Më shumë se fjalët këtë bashkëjetesë hyjnore të njeriut me Zotin dhe Atdheun e pasqyron rindërtimi i kësaj teqeje-monument këtu në Ali Postivan.

Prej këtij asambli të bukur e të mrekullueshëm arkitekturor vështrimi depërton përgjatë luginës së Vjosës e deri në Përmet, ngrihet lart në majat përreth dhe malet e Nemerçkës, Postenamit, Trebeshinës, Dhembelit deri tek Maj e Kokojkës, bukuritë që Zoti na i ka falur e duhet të jemi krenarë për to e duhet të punojmë t’i ruajmë fort ato. Teqeja e Alipostivanit nën shembullin e Teqes së Frashërit dhe gjithë teqeve simotra u krijua dhe hodhi shtat në një truall që gjithmonë ka reflektuar dashuri për pavarësinë, për mëvetësinë, arsimin dhe kulturën, për dijen, për qytetërimin e për përparimin.

Merita e baballarëve të saj të nderuar ishte se ata u bënë pjesë aspiratës të popullit që i përkisnin. Madje ata lanë gjurmë të fuqishme në luftrat e popullit të kësaj krahine për liri, shkollë shqipe e flamur kombëtar në të gjitha etapat. Teqetë e kësaj treve, si kudo në trojet shqiptare, krahas misionit fetar u shndërruan në vatra të vërteta atdhetare dhe emancipimi kulturor.

Nuk është rastësi që nga kjo krahinë janë edukuar dhe kanë dalë njerëz të shquar bektashianë si Frashërllinjtë e famshëm, Baba Alushi, Baba Aliu, Baba Abdullai, Dervish Selfo Merdini e shumë të tjerë para kontributit e kujtimit të të cilëve ne sot e përgjithmonë duhet të përkulemi me respekt.

Të dashur miq e besimtarë bektashianë,

Besimi bektashian, në gjirin e të gjithë besimeve të tjera, arriti të vendosë rrënjë të thella në shpirtin tonë e të kthehej në një burim jo vetëm tolerance e harmonie, por edhe në një faktor të qenësishëm kulture, patriotizmi, edukate dhe filozofie optimiste. Ky besim ia doli të japë fryte të shëndetshme në trojet tona, sepse krahas besimit hyjnor ai gjeti tek shqiptarët një shpirt të gjerë e mendje të hapur si dhe traditat më të arrira të burrërisë, nderit dhe krenarisë. Ndaj ky besim jo vetëm u mirëprit, por u hap gjerësisht dhe sot është një frymëzim i thellë njerëzor, patriotik, por edhe kombëtar.

Nga ana tjetër në Shqipëri teqetë ndihmuan në ndërtimin e paqes fetare dhe shpirtërore si dhe në ruajtjen e identitetit të gurrës së pasur etno-kulturore të besimtarëve shqiptarë. Nga gjiri i bektashianëve do të dilnin poetë, studiues, politikanë dhe letrarë të shquar. Gjenerata të tëra bektashiane të prirë nga burrat e familjes Frashëri i dhanë Atdheut shembuj të mëdhenj të qëndresës dhe diturisë si dhe kontribute të vyera në zhvillimin e konsolidimin e shtetit shqiptar

Ideologët kryesorë të Rilindjes sonë kombëtare vendosën në themelin e shtetit shqiptar harmoninë fetare dhe platformën e një shteti me tipare evropiane, atë të shtetit dhe kombit unikal, por me dashuri reciproke midis feve.

Bektashizmi ishte dhe është një nga katër shtyllat kryesore të kësaj harmonie.

Pjesëtarët e këtij komuniteti të prirë nga baballarët e tyre me zemër të madhe, ishin ndër ata shqiptarë, të cilët hapën rrugën për përparimin e gjithçkaje.

Bektashianët ishin dhe mbeten mbështetës në çdo aksion reformues për emancipimin e shoqërisë shqiptare. Kjo është edhe arsyeja se pas genocidit komunist të shkurtit të vitit 1967 kur teqetë si dhe objektet e tjera të kultit, u shembën, u rrafshuan, u dhunuan, u mallkuan, por përsëri besimi bektashian në zemrën e njrëzve nuk u shua, por mbijetoi.

Ai mbijetoi sepse ishte ngulur fort në mendjen dhe shpirtin e çdo besimtari shqiptare dhe nuk u mposht nga ateizmi, sepse në themel të filozofisë së tij ishte e mira e përgjithshme. Kështu 25 vjet më parë në 22 Mars të vitit 1992, bektashizmi u ringjall me një forcë të re edhe më të fuqishme se më parë për të zëvendësuar me shpejtësi, atë që ne shpesh e quajmë si kohën tonë të humbur në të shkuarën

Edhe gjatë këtyre dy dekadave në udhëheqjen e të ndriturit Baba Reshat Bardhi ne i pamë bektashinjtë shqiptarë të ringjallur tek mblidheshin rreth vatrave të tyre të shenjta, kudo në Shqipëri, duke iu drejtuar Zotit për një jetë e të ardhme më të mirë, por edhe duke vënë vetën e tyre në gatishmëri dhe në shërbim për të arritur këtë të ardhme më të mirë. Historia dhe e tashmja e bektashizmit shqiptar ngelen përgjithmonë pjesë e ndërgjegjes së re që krahas ushqimit të filozofisë islame merr jetë edhe nga tradita shqiptare. Kjo është jo vetëm një krenari për të gjitha besimet, por kjo lidhje me interesat e kombit merr akoma dhe më shumë vlerë sidomos në kushtet kur në botë po fryjnë erëra fondamentalizmi, të cilat kurrë nuk kanë gjetur strehë në Shqipërinë tonë të dashur, në zemrën patriotike të besimtarëve tanë.

Një model si ky i bektashianëve, duhet të kthehet patjetër në një gurrë frymëzimi se si mund të jetë modern e njëkohësisht tradicional një besim i cili qëndron së bashku me ndjenjën dhe zakonet kombëtare.

Të dashur miq bektashianë,

Teqeja e Ali Postivanit është tashmë një strehë e ngrohtë besimi dhe shprese për shpirtrat e lënduar, për qytetarët në nevojë dhe për jetën e aspiratat e secilit prej nesh që dëshiron një Atdhe më të mirë, një familje më të begatë, një individ të sigurtë, e një tokë më të ndriçuar e një shpirt më bujar.

Qysh prej Baba Aliut, kjo teqe për fatin e keq është shkatërruar dhe djegur disa here. Por përsëri është ringritur, është rindërtuar e mbi të gjitha prej dashurisë njerëzore, prej besimit se e mira nuk mund të ndalet, se e mira nuk mund të zhduket. Ajo është ringritur sepse themelet e vërteta të saj janë në zemrën dhe vetëdijen e secilit prej jush, e secilit prej banorëve të kësaj krahine të mrekullueshme.

Miqtë e mi,

Të gjithë bashkë jemi dakord se, krahas vullnetit të Zotit dhe kësaj dëshire dhe angazhimi mbarëpopullor, një meritë të veçantë në lartësimin dhe ringritjen nga themelet të këtij asambli të mrekullueshëm ka dhe udhëheqësi i saj, i nderuari Baba Hekuruan Nikollari. Për këtë klerik dhe kontributet e tij tashmë flasin me shumë respekt gjithë banorët e Ali Postivanit, Përmetit, Këlcyrës, Tepelenës, Skraparit e Kolonjës. Merita, puna dhe sakrificat e këtij biri të Përmetit janë të jashtëzakonshme për kohën që po kalojmë. Udhëtimin e tij në rrugën e Zotit ai e ka përshkuar si një misionar i devotshëm, i cili nuk u nda asnjëherë prej halleve të njerëzve të thjeshtë dhe truallit që e lindi dhe edukoi.

Kulturën, botëformimin dhe cilësitë hyjnore ai e vendosi në shërbim të të mirës së përgjithshme. Baba Hekurani në përmbushje të misionit të tij fisnik ka fituar dhe gëzon adhurimin e mbarë krahinës për pritjen e ngrohtë, dashamirësinë, shpresën dhe besimin që përhap ndër bashkëqytetarët e vet.

Sot në këtë ditë të bukur feste do të dëshiroja, duke përfituar nga privilegji i lartë që kam, fati i madh që më është dhënë, por edhe përgjegjësia që ndiej si President i Republikës por edhe si një qytetar i këtij vendi të nderojmë së bashku kontributin e Baba Hekuranit me një dekoratë që mban emrin e një biri të shquar të Përmetit dhe gjithë kombit shqiptar, Titullin “ Naim Frashëri”.

Do të doja gjithashtu që ky vlerësim institucional të shërbejë njëkohësisht si një gjest mirënjohje për kontributin e gjithë klerikëve bektashianë të gjithë kësaj zone, e të gjithë Jugut të vendit por edhe të gjithë trojeve shqiptare.

Të dashur miq,

Në këtë ditë të bukur, të lumtur e të shenjtë feste ju uroj nga zemra edhe njëherë përshumë vjet gëzuar Sulltan Novruzin, shëndet, paqe e mbarësi në familjet tuaja!

Rrofshi përherë! Paçi mbarësi dhe Zoti e bekoftë Shqipërinë, kombin shqiptar, Këlcyrën, Përmetin, gjithë Jugun e Shqipërisë dhe këto vende të mrekullueshme që Zoti na i fali e të dijmë të punojmë të gjithë e t’i gëzojmë!”

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY