Prokuroria i kërkon llogari Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për korrigjimin e formularëve dekriminalizimit për 21 zyrtar të lartë shtetëror.
ABC News ka mësuar se për llogari të hetimit të nisur nga prokuroria e kryeqytetit ndaj zyrtarëve të KQZ-së, i është kërkuar kësaj të fundit me shkresë zyrtare, informacione për bazën ligjore të pranimit të formularëve të dytë dhe ndryshimin e tyre në sistemin elektronik. Sipas akuzës, ende nuk dihet se mbi ç’bazë ligjore KQZ-ja ka pranuar formularët e vetdeklarimit të të kaluarës së zyrtarëve, pas përfundimit të afatit ligjor, pasi zyrtarisht nuk ka kthyer përgjigje.
Burimet thonë se ligjërisht, në bazë të ligjit për “dekriminalizimin” dhe vendimin e Kuvendit të Shqipërisë, dorëzimi formularëve në KQZ bëhet dy muaj pas hyrjes në fuqi të ligjit. Pra, afati i fundit i dorëzimit të formularëve ka qenë data 22 prill 2016 sipas prokurorisë. Brenda 5 ditëve nga dorëzimi i këtyre formularë, çdo subjekt i ligjit, thonë nga burimet, mund të korrigjonte këtë formular edhe pse në fund të çdo formular subjekti paralajmërohet për rileximin e tij dhe për penalitetet nëse e plotëson gabim.
Por ajo që për hetuesit ende nuk është saktësuar nga KQZ-ja, është fakti se me çfarë arsyetimi ligjore ka pranuar formularët e korrigjuar për 21 subjekte të tjera rreth 2 muaj pas afatit ligjor. Veç zëvendësimit dhe korrigjimit të formularëve fizik punonjësit e KQZ-së I kanë ndryshuar formularët edhe në sistemin elektronik, të publikuar te faqja zyrtare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.
Për këtë veprim të zyrtarëve të KQZ-së, tashmë prokuroria po kryen hetime dhe pritet që në ditët në vazhdim, ish-kryetarja e KQZ-së dhe kryetari aktual të thirren për të dhënë shpjegime për këto veprime.
Nga ana tjetër pranë KQZ-së prokuroria ka dorëzuar kërkesën për ndërprerjen e mandatit për dy kryebashkiak në vend, të cilët në formularin e parë nuk kanë evidentuar vendimet e dënimit. Por, këto vendime i kanë pasqyruar tek formularët e dytë dhe të korrigjuar. Për këtë kërkesë të prokurorisë, KQZ-ja ka caktuar ditën e enjte mbledhjen e anëtarëve të KQZ-së ku janë përfshirë për diskutim veç dy kryebashkiakëve me probleme me të kaluarën edhe deputetë të cilët kanë bërë vetëm korrigjimin e emrave apo mbiemrave, si nga mazhoranca ashtu edhe nga opozita.
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/