Nga Kastriot Dervishi
Filmat artistikë dhe ato televizivë janë pjesë e agjitacionit të kohës me synimin për t’i shërbyer indoktrinimit të thellë të “njeriut të ri”. Në thelb të këtyre filmave është propaganda dhe përmbysja historike në funksion të paraqitjes së rendit socialist si shpëtues, të përparuar dhe njerëzor. Filmat e kohës së komunizmit, janë mjeti më i sofistikuar i propagandës komuniste, me synimin që manipulimet e shtrembërimet të përparojnë e zënë vend në shtresat inferiore të popullsisë, duke i bërë ata të krijojnë përfytyrime të gabuara për ngjarje dhe persona.
Jo pa qëllim, Drejtoria e Agjitacionit dhe Propagandës në Komitetin Qendror të PPSH-së, hartoi strategjitë e para qysh kur nisën dramat dhe shfaqjet e tjera të këtij lloji.
Filmat në shumë raste janë realizime të mira artistike, por, po kaq janë me përmbajtje skadaloze, propagandistike komuniste dhe falsifikime historike.
Qysh përpara se të niste prodhimi i filmave artistikë, u vendos së pari përcaktimi i rregullave në letërsi dhe arte sepse këto do përbënin edhe bazën e tematikave për filmat e ardhshëm. Deri këtë kohë kjo ishte eksperimentuar në teatër, shfaqjet e të cilit ishin agjitacioni më i ngritur propagandistik i kohës. Në vendimin nr.499, datë 26.12.1952 të Byrosë Politike “Mbi zhvillimin e letërsisë dhe arteve, thuhej ndër të tjera:
“Niveli ideologjik i letrarëve dhe artistëve po ngrihet dhe përpjekjet e tyre për përvetësim të metodës artistike të realizmit socialist janë të mëdha. Ato po përfitojnë gjithnjë e më shumë nga shembulli dhe eksperienca e letërsisë dhe arteve sovjetike.
Tematika e re që përfaqëson frymën e partisë, përshkon pothuajse të gjitha prodhime letraro-artistike. Heroi i saj, është njeriu i ri, që punon e lufton për të ardhmen”.
Byroja politike me vendimin në fjalë, kërkonte përmirësim të prodhimeve letrare dhe artistike, duke kërkuar:
1-Njohje të plotë të realitetit, sidomos parimit të luftës së klasave.
2-Evidentimin e heroit pozitiv.
4-Kuptimin e jashtëm të frymës së partisë.
5-Dhënien e veprën me mjeshtri artistike.
6-Paraqitje e mirë e formës.
Nëse do ta vini re, në asnjë film shqiptar nuk del roli i emisarëve jugosllavë gjatë luftës, pra nuk del asgjëkund Miladin Popoviçi, Dushan Mugosha, Velimir Stojniçi. Kjo jo pa qëllim, ata janë thelbi i çdogjëje në vitet 1941-1944. Jo pa qëllim është thënë se luftën e vërtetë në Shqipëri e ka bërë kinostudio. Në mënyrë të përmbledhur, duhet thënë se këto filma kanë shkaktuar:
-Manipulime historike, sidomos nga koha e luftës.
-Manipulim të të vërtetave të rendit socialist.
-Ngritjen e kultit ndaj Partisë së Punës, Sigurimit të Shtetit, etj.
Më poshtë një analizë për disa filma shqiptarë, artistikë apo televizivë, të cilët janë shfaqur më shumë pas vitit 1990.
-“Skënderbeu”, film shqiptaro-sovjetik (1953). Shihet qartë ndikimi rus. Paraqitet Papa dhe Vatikani si armiqtë e Shqipërisë, sepse kështu e donin interesat ruse.
-“”Fortuna” (1959). Me temë nga Lufta e Dytë Botërore. Ndërtohen skena imagjinare të luftës së komunistëve kundër italianët, të cilët paraqiten si budallenj që këndojnë kur shkojnë të luftojë. Po ashtu një prej idiotësive të këtij filmi është se britanikët paraqitën si miq me gjermanët.
-“Debatik” (1961). Zmadhon tej mase rolin e kalamajve gjatë luftës, ndërsa i paraqet fashistët se merren me kalamaj, madje i vrasin. Fashizmi nuk është marrë kurrë me kalamaj, sepse në të vërtetë me ta janë marrë komunistët në vitet 1945-1954, teksa i kanë futur në kampet me tela me gjemba. Po ashtu në film janë të qarta parimet e luftës së klasave, sipas së cilës fukarenjtë dhe të pashkolluarit e donin Shqipërinë ndërsa intelektualët dhe të pasur nuk e donin.
-“Detyrë e posaçme” (1963). Bazuar në ngjarje të vërtetë. Ngrihet lart roli i Sigurimit të Shtetit në kombinacionet me lojën e “Frontit të Rezistencës”.
-“Toka jonë” (1964). Bazohet mbi parimet e luftës së klasave duke përligjur vjedhjen e pronës si veprim të ligjshëm. Synimi i filmit është demaskimi i kulakut.
-“Vitet e para” (1965). Bazuar në ngjarje të vërtetë. I kushtohet “sabotimit të tharjes së kënetës së Maliqit”. Fund e krye falsifikim. Në këtë film paraqiten amerikanët si organizatorë të “sabotimit”. Intelektualët paraqiten si tradhtarë dhe rreckamanët si njerëz që donin atdheun.
-“Komisari i dritës” (1966).Bazuar në ngjarje të vërtetë. Kleri katolik paraqitet imoral dhe kundër kulturës, ndërsa komunistët si përkrahës të dijes dhe kulturës.
-“Duel i heshtur” (1967).Bazuar në ngjarje të vërtetë. Ka subjekt gjoja një arratisje të inskenuar nga amerikanët. Si ngjarja, ashtu edhe lidhja me amerikanët është falsifikim historik. Ky film merr përsipër të ekranizojë “heroizmin” e një ushtari, i cili pa ditur as të drejtojë një mjet lundrues, vret shokët dhe kthehet në port.
-“Ngadhënjim mbi vdekjen” (1967). Bazuar në ngjarje të vërtetë. Ushtria gjermane e cila ka qenë shumë simbolike në Gjirokastër paraqitet sikur ka vendosur disa divizione në këtë qytet. Përveç masivizimit të kësaj ushtrie që nuk i përgjigjen asnjë të vërtete, në film, kjo ushtri ka marrë edhe funksione policore, duke kontrolluar shtëpi, etj.
-“Horizonte të hapura” (1968). Frymëzim nga revolucioni kulturor kinez dhe figura komike e Lej Fenit. Individi nuk ka allin e vet, por të ndërmarrjes, pronës socialiste, etj.
-“Prita” (1968). Masivizim i luftës së komunistëve në skena me të vërtetë komike në raport me heroizmin dhe me “gjermanë frikacakë”, të cilët janë të paditur nga pikëpamja ushtarake përballë të “diturve” partizanë.
-“Njësiti gueril” (1969). Ligjërim i veprimeve terroriste të kohës së luftës.
-“I teti në bronz” (1970). Mishërim i parimeve të luftës së klasave. Partizanët dhe ballistët janë vendosur në role të pavërteta, ndërsa pozicioni i ushtrisë gjermane në rol shumë të theksuar, në përkushtim për t’u marrë me probleme fshatare.
-“Lugina e pushkatarëve” (1970). Subjekti ka në plan forcat ndihmëse të kufirit që mbrojnë atdheun nga “diversantët”, të cilët janë gjithnjë me mjekra e synojnë të prishin “ditët e lumtura” të rendit socialist.
-“Mëngjese lufta” (1971). Subjekti nga koha e luftës. Fëmijët arrijë t’i marrin rrobat ushtarëve gjermanë, ndërsa këta janë të paaftë të veprojnë. Edhe këtu gjermanët paraqiten me detyra policore, sigurisht duke denigruar ballistët si bashkëpunëtorë të tyre.
-“Krevati i perandorit” (1973). Mbështetet mbi parimet e luftës së klasave. Pavarësisht se subjekti kryesor është perandori italian, në thelb të filmit është triumfi i komunistëve mbi pushtetin e vjetër. Filmi paraqet si pozitive përmbysjen e madhe sociale të vitit 1944, kohën kur inteligjencia e vendit u vra ose përfundoi burgjeve dhe injoranca erdhi në pushtet.
-“Operacioni Zjarri” (1973). Bazuar në ngjarje të vërtetë. Lavdëron veprimet e Sigurimit të Shtetit dhe synon që veprimet e forcave antikomuniste t’i paraqesë si terroriste.
-“Cuca e maleve” (1974). Frymëzim nga revolucioni kulturor kinez gjoja mbi “zakonet e vjetra”.
-“Shtigje lufte” (1974). Bazuar në ngjarje të vërteta. Ka manipulime të shumta. Enver Hoxha paraqitet si organizator i mbledhjes së Pezës. Po ashtu personazhi kryesor që ka qenë një terrorist e gjobvënës, paraqitet si hero popullor.
-“Beni ecën vetë” (1975). Bazuar në filma të ngjashëm të kinematografisë sovjetike, sipas së cilave ishte më mirë të jetoje në fshat, sepse fshati ishte rritur, etj.
-“Në fillim të verës” (1975). Ekzagjerim i tepruar i aktivitetit të njësitit gueril.
-“Rrugicat që kërkonin diell” (1975). Bazohet në zgjimin e rolit të klasës punëtore kundër borgjezisë, në luftë për rendin e ri. Në film jepet si zgjidhje se vetëm Partia Komuniste do t’i sillte të mirën Shqipërisë, gjë që ka rezultuar e pavërtetë.
-“Dimri i fundit” (1976). Skena thellësisht qesharake. Në film ushtria gjermane merret me disa gra të një fshati, a thua se kishte ndonjë rëndësi të madhe. Krijohet përshtypja se ky fshat duhej të ishte Stalingradi.
-“Fijet që priten” (1976). Fantazitë e Sigurimit të Shtetit. Një shqiptar që dikur kishte bashkëpunuar me nazistët vjen i maskuar pas shumë vitesh si shtetas i huaj, këtë herë në shërbim të amerikanëve, britanikëve, etj. Në realitet nuk ka ndodhur asnjë rast i tillë.
-“Ilegalët” (1976). I kushtohet spiunazhit gjatë luftës. Komunistët me arsim fillor, arrijnë të kuptojnë veprimet agjenturore të një kuadri shërbimi sekret të huaj (italian). Pra të pashkollët ishin më lart se kuadri i shkolluar në Itali për punë spiunazhi.
-“Lulëkuqet mbi mure” (1976). Ka subjekt shtëpinë e fëmijës gjatë luftës. Fëmijët bëhen spiunë të komunistëve dhe në fund shfaqin besimin te roli i Partisë Komuniste. Administrata e jetimores paraqitet e pashpirt. Në film është edhe roli i ekonomistit të jetimores. Në të vërtetë këtë funksion e ka pasur babai Nexhmije Hoxhës, fakt të cilin skenaristët nuk e kanë ditur.
-“Përballimi” (1976). Mban lart parimet e luftës së klasave, duke goditur kulakët, avokatët, mësueset e moralin e tyre, borgjezinë e vogël, etj. Filmi i kushtohet procesit të vjedhjes së prodhimit të fshatit. Natyrisht filmi nuk thotë të vërtetën se kriza e vitit 1948 ishte si rezultat i politikës së gabuar të Partisë Komuniste në raport me Jugosllavinë. Në vitin 1947 Shqipëria me kërkesë të jugosllavëve nuk mbolli drithë, por pambuk për industrinë jugosllave. Në film, sekretari politik paraqitet si kuadër i përgatitur. Në film, po ashtu paraqiten klerikët si mashtrues, rasti i hoxhës te peshimi i miellit.
-“Pylli i lirisë” (1976). Tregon se patriotizmi doli nga shtresat inferiore të shoqërisë. Filmi është përbuzës ndaj pronarëve dhe ballistëve. Kleri ortodoks paraqitet si i lidhur me pushtuesin.
-“Tinguj lufte” (1976). Mbi parimet e luftës së klasave. Borgjezia që shtyp vegjëlinë, madje edhe fëmijët dhe shpëtimi që vjen nga Partia Komuniste. Fukarai paraqitet i zgjuar, ndërsa djali i pasanikut si i pazoti për të mësuar artin.
-“Tokë e përgjakur” (1976). Ligjërim i veprimeve të vjedhjes së pronës. Shpëtimi vjen nga Partia Komuniste. Pronarët e tokave paraqiten si kriminelë e gjakpirës. Edhe këtu lufta e klasave.
-“Zonja nga qyteti” (1976).Jehonë jetës socialiste dhe nevojës për të jetuar në fshat. Filmi propagandon pikërisht këtë duke sjellë një imazh krejt tjetër të fshatit, ndryshe nga mizerja e fukarallëku që mbizotëronte atje.
-“Njeriu me top” (1977). Mbështetur mbi parimet e luftës së klasave. Goditen ballistët si shkaktarë të të gjithë të këqija. Paraqiten partizanët sikur nuk digjnin shtëpi teksa ky fakt është i shumëvërtetuar në vitet 1943-1944.
-Shembja e idhujve” (1977). Bën fjalë për vitet ’30. Motivi kryesor është përçarja kombëtare. Prifti katolik paraqitet si mbrojtës i injorancës. Roli i xhandarit theksohet me të folurën e veriut, për të dhënë të kuptohet se “janë të trashë”. Mësuesi që paguhej nga qeveria, është revolucionari që i kupton mirë këto punë.
-“Tomka dhe shokët e tij” (1977). Banalitete nga Lufta e Dytë Botërore. Ushtrisë gjermane arrin t’ia kallë një kalama nga Berati dhe shokët e tij.
-“Gjeneral gramafoni” (1978). Bazuar në ngjarje të vërtetë. Filmi jep në mënyrë të shtrembër raportet shqiptaro-italiane në zonën e Kuçovës në vitet ‘30. Sipas të dhënave dokumentare, grevat e punëtorëve janë bërë me dijeni të plotë dhe leje të qeverisë së kohës. Po ashtu, prefekti i Beratit nuk ka qenë mendjelehtë sa të vihej në dispozicion të italianëve. Dokumentacioni i kohës provon i hedh poshtë të gjitha ato që ka ndërtuar ky film.
-“I treti” (1978). Film televiziv me temë Sigurimi. Thellësisht imagjinata Sigurimi, sikur të huajt po merreshin aq shumë me Shqipërinë dhe një komunist të saj.
-“Kur hidheshin themelet” (1978). Film televiziv i ndërtuar mbi parimet e luftës së klasave. Ligjërohen veprimet terroriste të komuniste ndaj klasave të tjera, të cilat paraqiten me përshkrime të errëta. Po ashtu roli negativ i misioneve të huaja.
-“Në pyjet me borë ka jetë” (1978). Motivim nga kinematografia sovjetike. Lavdërohet jeta në fshat.
-“Nusja dhe shtetrrethimi” (1978). Edhe këtu ushtria gjermane ka marrë rol policor, shumë e interesuar për të arrestuar një komuniste.
-“Pas gjurmëve” (1978). Parimet e luftës së klasave te fëmijët, të cilët edukohen të bëhen spiunë e të jenë vigjilentë mbi “armikun”. Gjatë filmit shihen skena të konfiskimeve ndaj pronarëve.
-“Vajzat me kordele të kuqe” (1978). Një film kushtuar Institutit Femëror në Tiranë. Në fund kemi pushkatimin e figurës kryesore të filmit. Në të vërtetë nuk njihet asnjë rast i pushkatimit të ndonjë femre me gjyq gjatë luftës.
-“Balonat” (1979).Zmadhim i rolit të kalamajve gjatë luftës. Nuk njihen raste të tilla. Në fund është një manipulim i vrasjes së një fëmije.
-“Këshilltarët” (1979). Bazuar në ngjarje të vërtetë. Mbështetet në parimet e luftës së klasave. Manipulohet një ngjarje e ndodhur për hakmarrje duke përzier ballistët dhe gjermanët.
-“Mysafiri” (1979). Një film i trilluar nga Sigurimi i Shtetit. Ka në thelb temën e vigjilencës revolucionare. Pra të huajt, amerikanët, anglezët, italianët, etj, na kanë inat që ne kemi arritur kaq shumë suksese dhe duan të na përmbysin rendin socialist.
-“Ne vinim nga lufta” (1979). Mbështetur mbi parimet e luftës së klasave. I kushtohet ditëve të para pas vendosjes së regjimit komunist. Veprimet terroriste të komunistëve paraqiten si të ligjshme apo si reforma.
-“Radiostacioni” (1979). Edhe ky ka në thelb luftën e klasave. I kushtohet betejës për Tiranën, ardhur pas prishjes së marrëveshjes së komunistëve me gjermanët (duhej dukur sikur po luftohej). Në plan të parë shihen luftime me gjermanët, po në thelb është paraqitja e errët e klasave të tjera.
-“Një shoqe nga fshati” (1980). Propagandë mbi jetën e mirë që bëhej në fshat.
-“Agimet e stinës së madhe” (1980). Film televiziv. Mishërohet nga parimet e luftës së klasave. Përligjen veprimet terroriste të komuniste në ditët e para të pushtetit të tyre.
-“Kërcënimi” (1981). Me temë nga Sigurimi i Shtetit. Imagjinata që nuk kanë ndodhur asnjëherë. Ato pak ambasada të huaja në Tiranë, interesoheshin për objektet ushtarake të Shqipërisë sikur ne të ishim ndonjë superfuqi.
-“Në prag të lirisë” (1981). Bazuar në ngjarje të vërtetë. Manipulon tërësisht ngjarjet e vitit 1944. Paraqiten shtrembër forcat e tjera politike që nuk janë komuniste si p.sh. Partia Socialdemokrate e Musine Kokalarit, apo ngjarje si ajo e 4 shkurtit 1944, e cila nuk ka lidhje me gjermanët, sepse është bërë nga shqiptarët. Filmi është ndërtuar në formën agjitative sikur Partia Komuniste e kishte të drejtë legjitime pushtetin. Po ashtu në film manipulohen të vërteta në lidhje me organizatën e Frontit Nacionalçlirimtar e cila në fakt ishte një maskë në duart e Partisë Komuniste. Po ashtu ky film, mbizotërohet nga fryma klasore.
-“Një natë pa dritë” (1982). Bazuar në ngjarje të vërtetë. I kushtohet jetës së Migjenit. Paraqet të shtrembër krejtësisht realitetin e viteve ’30,të cilin e sheh vetëm me nota të errëta e paragjykuese. Filmi i përmbahet agjitacionit antizogist të propagandës zyrtare të kohës dhe e ka shtrembëruar tërësisht realitetin e viteve ’30, duke u bazuar vetëm në ngjarje apo fakte apo interpretime të vogla. Po ashtu është edhe antifetar dhe antikulturor.
-“Qortimet e vjeshtës” (1982).Bazuar në ngjarje të vërtetë. I kushtohet jetës së Qemal Stafës. E megjithatë, filmi zhvillohet në funksion të propagandës së regjimit komunist, mbi fillesat e lëvizjes komuniste dhe rëndësinë e saj, duke dhënë mesazhin se vetëm komunizmi e shpëton Shqipërinë.
-“Si gjithë të tjerët” (1982). I kushtohet “përkushtimit” të Partisë së Punës për jetimet. Në të vërtetë, ka qindra raporte zyrtare që tregojnë diskriminimin e jetimëve në regjimin komunist
-“Besa e kuqe” (1982). Bazuar në ngjarje të vërtetë. I kushtohet “5 heronjve të Vigut”. Filmi është manipulim historik, pasi dihet se Mirdita në atë kohë nuk e pranonte regjimit komunist që po sillnin partizanët.
-“Era e ngrohtë e thellësive” (1982). Film televiziv. I kushtohet klasës punëtore, duke propaganduar të mirat e socializmit (dështimet ekonomike të të cilit janë të pafundme), kushtet e punës, jetën socialiste, etj.
-“Nëntori i dytë” (1982).Bazuar në ngjarje të vërtetë. Pavarësisht se në përgjithësi është film që përpiqet t’i shpëtojë ndikimit të regjimit në të, nuk ka mundur ta realizojë plotësisht këtë gjë. Filmi minimizon rolin e shtresave të pasura të vendit, madje i paraqit ato si “reaksionare”, sepse i jep rol kryesor fukarenjve. Këta të fundit (vegjëlia), sipas parimeve të luftës së klasave kanë marrë protagonizmin historik. Figura jo të spikatura si p.sh. Hysen Hoxha (xhaxhai i Enver Hoxhës) dalin në rolin e protagonistëve aktivë të atyre ngjarjeve.
-“Njeriu i mirë” (1982). Pavarësisht se përgjithësisht i përmbahet në temën kryesore të tij dashurisë dhe luftës së të aftit me të paaftin, nuk i shpëton dot elementëve të luftës së klasave, si çështja e biografisë dhe “hatasë” së origjinës nga Ballit Kombëtar.
-“Rruga e lirisë” (1982). Bazuar në ngjarje të vërtetë. Por një film agjitativ që i kushtohet kongresi të grave komuniste në Berat. Filmi i nxjerr gruan nga roli i saj i vërtetë që ka në shoqëri, ndërsa e paraqet këtë kongres (të vitit 1944), në të vërtet formal dhe pa ndonjë ndikim në jetën e jetën, si ngjarje e madhe historike.
-“Dora e ngrohtë” (1983). Një film tipik agjitativ, i mbizotëruar nga parimet e luftës së klasave, ku një armë kriminale e Partisë së Punës si Sigurimi i Shtetit, ka marrë rol edukativ. Në film demaskohen “klasat e përmbysura” të cilat kanë marrë rrugën e vagabondazhit dhe vjedhjes (akte të cilat në fakt i ushtronte prej vitit 1944 regjimi komunist). Hetuesi po ashtu është personazh i dashur, i cili madje del edhe xhiro me ish të pandehurin, i cili ka hyrë në “rrugë të drejtë”, pas dënimit që i dha partia. “Dora e ngrohtë” është Partia e Punës, në fakt që dorë xhelati, përgjegjëse për sa e sa krime në këtë vend.
-“Një emër midis njerëzve” (1983).Bazuar në ngjarje të vërtetë. I kushtohet jetës së Avni Rustemit, por i paraqet të gjitha faktet historike në mënyrë në shtrembër, në funksion të politikës së Partisë së Punës. Falsifikohet si ngjarja e atentatit mbi Esat Totpanin, zhvillimet politike të viteve 1920-1924, zgjedhja e Avni Rustemit deputet, zija e pambajtur për nderin e Leninit në parlament, etj. Filmi përshkruhet nga filli i luftës së klasave dhe i përçarjes.
-“Koha nuk pret” (1983). Film televiziv. I kushtohet vigjilencës së organeve të Sigurimit kundër shqiptarëve jokomuniste. Në një shënim të kohës thuhet se ky film pasqyron përpjekjet e “mbeturinave të reaksionit në bashkëpunim me agjenturat e huaja”, kundër vendosjes së regjimit komunist. Këto përpjekje në fakt, pra çdo orvatje për të kundërshtuar regjimin, janë pozitive.
-“Militanti” (1984).Bazuar në ngjarje të vërtetë. I kushtohet komunistit Vasil Shanto. Por filmi përmban manipulime të shumta historike sepse mbizotërohet nga parimet e luftës së klasave dhe urrejtjes mbi forcat e tjera politike jokomuniste. Veprimet terroriste paraqiten si patriotike.
-“Nata e parë e lirisë” (1984). Propagandon natën e parë të robërisë komuniste si “natë lirie”. Në qendër të filmit janë vjedhjet që i bëhen pasurisë së individëve që për tekat e pushtetit të ri quhen “reaksionarë”.
-“Vendimi” (1984).Bazuar në ngjarje të vërtetë. Por nuk i shpëton frymës së manipulimit të fakteve. Qysh në fillim mashtrohet me faktin e arrestimit në Itali të personazhit real Ludovik Nikaj, i cili rezulton se ka ardhur vetë në vitin 1945 dhe nuk e ka arrestuar kush. Në qendër të filmit janë ngjarjet e majit 1942 në Tiranë, kohë kur gjithë dokumentacioni i Partisë Komuniste ra në dorë të italianëve. Por filmi nuk njeh fare si protagonistë, drejtuesit e Partisë Komuniste si Miladin Popoviçin dhe Dushan Mugoshën, duke u orvatur haptazi ta paraqesë Enver Hoxhën si drejtuesit e PKSH-së. Po ashtu personazhi që është në rolin e Zef Ndojë, nuk u vra në qeli, por u vra pasi u arratis nga burgu.
-“Asgjë nuk harrohet” (1985). Bazuar në ngjarje të vërtetë. Faktet janë shtrembëruar të gjitha. Qëllimi i filmit është të sjellë vijimësinë armiqësore të Ballit Kombëtar.
-“Hije që mbeten pas” (1985). Filmi synon të fusë frymën e përçarjes dhe denoncimit brenda familjes. Në një shoqëri si ajo komuniste, e ndërtuar e gjitha mbi bazën e vjedhjes së pasurisë së tjetrit dhe mbi krimin, nuk ka asnjë lloj të drejtë të bëjë moral për gjëra të vogla korrupsioni.
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/