Një udhëtim i zakonshëm në një autobus urban është kthyer në “udhëtim ferri” për dy vajza të reja në Tiranë. Dy vajzat, motra me njëra-tjetrën, janë ngacmuar seksualisht nga një 50-vjeçar, pasagjer në të njëjtin autobus, raporton “Panorama”.
Vetëm pak minuta pasi kishin hipur në urban, një burrë është afruar drejt tyre duke vazhduar të bëjë veprime ngacmuese me duar. Veprimet e tij kanë vijuar derisa një tjetër pasagjer ka ndërhyrë, duke u ardhur në ndihmë të rejave dhe duke lajmëruar policinë.
Ngjarja në fjalë është regjistruar në tetor të vitit 2016, por pak ditë më parë Gjykata e Tiranës ka përfunduar gjykimin ndaj të akuzuarit si autor i saj, 50-vjeçari me iniciale F. L. Ai është shpallur fajtor për akuzën e “ngacmimit seksual” dhe u dënua me 1 vit e 6 muaj heqje lirie.
Ai përfitoi uljen e një të tretës së dënimit për shkak se u gjykua me procedurën e gjykimit të shkurtuar, duke u dënuar përfundimisht me 1 vit burg. Në fazën e konkluzioneve përfundimtare të palëve, përfaqësuesi i Prokurorisë i kërkoi gjykatës dënimin e tij me 2 vjet heqje lirie.
Ngjarja
Referuar vendimit të Gjykatës së Tiranës të shpallur më 3 mars 2017, ngjarja ka ndodhur më 13 tetor të vitit të kaluar. Dy motrat kanë dalë për të kërkuar një shtëpi me qira në një nga lagjet periferike të Tiranës. Pasi kanë parë shtëpinë, ato kanë hipur në një autobus të një prej linjave urbane që operojnë në kryeqytet për të udhëtuar drejt qendrës së Tiranës.
Sapo kanë hipur në autobus, një burrë i moshës 50 vjeç është afruar drejt tyre. Sipas gjykatës, i pandehuri F. L. ka filluar t’i ngacmojë dy motrat, duke bërë gjeste të ndryshme me duar dhe me sy.
Sipas deklarimeve të dhëna gjatë hetimit të çështjes, vajzave të ngacmuara u ka ardhur në ndihmë një prej pasagjerëve të autobusit. Pasi ka parë veprimet e 50-vjeçarit, ai është afruar për të mbrojtur vajzat dhe njëkohësisht ka telefonuar policinë.
Ky veprim nuk është pritur mirë nga ana e të pandehurit F. L., i cili e ka kërcënuar verbalisht djalin që u ka dalë në mbrojtje dy të dëmtuarave. Ai i ka shoqëruar fjalët edhe me veprime, duke çuar dorën pas brezit, sikur kishte një armë, si dhe ka tentuar ta godasë të riun.
Në pak minuta, autobusi ka mbërritur në qendër, ku në stacion janë shfaqur dy punonjës të policisë, që kanë bërë shoqërimin e të pandehurit. Njëkohësisht, për llogari të çështjes janë marrë edhe deklarimet e dy vajzave, si edhe të djalit që iu gjend atyre në ndihmë.
“Isha i dehur”
Gjatë gjykimit, i pandehuri F. L. ka mbajtur qëndrim pohues. Ai ka pranuar akuzën e ngritur nga prokuroria dhe ka treguar pendesë të thellë për veprimet e kryera, duke kërkuar një dënim sa më të butë nga ana e trupit gjykues.
Përmes avokatit të tij, ai ka pretenduar se kishte qenë në gjendje të dehur ditën e ngjarjes dhe se nuk kishte qenë i përgjegjshëm për veprimet që kishte kryer.
Njëkohësisht, avokati i ka kërkuar gjykatës të mbajë parasysh moshën e pandehurit, pendimin e tij të thellë, disa probleme shëndetësore të tij, si dhe gjendjen e rënduar ekonomike, pasi është i vetmi person që punonte në familje.
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/