Në 21 Maj 2002, kryetari aktual i Bashkisë së Poliçanit, Adriatik Zotkaj është dënuar nga gjykata e Tiranës me 1 vit burgim për veprat penale të kryerjes së veprimeve arbitrare si edhe për falsifikim të dokumenteve shkollore.
Referuar vendimit, të siguruar nga “BalkanWeb” mësohet se dënimi ndaj Zotkaj është marrë pas kallëzimit të një vajze e cila e akuzonte për ngacmim seksual.
Aso kohe ai ushtronte funksionin e shefit të Rendit të Gramshit, dhe sipas vendimit të gjykatës të afërmit e vajzës i kanë kërkuar që ta linte rehat të renë por ai edhe pasi ua kishte premtuar këtë gjë, “nuk ka hequr dorë nga rruga e nisur”.
foto dokumenti
Për këtë arsye, “Ferdinand Dusho që është djali i dajës së kallëzueses, është takuar me të pandehurin (Adriatik Zotkaj) dhe e kanë lënë të takoheshin në Tiranë me të atin e vajzës dhe disa miq të tij që ta mbyllnin përfundimisht këtë problem. Por i pandehuri (Adriatik Zotkaj) nuk ka shkuar në takim duke detyruar dëshmitarët Ferdinand Dusho dhe Dritan Çela që të shkonin në Gramsh ku i pandehuri kryente detyrën e shefit të rendit, për ta takuar”.
Mandej në vendimin e gjykatës sqarohet se “në qytetin e Gramshit i pandehuri dhe dëshmitarët janë takuar në një lokal dhe pas një debate janë ndarë dhe dëshmitarët janë nisur për në Durrës, ku dhe punon. Sapo kanë arritur në Llixha dhe janë ulur në një lokal për të ngrënë, dëshmitarët kanë vënë re forca të shumta policie që drejtoheshin nga i pandehuri (Adriatik Zotkaj), të cilat i kanë shoqëruar me forcë dëshmitarët duke i keqtrajtuar, megjithëse ishin punonjës policie. Në komisariatin e Policisë Gramsh, dëshmitarët janë mbajtur disa orë të izoluar me urdhër të të pandehurit. Gjithashtu ka rezultuar se i pandehuri nuk ka mbaruar shkollën e lartë në Universitetin “Aleksandër Xhuvani’ në Elbasan dhe diploma që ai ka paraqitur në dosjen personale është falsifikuar”, thuhet në vendimin e gjykatës.
Sipas vendimit, mësohet se Adriatik Zotkaj, ka bërë Universitetin fillimisht (Viti 1992), pastaj shkollën e mesme (viti 1995).
“Cilësimi juridik që u ka bërë veprave penale organi i prokurorisë është i drejtë, sepse i pandehuri në funksion shtetëror jo vetëm që ka dhënë urdhra, por ka kryer dhe vetë veprime arbitrare ndaj dëshmitarëve Ferdinad Dusho, Dritan Cela dhe shtetasit Agim Neza”, citojmë nga vendimi i Gjykatës së Tiranës që ka dënuar me në 21 maj 2002, kryebashkiakun aktual të Poliçanit me 1 vit burgim.
Ndërkohë Adriatik Zotkaj, sipas dëshmisë së penalitetit, është dënuar 5 herë me vendime penale. Në vitin 1985 nga Gjykata e Skraparit për akuzën e “fyerjes dhe goditjes për shkak të detyrës”.
Në vitin 1992 Gjykata e Korçës e ka dënuar me 3 vjet burg për akuzën e “shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor”.
Për të vazhduar në vitin 2001 po gjykata e Skraprarit e ka dënuar me 10 muaj burg për kundërshtim të forcave të rendit. Më pas në vitin 2002 Gjykata e Tiranës e ka dënuar me 12 muaj burg për veprime arbitrare dhe falsifikim të dokumenteve dhe një vendim tjetër i gjykatës së beratit që mban vitin 2006.
Në bazë të ligjit të dekriminalizimit, Prokuroria e Përgjithshme ka kërkuar aktualisht ndërprerjen e mandatit të kryebashkiakut të Poliçanit me argumentin se ka fshehur pikërisht vendimin gjykatës së Skraparit që mban vitin 1985, ku Zotkaj është dënuar për 4 muaj në riedukim për të kryer punë publike.
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/