Kryeministri Edi Rama në komunikimin e tij të përjavshëm në Facebook e ka… komentuar shkarkimin e katër ministrave të PS-së, Tahiri, Beqaj, Çuçi dhe Klosi, si një lëvizje në funksion të fushatës së ardhshme elektorale të PS-së. Dukej hapur se komenti i kryeministrit kërkonte të perturbonte domethënien e vërtetë të shkarkimit të katër ministrave të tij, e cila në thelb është kjo: protesta e opozitës i ka dhënë të çarën e parë kupolës mafioze të pushtetit. Edi Rama, kryeministri i Shqipërisë, është detyruar për shkak të presionit të “çadrës” të shkarkojë dy nga ministrat më të përfolur për korrupsion dhe lidhje me krimin e organizuar në Shqipëri, Saimir Tahirin dhe Ilir Beqajn, i pari i akuzuar si përgjegjës për kanabizimin e Shqipërisë, ndërsa i dyti i akuzuar për ngritjen e një sistemi të tërë korruptiv që ka gllabëruar miliona fonde publike të investuar në sektorin e shëndetësisë. Dy ministrat e tjerë Klosi dhe Çuçi, edhe pse nuk i përkasin të njëjtës kategori me ministrat Tahiri dhe Beqaj për sa i përket përfshirjes në krimin e organizuar dhe në përvetësimin e fondeve publike, janë bërë pjesë e katërshes së ministrave të shkarkuar, për të fshehur arsyet e vërteta të shkarkimit të të parëve dhe për ta paraqitur atë si një lëvizje në funksion të fushatës elektorale të PS-së.
Pavarësisht se Rama do ta shesë këtë ngjarje si nevojë elektorale, dhe mbështetësit e tij mediatikë si pasojë e presionit të Metës apo të faktorit ndërkombëtar, ajo është meritë e protestës së opozitës, edhe pse nuk duhet konsideruar si ndonjë fitore e madhe. Kujtojmë për ata që e kanë kujtesën e shkurtër, apo që duan t’ia fshijnë kujtesën publikut, se vetëm katër javë më parë, kur opozita ende nuk e kishte nisur aksionin e vet politik të protestave, shoqëria shqiptare ishte në një dinamikë politike krejt tjetër. Rama ishte në kulmin e arrogancës së tij politike dhe jo vetëm që nuk pranonte kanabizimin e shoqërisë, por edhe tallej me këdo që e përmendte një fakt të tillë. Të njëjtën gjë bënte edhe për akuzat ndaj ministrit Beqaj. Ndërkombëtarët ishin edhe para katër javësh, por presioni i tyre ndaj dukurisë së kanabizimit ishte fare i dobët. Madje, disa prej tyre në disa prononcime publike e anashkalonin këtë problem, ndërkohë që të tjerë e relativizonin. Ilir Meta, përmes ministrave dhe deputetëve të tij, po para katër javësh tentoi t’i bënte presion Ramës për Tahirin duke e akuzuar drejtpërdrejt Ministrinë e Rendit si të shkrirë me narkotrafikun, por në vend që të shkarkohej Tahiri, u shkarkua ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani, akuzuesi kryesor i ministrit Tahiri. Kjo vetëm katër javë më parë ose më saktë para 18 shkurtit.
Qe protesta masive e 18 shkurtit ajo që e shtroi para shoqërisë shqiptare rrezikun në gjithë përmasat e tij. Qe zbritja në shesh e popullit opozitar që tronditi për herë të parë kupolën e mafias. Më 18 shkurt, Lulzim Basha e vendosi shtatoren e tij opozitare përballë kryeministrit. Qe ky aksion dhe kjo çadër që shkundi vetë opozitën duke e nxjerrë atë nga skutat e pesimizmit dhe bjerrakohës, që e nxori PD-në përtej intrigave meskine të elitës së vet politike të çorientuar, të konsumuar, të dorëzuar, të degraduar. Në limitet e fundit, Basha e kuptoi rrezikun dhe iu drejtua demokratëve dhe jo demokratëve, qytetarëve të Shqipërisë. U bë lider, ringjalli partinë e tij dhe shpirtin opozitar, vrau frikën e një shoqërie të poshtëruar, të manipuluar dhe të trysnuar nga një pushtet të bërë njësh me krimin. Gjithë këto javë kemi parë se si çadra metaforike e Bashës është vizituar, anatemuar, përqeshur, lavdëruar. Intelektualët janë ndarë në pro dhe kundër çadrës. Ata që e kanë mbështetur atë janë anatemuar dhe sulmuar nga tufa e shërbëtorëve, përfituesve apo adhuruesve të pushtetit. Kemi parë se si ata që nuk i kanë thënë një fjalë në këta katër vjet kryeministrit Rama për gjithë dështimet, fyerjet, paaftësinë dhe kursin e rrezikshëm ku e ka futur shoqërinë shqiptare në këta katër vjet, kanë organizuar kryqëzata të tëra me fyerje dhe shpifje personale për gazetarë, profesionistë dhe akademikë që e kanë mbështetur me fjalën dhe praninë e tyre aksionin opozitar. Kemi parë se si anonimët, askushët, servilët dhe përfituesit klientë të qeverisë i janë sulur akademikut Artan Fuga me fyerje dhe shpifje të ulëta vetëm si e si ta bëjnë të heshtë atë dhe të tjerë që nuk heshtnin edhe kur në shoqërinë shqiptare po vendosej kodi mafioz i heshtjes. Çadra e ka bërë të paktën gjysmën e shoqërisë shqiptare ta thyejë kodin e heshtjes, ka bërë aleancë me ata që nuk heshtnin dhe që nuk heshtin. Çadra pra u vendos përballë kupolës dhe kjo në vetvete qe një rezultat, një përfitim për shoqërinë shqiptare. Tashmë kemi rezultatin e dytë. Rezultat modest, por gjithsesi është një i dytë. Natyrisht opozita nuk duhet të kënaqet, as të festojë për këtë. Lulzim Basha ka premtuar nga çadra zgjedhje të lira dhe republikë të re. Ai nuk ka premtuar heqjen e një, dy, tre apo katër ministrave të PS-së. Tani për tani ai e ka ndryshuar statukuonë, ka goditur sigurinë dhe arrogancën e pushtetit politik dhe mafioz, ka dhënë shpresa se gjendja nuk është e pashpresë. Nëse ai i jep Shqipërisë një opozitë të re, një republikë të re dhe një lider të ri, kjo mbetet për t’u monitoruar në ditët në vazhdim. Duke e ngritur shtatoren e tij përballë kupolës, ai e ka rrethuar kupolën. Nga brenda kupolës po ia ndiejnë rrezikun. Kjo është merita e çadrës.
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/