Përballë fasadës së institucioneve që lëngojnë, opozita po ofron alternativën e autoritetit moral të bashkimit popullor të të papërfaqësuarve, të të pakënaqurve dhe të ithtarëve të ndryshimit. Me afrimin e shpejtë të 18 qershorit, intransigjenca e Edi Ramës do shpejtojë fermentimin e strukturave të dypushtetit. Është një gjendje e përkohshme dhe e provuar edhe gjetkë. Kur institucionet e pushtetit bëjnë sikur funksionojnë, por në fakt janë veç hanxharë e mekanizma për të vjedhur e për të shtypur kundërshtarët politikë, llogorja tjetër do të formalizohet dhe tek propozimi i opozitës për krijimin e Komiteteve për Shpëtimin e Zgjedhjeve të Lira shihet zanafilla e strukturave të pushtetit paralel.
Ky pushtet i ri ka një kredo të fortë morale, pasi po mbruhet nën idenë e mbrojtjes së zgjedhjeve të lira dhe do të vijë duke u forcuar, sa më shumë arroganca e Edi Ramës do vijë duke u bërë e verbër, në përpjekje për të ruajtur status-quo-në. Kasnecët e kryeministrit e kanë shpallur objektivin e mbramë të ëndrrës kryeministrore, është ai i emërimit të një opozite të re pas 18 qershorit, me të cilët të mund të luajnë pa andralla lojën e pluralizmit, krejt siç e kishte imagjinuar dikur Ramiz Alia për partinë e tij, kur levat e partisë i kandisi të paraqisnin kandidatë në zgjedhjet e 1991-it. Për këtë objektiv projekti ka ecur, duke sponsorizuar fort PDIU-në si një “opozitë imediate” dhe Bamir Topin si një fasadë djathtiste për të ardhmen. Të njëjtët “inxhinierë” të këtij procesi përkujdesen edhe për të kujtuar se pasoja e vetme politike e 18 qershorit, përveç “vetëvrasjes së opozitës” do të ishte edhe defaktorizimi i LSI-së.
Përballë “objektivave madhorë” të kësaj ëndrre, opozita flet për një republikë të re, e cila s’do të lejojë më “barkderra” që nginjen me djersën e shqiptarëve dhe duke i marrë pa teklif e llogari paratë e taksapaguesve, direkt nga buxheti i shtetit. Një drejtësi e re sociale dhe një distancim nga “republika aktuale e vesit” të kanabisit është e gjithëmbështetshme dhe ka radhë ndër intelektualët dhe njerëzit me ndikim në opinion për t’iu bashkuar “kauzës së çadrës”. Kjo mbështetje mençurisht është vendosur të kanalizohet në struktura të vërteta që fillimisht do quhen Komitete për Votën e Lirë, por më vonë do të marrin edhe funksione të tjera, në varësi të paralizës që do të lëngojnë institucionet e fasadës shtetërore.
Po të mendosh se prej këtyre strukturave do të lëshohen më vonë edhe thirrje drejtuar shqiptarëve për të ndërprerë bashkëpunimin me strukturat e tatim-taksave, e ndoshta edhe për ngritjen pranë tyre të “krahut financiar” të Komitetit, “krahut politik”, “krahut të sigurisë”, tollovia e 18 qershorit do të zyrtarizonte apriori dypushtetin.
Gjithsesi do të ishte një Dypushtet i përkohshëm. Përderisa institucionet aktuale të shtetit s’gëzojnë kurrfarë kredoje morale dhe qëndrojnë në këmbë në sajë të kontratës publike që respektojnë shqiptarët, pas 18 qershorit, edhe kjo fasadë do të grisej, për shkak të zgjedhjeve moniste dhe gjasme-opozitës së re. S’do të ishte fare e nevojshme të kultivohej gjatë një përplasje qytetare e strukturave të dypushtetit. Fasada është fasadë dhe do të binte përpara rënies së parë të gjethit. Shembujt e historisë flasin se fasada asnjëherë s’ia del të triumfojë, prandaj mbetet veç të vëzhgohet sa i vendosur do të jetë kryeministri i fasadës t’i shkojë deri në fund turpërimit të vet.
E duke marrë vesh prej kohësh se arroganca e ka verbuar dhe rretherrotull s’ka tjetër veç pengmarrës politikë, financiarë e kriminalë, Edi Rama është i dënuar t’i avitet 18 qershorit symbyllur e të dalë prej andej si dash kurbani për një pakt të ri kombëtar. Ai do të shënonte formalisht edhe fundin e dypushtetit që po “sodisin” disa syresh ditët e sotme.
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/