Dy vëllezër janë shtangur kur kanë dëgjuar nga goja e një zyrtari shtetëror se problemi i tyre mund të zgjidhej me Kanun!
Muharrem dhe Gjergj Kuçana, me origjinë nga Tropoja dhe banues të Tiranës, kanë shkuar pranë Sekretariatit Teknik të Komisionit Qeveritar të Tokave, për të zgjidhur një problem kufijsh mes fshatrave Rragam dhe Sopot në Tropojë.
Kanë takuar drejtorin Ndrec Deda, me origjinë nga Puka, me shpresën se do t’i jepte zgjidhje problemit të tyre me djemtë e tezeve.
Vëllezërit Kuçana i thanë “Fiks Fare” se kushërinjtë e tyre banojnë në fshatin Rragam, por u kanë marrë shtëpinë dhe një pjesë toke në fshatin Sopot. Këtë problem ia thanë edhe z.Deda, duke biseduar gjerë e gjatë.
Pas debateve teknike për hartat, vendimet e komisioneve lokale, z.Deda u ka kërkuar vëllezërve Kuçana që t’i çojnë fjalë çunave të tezeve, t’i takoj ai (të bëjë pajtimtarin!).
“Masandej, deri aty more burri i dheut me e organizuar me gurë dhe kufi me be’, siç është zakoni i vjetër. Zgjidheni me be’ problemin, o i bëni be’, ose t’u bëjnë be’” i thotë ai.
“Problemin zgjidheni me Kanun”
Në redaksinë e emisionit “Fiks Fare” mbërriti një ankesë nga z.Muharrem Kuçana. Ai pretendonte se kushërinjtë që banojnë në fshatin Rragam në Tropojë i kanë zaptuar një shtëpi që e kanë në fshatin Sopot.
“Nuk e kemi zgjidhur dot këtë problem, po bëjmë vite. Kemi shkuar në komisionet vendore në Tropojë, Kukës dhe tani në Tiranë. Nuk duam të hapim proces gjyqësor, toka dhe shtëpia është e jona. Kemi shkuar edhe në Inspektoriatin Shtetëror të Tokave, pranë Sekretariatit Teknik, ku kemi takuar drejtorin Ndrec Deda. Ai na ka thënë se çështjen duhet t’a zgjidhim me Kanun”, thotë për “Fiksin”, Muharrem Kuçana, mësues i fizikës.
Sipas tij, hartat nuk lëvizin. Gazetarët e pyesin se çfarë i tha konkretisht z.Deda. “Më tha të këshilloj, je malësor nga Tropoja, keni një Kanun atje, t’a zgjidhni me burra Krasniqi apo Gashi. Këtë bisedë e kam bërë në vitin 2016 në zyrën që ndodhet te 21 dhjetori. Ai prapë insistonte ta zgjidhim me Kanun”, thotë Kuçana.
Gazetarët e pyesin si do e zgjidhin këtë problem, me Kanun apo në rrugë shtetërore. “Zgjidhja është e qartë, bëhet fjalë për një kufi të vendosura në vitin 1978, zgjidhja është e qartë për njerëz që kanë 5 parë në kokë. Është e thjeshtë, një ushtrim matematikor. Zgjidhje tjetër me ndërhyrje nga lart dhe në forma të tjera nuk ka. Absolutisht se kemi për të zgjidhur në mënyra të tjera, kemi përjashtuar edhe djemtë. Duam ta zgjidhim sipas ligjit, sipas rregullave. Mbas një brezi bëhet e vështirë, ne kemi 53 nipër e mbesa, ata kanë 30 e ca, atëherë zgjidhja do jetë e vështirë dhe mendoj të zgjidhet në kohën e duhur të shmangen telashet e tjera”, përfundon z.Kuçana.
Biseda mes Dedës dhe Kuçanës në zyrën shtetërore
Krahas pretendimit, vëllezërit Kuçana thanë se kanë prova për bisedën me z.Deda. Ata kanë regjistruar të gjithë debatin, të zhvilluar vitin e kaluar.
“Ty të intereson që të vihet kufiri siç ka qenë në bazë të fshatrash, që trashëgimtarët tuaj nesër pasnesër mos të kenë probleme me kufijtë me the të thash. E di që jeni sjellë kaq vitesh rrugësh, sepse u ka ecur ters a mbrapsht”, u thotë Deda dy vëllezërve.
Gjatë një momenti, Deda ndërhyn sërish, duke u thënë se bisedën ta bëjnë me radhë. “Kështu na është bërë zakon ne malësorët. Ma Kanunin e Lekës, nëqoftëse futesh jashtë radhës në bisedë gjobitesh. Nëqoftëse flet me zë të lartë si puna ime, që jam mësuar në kooperativë bujqësore, gjobitesh. Nëqoftëse shan kënd, fyen kënd, gjobitesh. Pra janë norma që tash 500 vjet, pra t’i zbatojmë edhe ne që jemi në një kohë shumë progresiste. Mos t’i harrojmë të mirat e asaj kohe, t’i veshim të mirat e kësaj kohe dhe të dalë tamam buka”, u thotë ai.
Më pas, del direkt në temë: “Nuk dua të di sa tokë ke, as se do lësh shtëpi aty. Mua më intereson kjo; ky demeneku jot i malësorit, se ne e kena me demenek or ti. Kjo mosmarrëveshja me veten time, që fëmijët e tezes dhe djalin e axhës, pra kjo është pjesa më e dobët, më e vështirë, pjesa më e rëndë, që është shumë e vështirë të përballohet, s’është kollaj me rrok pushkën, se plumbi të shpon gishtin… Neqoftëse do ta keni të mundur, të më gjeni ndonjë njeri të atyre djemve të tezes, jo të drejtpërdrejt, ta takoj dhe atë”.
Në vijim, zyrtari shtetëror e mëson qytetarin si duhet të praktikojë Kanunin në ditët e sotme. “Masandej, deri aty more burri i dheut me e organizuar me gurë dhe kufi me BE (i bie tavolinës me grusht), siç është zakoni i vjetër. Zgjidheni me be’ problemin , o i bëni be’, ose t’u bëjnë be’. Se keni 7, 10 vjet, rrugëve kot rrini. Ik zgjidheni me be’. Ju keni pasur gjithë atë binakali, merrni pleqtë e Krasniqit, Gashit, futini brenda, bëni me be’ dhe jepini drejtim dhe mos bëni përralla se me fëmijët… Vëri kufirin ti, nëse kufiri ta lë shtëpinë atje, do të japë edhe ndonjë lekë, në të kundërt do t’i çoj në gjyq, në të kundërt shtëpia del te kufiri dhe jena në rregull bashkë. Vërë njëherë kufirin të lutem shumë, Muharrem mësuesi… Se na ke mësuar ti, vërë njëherë kufirin dhe niseni problemin me be’ se u ka me dalë më mirë”.
Qytetarët i thonë se topografia është shkenca ekzakte. “Të dy fort, të dy fort, hiq dorë nga topografia… Nëse, nëse e ka lyma, zgjidheni me zakon të vjetër”, përfundon z.Deda.
Ndrec Deda: Ua kam thënë, jashtë funksionit!
Gazetarët e Fiks Fare intervistuan z.Deda në zyrën e tij, pranë Sekretariatit Teknik të Komisionit Qeveritar të Tokave.
Pyetjes se, përse i ka adresuar dy vëllezërit ta zgjidhin çështjen me Kanun, ai përgjigjet se jo nuk është e vërtetë. Gazetarët i bëjnë me dije se vëllezërit Kuçana i kanë edhe një regjistrim të asaj bisede.
“I kam thënë jashtë ambientit zyrtar, i kam thënë një zgjidhje shoqërisht, i kam thënë nëse s’je dakord me vendimin e komisionit të tokës, nëse s’do gjesh dot shkresën, mund ta zgjidhësh shoqërisht, se ka burra të zgjuar për ta zgjidhur problemin. Ia kam thënë jashtë funksionit zyrtar timin, jashtë zyrës sime, që ka burra të zgjuar”, thotë ai, megjithëse e pranon se biseda është bërë pikërisht në zyrën e tij.
Gazetarët e pyesin përse nuk ia zgjidhën problemin në këtë zyrë. Ai tha se “nëse do të sillte vendimin e Parlamentit që zgjidhte kufijtë mes Sopotit dhe Rragamit, vendimi do të ishte në favor të tij”.
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/