Koço Kokëdhima rrëfen milionin e tij të parë

Koço Kokëdhima rrëfen milionin e tij të parë

87
0
Shares

Ish-deputeti socialist Koço Kokëdhima, tregon në “Xing me Ermalin” se si e ka bërë milionin e tij të parë të lekëve.

“U bëra privat që ditë e parë që mund të bëheshe. Ditën e parë e dekretoi presidenti i asaj kohe, të nesërmen unë nuk shkova më në punë shteti dhe dola privat. Kërkova një kredi dhe atëherë kredi ishte fjalë shumë e keqe. Nuk kërkohej as kolateral, asgjë. Unë mora 1 milionë lekë të reja, që ishin 100 mijë dollarë sepse me 10 lekë ishte dollari. E mora kredinë për një vit dhe e ktheva më shpejt se një vit. Pasi mora paratë, ua shpërndava 10 bashkëpunëtorëve të mi dhe u thashë që duhet t’i prishni sa më parë këto lekë, duke blerë çdo gjë materiale që ka një çmim, çfarë të gjeni blijeni”, ka thënë ai.

Më tej politikani shpjegon bashkëpunëtorët mbushën një magazinë me materiale.

“Ata blenë dru zjarri, kuzhineta, gurë, pjesë këmbimi dhe i futën në një magazinë të madhe me mallra. Ne e mbyllëm magazinën dhe pritëm. Për një periudhë prej shtatë-tetë muajsh dollari shkoi nga 1 me 10 lekë në 1 me 125 lekë. Çmimet e produkteve shkuan nga 100-fish deri në 800-fish. Kështu, fituam 1 milion dollarë neto dhe çfarë mbeti u la si mjet xhiroje për ndërmarrjen. Shfrytëzova inflacionin dhe rritjen e çmimeve të mallrave.”, shpjegoi ai.

Në fakt dollari fitoi vlerën e përmendur nga Kokëdhima jo në vitin 1991 por të paktën pas katër vitesh apo më shumë. Nga inflacioni shumë biznese humbën milionat e parë në lekë dhe falimentuan, ashtu si Kokëdhima besohet se përfitoi. Fitimet më të mëdha lidhen me transformimin e tij nga biznesmen në botues pas vitit 1997. Shumë kontrata të leverdishme me shtetin i përfitoi për shkak të ndikimit të gazetës në politikat qeveritare dhe zhvillimet brenda PS. Shpesh zbatimi i kontratave nuk kontrollohej dhe ndërkohë një privatizimi i mesëm dhe i madh që nisi me qeverinë e Fatos Nanos i dha mundësi Kokëdhimës që të përfitonte me cmime të lira asete të rëndësishme ekonomike si frigoriferi i Durrësit.

Politikani Koço Kokëdhima vijon të mbrojë tezën se vendi ynë duhet ta legalizojë sa më shpejt kanabisin. Në rrëfimin e tij në “Xing me Ermalin”, ish-deputeti ka sqaruar edhe motivet që e bëjnë të mendojë se shteti duhet ta marrë këtë nismë. “Nëse do të më kishin dëgjuar mua për çështjen e hashashit nuk do bëhej kështu si u bë. Si fillim duhet të marrë fund historia që të dënohen djem dhe vajza për përdorimin e hashashit. Kjo është ç’njerëzore, që ndodh në Shqipëri. Kur është legal për të gjithë mafiozët, trafikantët që mund të mbjellin fusha të tëra në 61 bashkitë e Shqipërisë dhe ne të vazhdojmë akoma të dënojmë njerëz që përdorin hashash është e palejueshme”, shprehet Kokëdhima.

Më tej ai sqaron se, “Hashashi nuk mund të jetë lumturia e trafikantëve, nuk mund të jetë shansi i trafikantëve dhe nuk mund të jetë kështu si është sot. Ne flasim për legalizim, por në fakt ai është legal, sepse kultivohet kudo. Hashashi farmaceutik duhet të jetë legal, sepse thuajse nuk ka vend në Europë, apo Amerikë që nuk e ka legalizuar hashashin farmaceutik”.

Sa i takon marijuanës, politikani beson se edhe shqiptarët duhet të shijojnë vetitë e saj çudibërëse, ndërsa thotë se, “Marijuana është një bimë e bekuar, pavarësisht çfarë tabushë ka rreth saj dhe gjithë kjo propagandë. Është një bimë e bekuar nga Zoti sepse ka aftësi shumë të shkëlqyera në ndihmë të njeriut. Me medikamentet e bëra nga marijuana kurohen 170 sëmundje, të cilat nuk kanë kura të tjera alternative. Nuk kanë të drejtë shqiptarët t’i kenë këto mundësi”.

Por si duhet të funksionojë prodhimi dhe shitja e tij? “Unë flas për një monopol shteti, i cili licenson prodhuesit dhe kontrollon prodhimin e tyre dhe menaxhon tregun. Siç ka ndodhur edhe me alkoolin dhe duhanin, zhduken rrjetet mafioze dhe funksionojnë ekonomitë shtetërore. Duhet të shporrim mafien dhe ekonominë kriminale të hashashit”, përfundon Koço Kokëdhima. Xing, Droni.al

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY