Nishani, takim me Kryeministrin gjerman të Hessen: Reforma në drejtësi, jo me...

Nishani, takim me Kryeministrin gjerman të Hessen: Reforma në drejtësi, jo me standarde të dyfishta

57
0
Shares

Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bujar Nishani, priti sot në një takim të veçantë Kryeministrin e Landit gjerman të Hessen-it, zotin Volker Bouffier, i cili po zhvillon një vizitë dy ditore në Shqipëri, në kuadrin e një turi rajonal.

Presidenti Nishani shprehu në mënyrë të veçantë mirënjohjen e Shqipërisë dhe shqiptarëve për miqësinë, ndihmën e drejtpërdrejtë dhe mbështetjen e vazhdueshme të Gjermanisë dhe gjermanëve, për zhvillimin e qendrueshëm ekonomik e social të vendit, si dhe integrimin në strukturat euroatlantike dhe ato evropiane. Duke iu referuar marrëdhënieve të shkëlqyera e të bashkëpunimit strategjik, Kreu i Shtetit e siguroi zotin Bouffier se mirënjohja ndaj Gjermanisë dhe popullit gjerman është gdhendur thellë në memorien e shqiptarëve.

Kreu i Shtetit përshëndeti interesin rajonal të zotit Bouffier, si dhe e konsideroi vizitën e tij në Shqipëri si shumë domethënëse e të rëndësishme për zhvillimin e marrëdhënieve mes Shqipërisë e një prej Landeve më të zhvilluara të Republikës Federale të Gjermanisë. Presidenti Nishani vlerësoi gjithashtu interesin e Landit të Hessen-it për të zhvilluar marrëdhënie të bashkëpunimit ekonomik e tregtar me Shqipërinë, si dhe për të mbështetur me projekte të ndryshme zhvillimore, ku një vlerë të veçantë marrin projektet për kthimin e shpresës dhe mbështetjen e perspektivës profesionale të të rinjve shqiptarë në atdhe. “Procesi i integrimit evropian, si projekti më madhor i vendit lidhet me arritjen e standardeve evropiane, ku krijimi i shpresës dhe mundësive për një jetë më të mirë në vend mbetet standardi themelor e që lidhet ngushtësisht me të gjithë elementet e tjerë të reformave që do ta afrojnë vendin me BE-në” – u shpreh Kreu i Shtetit.

Presidenti Nishani e njohu gjithashtu zotin Bouffier me reformat e gjithanshme e të pandalshme të ndërmarra nga institucionet shqiptare. Duke u ndalur në mënyrë të veçantë në reformën në drejtësi, Presidenti Nishani theksoi se është një ndër reformat më të thella e më të rëndësishme për të ardhmen e vendit, ku Gjermania, falë modelit dhe potencialeve të saj mund të japë një ndihmë konkrete. “Përmbushja e saj me sukses varet nga transparenca dhe aplikimi i një standardi dhe jo e standardeve të dyfishta. Vetëm kështu mund të rritet besueshmëria mes palëve dhe të përmbushet reforma me sukses.” – u shpreh Presidenti Nishani.

Nga ana e tij, zoti Bouffier, duke iu referuar potencialeve ekonomike e njerëzore të Shqipërisë, shprehu gatishmërinë e Landit që drejton për të qenë aktiv në mbështetjen e zhvillimeve në Shqipëri, si dhe krijimin e një klime të përshtatshme për kapitalet, ekspertizën dhe investimet gjermane në Shqipëri.

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY