Agron Gjekmarkaj
Hapi rrugë të marrit” thotë një shprehje popullore. Por burrat e motit tek mblidheshin nën hije të lisit ngeshëm e plot gojëtari, duke arritur në konkluzione të tilla sentenciale me faqore rakie në dorë, paksa të nevrikosur nga qimet e shajakut që i cimbisnin, nuk e kishin parashikuar rastin kur çmendet shteti, qeveria, ministrat dhe policia. Rradakja e tyre nuk e rrokte faktin kur i marri janë të gjithë ata bashkë. A u hapet gjithmonë rruga atyre, duke i mbyllur çdo rrugë dinjitetit të individit dhe të shoqërisë, është kjo një dilemë prej disa dekadash hallakatet këtij zabeli!? Policia politike e Edi Ramës dhe Saimir Tahirit tejkaloi imagjinatën me veprimin e së shtunës.
Ata, pasi kanë dështuar në luftën me krimin dhe drogën duke u shndërruar në kumbarë të tyre, filluan gjuetinë ndaj metaforave parabolike të Lulzim Bashës. Me ndershmërinë dhe delikatesën që i karakterizon ia propozuan prokurorisë për ndjekje penale se “paskësh nxitur” luftë. Një lajm i tillë në Europë qysh me rënien e Murit të Berlinit, kohë kjo kur përndiqeshin kundërshtarët politikë, befason dhe tërheq menjëherë kureshtje. Ende edhe në Turqinë e Erdoganit do të shkaktonte habi. Ai bëri xhiron e testatave kryesore mediatike të botës, duke dëshmuar kësisoj fytyrën e demokracisë shqiptare në kohën kur Kryeministër është Edi Rama. Shqipëria e ka paguar të kripur faturën në imazh dhe në standarde demokratike, kur ka guxuar të burgosë liderin e opozitës, ish-komuniste, Fatos Nano.
Shefin e socialistëve vërtet qeveria e kohës, kot t’ua lëmë fajin gjykatave, e privoi disa vjet nga liria, por e shndërroi në hero duke ia dorëzuar pushtetin pas vitit të rëndë 1997. Çdo krahasim çalon e ky ndërmjet Bashës e Nanos, në të dyja këmbët. Lulzim Basha nuk rrezikon asgjë në fakt, edhe për faktin se nuk ka bërë asgjë përveçse ka ushtruar retorikën politike në një shesh proteste. Nano u përfol për korrupsion dhe u gjykua për të, paçka se procesi ndaj tij dukej montazh politik dhe aspak bindës. Demokracia shqiptare me shefin e opozitës në burg, nuk ishte aspak shpresëdhënëse. Tani, mbi njëzet vite histori evolucioni politik, përsëri kryetari i opozitës kërcënohet nga qeveria. Ajo vetë ndihet e sikletosur nga protesta që iku dhe ajo që pritet. Qëllimi i saj i shpallur, dorëheqja e Kryeministrit dhe krijimi i një qeverie teknike për zgjidhje të lira e të ndershme i shfaqet si vetë mynxyra.
Një zell kësisoj të kujton vitin 1946, kur gjykohej dhe pushkatohej opozita, ka shtuar dilemat në është turp apo rrezik? Turp, vetëm turp është. Duhet të kalojnë shumë pengesa para se të shndërrohet në rrezik. Kryerilindasi këtë e di.
Edi Rama është i shqetësuar deri në kufijtë e panikut nga masa e madhe e shqiptarëve, e cila më 18 shkurt ia behu poshtë zyrës së tij, duke i pohuar me të thirrura se nuk duan ta kenë më të parë të vendit, ndaj kërkon të trembë atë që i mblodhi, Lulzim Bashën. Po mundohet që frikën e vet t’ia kalojë këtij të fundit. Një gjest ky absurd, i paligjshëm dhe me fund qesharak, i cili synon të trimërojë vetë urdhëruesin, shpurën, pazhet dhe froten që e rrethon me devocion mazokist.
Basha po ecën në rrugën e sfidës pa shfaqur ndonjë kokëçarje, madje as qejfmbetje për aktin e telendisur të Ramës dhe ministrit të tij, të cilit skuqjen dhe zverdhjen ia kanë zhvirgjëruar kartelet e hashashit. Gjithë sa i jep të drejtë Lulzim Bashës kur rrëfen faqe opinionit publik degradimin e pandalshëm të qeverisë dhe të vetë sistemit.
Për pak ditë thuhet se do të ketë shumë më tepër gjind në një tjetër demonstratë, e cila e përforcon qëndrimin politik të opozitës për moslejimin e zgjedhjeve me Ramën Kryeministër. Po atëherë, kë do të çojë për ndjekje penale, Jorida Tabakun? E gjora vajzë!
Ky grup që qeveris sot Shqipërinë ka frustime të mëdha politike e krahinore. Janë brezi i tretë i diktaturës komuniste, jehu i saj. Ata kanë përjetuar frikën e etërve dhe poshtërimin e tyre moral. Nuk janë rritur duke reflektuar, apo duke nxënë gjësend nga historia për t’u bërë më njerëzorë e me vokacion demokratik. Jo, përkundrazi me urrejtje për ata që iu vunë në diskutim, sundimin dhe pushtetin. Ndonëse ishin vërtet “këmbët që i ranë kokës”, u ndien aristokratët e këtij vendi dhe menduan e mendojnë se pushteti për ta është trashëgimi aristokratike. U duhet kujtuar se zbritën nga kreshpat në këtë qytet të butë, të cilit i rrëmbyen vilat e u rrasën në to bashkë me dhitë e tyre. Kështu, gjykimin ndaj krimit centimetër për centimetër e zuri rehabilitimi, justifikimi, krenaria për të.
Dhe ja ku jemi prapë sot. Shefi i opozitës shpallet armik dhe kërcënohet me ndjekje penale. Arrestojeni Bashën, çfarë prisni? Mos u bëni burracakë duke shfaqur veç atë që dëshironi, pa pasur kurajë ta bëni realitet. Arrestojeni, dënojeni pse jo, siç bënin gjyshërit e etërit pa gjyq dhe prisni me qetësi reagimin e popullit, nëse do t’ju duartrokasë duke kënduar “hakmarrje rini, dëshmori thërret!”.
Basha më shumë duhet të shqetësohet për “kantierin” politik që ka hapur në çadër, sesa për cicërimat shantazhuese të asaj pjese të policisë që verbohet nga urdhri politik. Ai (Basha) bëri mirë që u takua me protestuesit e Zharrëzës, duke kërkuar falje për faktin se halli i tyre nuk u zgjidh e as nuk u përmirësua gjatë tetë viteve qeverisjeje të PD-së, ndonëse kjo ishte një kontratë e lidhur nga qeveria Nano me “Bankers Petrolium”.
Që të jetë i besueshëm në këtë pikë duhet t’i bëjë disa pyetje publike pa ëmbëlsi ish-ministrit që mbulonte energjetiken në partinë e tij, pse kjo çështje mori këtë trajektore tragjike?!
“Republika e re”, ide së cilës zoti Basha po i kthehet shpesh këto ditë, nuk ndërtohet me qereste të krimbur e as me muratorë të lodhur e të pasuruar nga ndërtimi i së vjetrës. Në muzeun e “Republikës së vjetër”, si relikte studimi duhen varur në murin e kujtesës portretet e të gjithë ishministrave të PD-së (përjashto Halim Kosovën dhe Florion Mimën), ministrat e Rilindjes që nesër mund të bëhen ish, pa përjashtim, vetë Edi Ramën si përjashtim. Nëse Lulzim Basha e ka vërtet seriozisht idenë e “Republikës së re”, atëherë po që duhet arrestuar. Kjo është një ide subversive, për tjetër “mos t’ia ndijnë” thonë në Kosovë.
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/