Sa madhështore, sa marramendëse, kjo çadër e madhe para Kryeministrisë ku demokratët janë futur për të protestuar. Duke shetitur brenda asaj çadre, nuk të duket si çadër, të duket si Time Machine, si Makinë e Kohës. Nëse ke ndjeshmërinë e duhur dhe njeh Alfabetin e vuajtjes, po u fute brenda kësaj çadre, mund të udhëtosh në kohë, në të shkuarën, në të ardhmen. Mund të kthehesh dhjetra vite më parë, për shembull, kur babai i këtij Zotniut mbështetur pas murit duke tymosur duhan, megjithse e dinte fare mirë ç’bëhej këtu, erdhi diversant nga NATO, nga Gjermania. Jo për të kënduar e të kërcyer, apo për të ngrënë e për të pirë. Erdhi për të vdekur. Po ! Për rë vdekur për lirinë e Shqipërisë dhe shqiptarëve të marrë peng nga një çetë banditësh kriminelë vrasës. Në këtë çadër Makinë të Kohës po të kesh dëshirë gjithashtu mund të shtyhesh edhe nja dhjetë vite të tjera më thellë në histori, kur për të vetmen arësye se dinte gjuhë të huaja, varën në litar atë që nipi i të cilit këtu brenda kësaj Çadre tani po vozit në Internet.
Duke udhëtuar në kohë me anë të kësaj çadre, mund të shohësh me sytë e tu se si e pushkatuan dhe e hodhën në përrua duke e lënë pa varr për të vetmen arësye sepse kishte mbaruar universitet në Londër një shqiptar tjetër, atë mbesa e të cilit është ajo bukuroshja atje që po hargaliset me shoqet duke parë selfiet e njëratjerës në Fejsbuk. Nëse je i vëmendshëm, serioz, i përqëndruar, ke ndjeshmërinë e duhur, brenda kësaj çadre mund të udhëtosh dhe në të ardhmen. Këtë ta mundësojnë ato gocat e bukura veshur e krehur sipas modës që s’kishin lindur në 90-ën dhe s’e kanë idenë ç’tmerre kanë ndodhur këtu. Pyeti se ta tregojnë ato fijepërpe çfarë do ndodhi në Shqipëri në të ardhmen, edhe pas disa shekujsh, Kjo Çadër është edhe Sferë e Kristaltë që të përgjigjet me zë e figurë për gjithçka që ta pyesësh. Për shembull po ta pyesësh këtë çadër çfarë do ndodhi në Shqipëri pas disa muajsh, çadra të përgjigjet menjëherë në këtë mënyrë; Në qershor të këtij viti pushteti do kalojë nga kthetrat e bijve të majmur të etërve vrasës, nën urdhërat e atyre që e meritojnë, pra tek viktimat e tyre, idealistët konservatorë që kurrë nuk i kanë munguar Shqipërisë. Por më tepër se Makinë e Kohës dhe Sferë e Kristaltë, kjo Çadër është është tjetër gjë. Kjo çadër është Muze.
Jo muzeu i Bollinos ku ka vetëm hekura dhe drrasa, çengela dhe pranga, sende të ftohtë të pashpirt. Kjo çadër është muze prej mishi dhe gjaku. Djemtë, vajzat, gratë, nipat, mbesat, kushurinjtë dhe kushurirat e përndjekjeve dhe tmerreve diktatoriale, që janë mbledhur këtu për të protestuar kundër pushtetit, janë objektet e gjalla me shpirt njeriu të këtij muzeu. Të gjithë ata, po t’i pysësh nisin e përgjigjen imtësisht për gjithçka. Mos e bëj atë gabim. Nuk këshillohet t’i pyesësh. Po i pyete, nga tmerret që do të dëgjosh, sëmuresh përgjithmonë, të bie damllaja ose luan mendsh, kap çmendinën. Përveçse sa më lart, për ata që njohin Alfabetin e vuajtjes, kjo çadër është edhe libër Historie. Për shembull, përmes rrudhave të fytyrës së atij plakut që pasi ndejti në këtë çadër mbi 60 orë zgjuar tani e ka zënë gjumi, mund të lexosh shumë më mirë se në faqet e çdo libri, për vuajtjet, peripecitë, durimin, llaftaritë që ka hequr në dhjetra vite nga të zezat që ka hequr shqiptari nga shqiptari gjatë atij tmerrit të quajtur lufta e klasave. Ndërsa në zymtësinë e pamjes së asaj Zonjës së hijshme që rri mënjanë e vetmuar dhe gojëkyçur, lexon një nga një të gjitha stërlodhjet për mbijetesë, peripecitë e internimeve dhe burgimeve të familjes dhe fisit të saj.
Nëse inreresohesh të mësosh më tepër nga ky libër-çadër, ja ku e ke djalin e ish të burgosurit të cilit në tërë qënien, fytyrën dhe gjymtyrët, i lexohet padurimi për ta qeverisur Shqipërinë si duhet. Jo me nepotizëm, por me meritokraci. Jo me kaos, por me ligje që zbatohen, me rregulla që respektohen, dhe kurrën e kurrës me kanabis, kanabista, avionë që u thyhet rrota, e të tjera e të tjera. Kjo Çadër është edhe Kishë edhe Xhami ku besimtarët që vijnë, si të qytetarë të rregullt, të disiplinuar, besimplotë në institucionet, Altar dhe Minare, Prift e Hoxhë, kanë Kryetarin të cilin sigurisht e besojnë dhe i binden. Kjo Çadër është një Tempull brenda të cilit ndjehesh i lirë të shohësh, dëgjosh, ndjesh, gjëra që jashtë kësaj Çadre s’mundesh. Ç’mrekulli ky Tempull, kjo çadër plot me shqiptarë të vërtetë, shqiptarë të rreshkur, sfidues të budallenjve të bukur bij të etërve vrasës dalë nga mitra e përgjakur e diktaturës. (Ky artikull është shkruar posaçërisht për Albanian Free Press)
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/