I cilësuar si truri i grabitjeve, Admir Çerpija pranon përfshirjen në dy grabitjet e ndodhura në rrugën Qafë Kashar – Rinas.
Çerpija që njihet edhe me dy emra të tjerë, është treguar bashkëpunues me policinë dhe prokurorinë, duke treguar edhe vendin e fshehjes së parave. Të cilat, ashtu si Neim Avdulaj, i kishte groposur në oborrin e shtëpisë në Bathore.
Burimet thonë se Çerpija, ka treguar edhe emrat e personave me të cilët ka bashkëpunuar, si në vjedhjen e dhjetorit të 2015 ashtu edhe atë të datës 9 shkurt të këtij viti. Dëshmia e tij para grupit hetimor, thonë burimet, ka zbardhur dhe identifikuar edhe personat e tjerë pjesëmarrës në grabitje, të cilët janë shpall në kërkim.
Ndërkohë Prokuroria ka dorëzuar në gjykatë, kërkesën për vleftësimin e arrestit dhe caktimin e masës së sigurisë ndaj tij, ku është kërkuar që të caktohet masa e “arrestit me burg” deri në përfundim të hetimeve.
Nga ana tjetër, burimet thonë se pavarësisht gjetjes së tenxhereve të fundit të mbushur me para në oborrin e familjes Çerpija, në total shuma e gjetur deri më tani nuk arrin 400 mijë dollarë amerikanë. Edhe pse, në dy grabitjet sipas të dhënave të bankës, janë marr rreth 7 milionë euro.
Ndërkohë, gjatë marrjes në pyetje të 4 të arrestuarve që kanë mbajtur qëndrim pohues, Admir Çerpija, Fatjon Xhyli, Ditjon Memlika dhe Neim Avdulaj kanë pretenduar se një shumë të konsiderueshme parash, të fituara edhe në formë shpërblimi i kanë harxhuar në lojëra fati. Ndërsa i vetmi që mbetet në pozitat mohuese të përfshirjes së tij në dy grabitjet me armë, është I dyshuari Ernest Kupa.
Pavarësisht mohimit nga ana e tij, është i dyshuari Neim Avdulaj, ai që ka përfshirë Kupën në grabitjet e parave të bankave. Pasi gjatë dëshmisë, Avdulaj ka thënë se Admir Murataj, personi i shpallur në kërkim, në çdo takim me atë për marrjen e informacionit për lëvizjen e mjeteve të transpoprtit të parave, shoqërohej me Ernest Kupën.
Abc News ka siguruar deklarimet e Neim Avdulajt, i cili në një moment, shpjegon edhe bisedën me Admir Murataj, tek i cili hy garant për Fatjon Xhyliun dhe Ditjon Memlikën, që nëse kapen nga policia, do të duronin presionin dhe nuk do të tregonin. Premtim, i cili siç duket nuk është mbajt nga ish-efektivi i forcave komando Avdulaj dhe dy shokët e tij, Memlika dhe Xhyliu.
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/