INTERVISTA/ Fleckenstein: Blerja e votave më paratë e drogës, një problem...

INTERVISTA/ Fleckenstein: Blerja e votave më paratë e drogës, një problem për hapjen e negociatave me BE-në

75
0
Shares

Para vizitës sot në Shqipëri, eurodeputeti gjerman Knut Fleckenstein, raportues për Shqipërinë në Parlamentin Europian thotë për Deutsche Wellen, se zgjedhjet e qershorit janë moment kyç për hapjen e bisedimeve.

Zoti Fleckenstein, cili është qëllimi i vizitës suaj sot në Tiranë?
Knut Fleckenstein: Qëllimi është i trefishtë, së pari Parlamenti Europian sapo ka miratuar raportin e përgatitur prej meje. Për mua është e rëndësishme të flas me të gjithë aktorët aty, si shoqërinë civile ashtu edhe në politikë për të diskutuar për ato që thotë parlamenti. Këtë e pason qëllimi i dytë, natyrisht zbatimi konkret i reformës në drejtësi, kaq e rëndësishme për vendin, me qëllim që në vjeshtë të fillojmë, me shpresë, bisedimet e anëtarësimit. E treta lidhet me pritshmëritë tona lidhur me zgjedhjet, e në këtë kontekst do të kem me vete edhe rekomandimet e ODHIR-it.

Pas raportit tuaj duken se shanset janë shumë të mira…, apo priten edhe zgjedhjet…
Po qe se fillohet me zbatimin e reformës në drejtësi, pra nëse vihet në lëvizje procesi i Vettingut, shanset janë, sepse gati të gjitha fraksionet në parlament e kanë mirëpranuar se qeveria shqiptare dhe parlamenti kanë bërë shumë kohë e fundit për t’u zhvilluar në drejtim të Bashkimit Europian.

… por opozita në Shqipëri nuk e sheh kështu gjendjen. Të shtunën filluan protestat e opozitës që kërkojnë largimin e Ramës dhe qeveri teknike. Si i shikoni këto protesta. Opozita duket se nuk ka aspak besim te kjo qeveri për zgjedhje të lira…
Opozita e ka gjithmonë një frikë të tillë para zgjedhjeve. Se sa realiste është kjo, për këtë dua të krijoj një përshtypje, kur të jem këto ditë në Shqipëri. Sigurisht do të takoj edhe përfaqësues të opozitës.

Palët politike nuk e gjetën gjuhën e duhur për reformën zgjedhore para zgjedhjeve. Problemet e zgjedhjeve e kanë shoqëruar demokracinë në Shqipëri gjithmonë, por kësaj here opozita ngre shqetësim të madh blerjen e votave, sipas saj me paratë e drogës dhe krimit. Këto janë akuza shumë të rënda…
Po, por kjo akuzë duhet të provohet fillimisht, e është gjithmonë e vështirë ta bësh këtë para zgjedhjeve. Por të gjithë ata që marrin pjesë në këto zgjedhje duhet ta dinë, se nëse këto zgjedhje nuk zhvillohen me korrektesë, atëherë do të ketë një problem për hapjen e negociatave me BE-në. Prandaj do të varet shumë nga ajo se sa palët në zgjedhje do t’i respektojnë rregullat e lojës që njihen në Europë për zgjedhje të lira e të ndershme.

Ky pretendim është i vjetër sa demokracia në Shqipëri, të dyja palët thonë duam zgjedhje të lira, të dyja akuzojnë njëra-tjetrën se nuk i respektojnë rregullat e lojës, se kanë bërë manipulime…
Po, e vërtetë, por duhet të themi se me kalimin e viteve ka pasur përmirësime, kësaj here është shumë e rëndësishme, prandaj do të dërgohen edhe shumë vëzhgues zgjedhorë nga vetë vendi, por edhe vëzhgues të huaj, të cilët do të ndjekin me shumë  kujdes se çfarë do të ndodhë para zgjedhjeve e në ditën e zgjedhjeve.

Pra vlerësimi i zgjedhjeve është moment vendimtar…
Natyrisht kjo është shumë e rëndësishme, nuk mund të fillosh me implementimin e reformës në drejtësi dhe të bësh zgjedhje jo demokratike dhe jo duke respektuar kriteret ligjore. Kjo do të ishte një shenjë, se Shqipëria nuk është ende gati për fillimin e bisedimeve të anëtarësimit. Është e rëndësishme që në lista të mos gjenden kandidatë me të shkuar kriminale, të mos blihen votat. Para të atyre që kultivojnë drogën ka, këtë e di, por ato nuk duhet të përdoren për gjëra të tilla. Por kam edhe dyshime që ky është një problem vetëm i njërës anë. DW

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY