Zbulohen të tjera detaje për vetëvrasjen e 23-vjeçarit Napolon Luca në qelinë e burgut 302 në Tiranë. Familjarët akuzojnë shtetin për vdekjen e tij, pasi sipas tyre, 23-vjeçari kishte shfaqur shenja depresive gjatë kohës që ndodhej në burg, por nuk i është dhënë ndihma mjekësore. Prindërit dhe vëllezërit e tij shprehen se Napoloni ishte futur në qeli sepse kishte shfaqur shenja dhune dhe është mbajtur i izoluar pa iu afruar asnjë ndihmë.
“E vrau shteti”, shprehen me lot në sy prindërit e 23-vjeçarit Luca.
Ata thonë se kanë shkuar vazhdimisht te drejtoria e burgut 302 duke i kërkuar drejtorit që ta dërgojë djalin në spitalin e burgut sepse ai kishte shfaqur kriza nervore, por ata nuk e kanë dërguar në spital, por e kanë mbajtur të izoluar në qeli.
Luca e ka përjetuar keq burgosjen nën akuzën e vjedhjes së një banese në Tiranë. Bashkë me të u arrestuan edhe dy vëllezërit e tij, por pas lirimit të tyre gjendja e Napolonit u përkeqësua edhe më shumë. Ai rrinte i veçuar dhe i mbyllur në vetvete. Në një rast ka qëlluar me grusht një polic burgu dhe që nga ajo ditë është futur në izolim në qeli derisa i dha fund jetës duke u vetëvarur.
Edhe pse drejtuesit e burgut e dinin që Luca vuante nga depresioni, atij nuk i është dhënë asnjë trajtim nga mjeku i burgut dhe as nga psikologja e burgut.
Familjarët shprehen se nëse ai do të ishte dërguar për kurim në spitalin e burgut nuk do të kishte ndodhur vetëvrasja.
Ndërkohë, mjekët e QSUT bëjnë të ditur se i burgosuri kishte vajtur pa shenja jete në spital.
I riu 23-vjeçar Napolon Luca u arrsetua më 14 Shkurt, së bashku me 2 vëllezërit e tij për vjedhjen e një banese në rrugën “Princ Vidi” në Tiranë. Dy vëllezërit u liruan nga burgu ndërsa Napoloni u mbajt në qeli. Të shtunën rreth orës 02:30 të natës ai i dha fund jetës duke u vetëvarur me çarçaf në qelinë e burgut.
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/