AGRON GJEKMARKAJ
Më 18 shkurt, opozita ka paralajmëruar një protestë të madhe në Tiranë! Ndonëse Lulzim Basha nuk është shfaqur asnjëherë si një lider populist, populli i është përgjigjur aq herë sa e ka thirrur në kauzë. Më 8 dhjetor të vitit të kaluar u dyndën dhjetëra mijëra qytetarë nga të gjitha anët e vendit duke habitur mbështetësit, skeptikët dhe më shumë kundërshtarët.
Asokohe, ndonëse shenjat e dekompozimit të qeverisjes ishin në fillesë, dekompozimi i plotë e mbresëlënës për keq nuk kishte mbërritur ende me këtë fuqi topitëse që ka sot. Një vit më parë, gjysma e qeverisë nuk akuzonte haptas gjysmën tjetër në mënyrën më agresive të historisë sonë të re politike. Akuzat të rrëqethin mishin. Ato vërtiten rreth krimit, drogës, koncesioneve e mbi të gjitha, mbërrijnë te vjedhja e zgjedhjeve.
Tanimë moralisht kemi një qeveri të rënë, me urrejtjen, pusitë, spazmat, deklaratat e ndërsjella mes aleatëve PS dhe LSI si gjuhë komunikimi. Qysh atij moti, qysh para një viti, nën urën e kohës ka rrjedhur çmos. Arsyet për të protestuar janë shumëfishuar. Mundësia që protestuesit të jenë të shumtë është reale.
Qytetarët thërrasin në ndihmë kujtesën dhe u rezulton se Lazarati i vogël u mund dhe e gjithë Shqipëria u bë Lazarat, se u ndërtuan pista për transportin e drogës, dy avionë transportues u rrëzuan si dëshmi e gjithë asaj që po ndodh dhe tanimë dergjen mes drizave dhe lagështirës. Javën e fundit, mbi dhjetra tonë hashash u kapen në brigjet e Italisë. Paraja që përfitohet prej këtij trafiku mund të përdoret në fushatë, gjasat janë të shumta.
Territori rezulton të jetë totalisht jashtë kontrollit. Bankat vidhen si nëpër filma, duke sfiduar fantazinë e regjisorëve të Hollivudit. Vjedhja e fundit ngjan si shumë e çuditshme. Kuotat e Saimir Tahirit ishin shtrirë përdhe. Duhej një “fund i lumtur” që ato të ngriheshin paksa. Të gjithë u treguan bujarë me kronikën e “suksesit”! Qindra të dënuar ordinerë u falën pak kohë më parë me një nismë të qeverisë, të tjerë lirohen për “vullnet” të gjykatave. Ata kanë nevojë të shprehin mirënjohjen e tyre. Ndoshta 18 qershori është një rast i artë. Reformat e ndërmarra nga “Rilindja” kanë dështuar një e nga një, duke e bërë më të rrëmujshëm administrimin e vendit dhe më të zymtë perspektivën ekonomike.
Mbi 100 mijë veta kanë braktisur vendin, duke u strehuar në çadrat e emigracionit. Dyqind mijë vjet dhe treqind mijë këtë vit provuan fatin me lotarinë e pakët amerikane. Ëndrra e shumicës së popullsisë është emigrimi.
Reforma e territorit, shëndetësia falas, energjia, arsimi i lartë, fshati, “rilindja urbane”, 300 mijë vendet e punës janë premtimet e shndërruara në gënjeshtra që do të skuqnin çdokënd që i ka mbetur një fije cipë në grupin udhëheqës të maxhorancës. Edi Rama, prej kohësh monologon e ditë pas dite bëhet më kërcënues e fyes. Arroganca është lubrifikanti i tij. E ka mishëruar këtë ves me akte dhe fjalë.
Pak ditë më parë, ambasadori amerikan Donald Lu dha kushtrimin që zgjedhjet do të vidhen. Dy ministra të qeverisë, Manjani e Koka, bënë denoncime konkrete tejet preokupuese për çdo shoqëri normale. Perceptimi opozitar të lë të kuptosh se në zgjedhjet e qershorit ajo ndeshjen e ka me krimin dhe jo me qeverinë. Gjysma e qeverisë e pohon këtë. Si e tillë, kjo nuk është një përballje politike. Në të tilla rrethana nuk ka më vend për alternativa, programe individësh e partish. Egërsia e mujsharit e dominon trimërinë e qytetarit të zakonshëm dhe referencën e tij tek arsyeja. Të parin e mbron shteti dhe politika, të dytin askush. Drama është te krijimi i kësaj dikotomie në laboratorin e Qeverisë.
Basha, ndonjë javë më parë deklaroi se zotëron një dosje, një lloj harte të shpërndarjes në të gjithë Shqipërinë të kontingjentit kriminal, që do të përdoret në zgjedhje. Kjo do të shënonte orën më tragjike të demokracisë shqiptare, pikën e saj më kritike. Me gjasë, kryetari i PD-së nuk duhet të jetë shumë larg së vërtetës, nëse e ballafaqojmë këtë me kultivimin dhe eksportin e drogës në vend. Frika dhe presioni ishte karakteristike edhe e zgjedhjeve lokale të vitit 2015. Ky fakt u nënvizua edhe në raportin përfundimtar të OSBE-ODIHRit.
Në një situate të tillë, e vetmja që mund të reagojë dhe marrë vendime është shoqëria, secili prej qytetarëve të Republikës sipas proverbit “bashkimi bën fuqinë”. Ata kanë një alternativë, ose t’i kundërvihen kësaj gjendjeje të gjithë bashkë ose të dorëzohen para saj veç e veç, duke i rritur për shumë vite fëmijët e tyre në kënetën e frikës, banalitetit, kokuljes, korrupsionit, krimit dhe diktatit të të fortit të lagjes dhe të të fortit të qeverisë të projektuar te njëritjetri. Kjo do të ishte një demokraci e tipit çeçen. Tirana do të shndërrohej në Groznin e Europës.
Shkaqe për të protestuar në vendin tonë ka patur gjithmonë e shumë, por themelore sot mbetet liria për të patur një proces zgjedhor të ndershëm. Mbetet enigmë se çfarë Lulzim Basha do t’i propozojë masës së njerëzve që do të vërshojnë në Bulevardin e madh. Hipotezat janë disa. Së pari, Basha po ndërton një koalicion me njerëzit për të sfiduar kërcënimet që vijnë nga çdo cep i shtetit. E shtuna mund të jetë dita kur Lideri i karakterizuar nga edukata qytetare të shndërrohet në Liderin e sfidës, sipas moralit hebraik “dhëmb për dhëmb e sy për sy”! Gjithashtu, ai e ka të domosdoshme të shfrytëzojë atë mundësi të kontaktit direkt për t’u folur mbështetësve dhe shoqërisë për programin, ekipin dhe ndryshimin që mund të sjellë një ekzekutiv i drejtuar prej tij. Duhet të evidentojë qartë ndryshimin mes tij dhe Edi Ramës. Njerëzit duan të kuptojnë.
Ndonëse skenari i protestës nuk është publikuar, mbase qytetarët mund të ftohen për të qëndruar gjatë në shesh ose për t’u mbledhur shpesh para Kryeministrisë deri sa të përmbushen kërkesat e opozitës për një qeveri teknike që garanton standardet e zgjedhjeve politike. Gjithashtu, zërat që kërkojnë moshyrjen e opozitës në zgjedhje po shtohen. Kjo është një përgjegjësi e madhe, e cila po kaq të madh e kërkon konsensusin. Së pari, Basha ka nevojë të apelojë “popullin e tij”, pastaj të tjerët!
Mosplotësimi i kushtit për qeveri teknike mund ta spostojë opozitën drejt vendimeve radikale si bojkoti i zgjedhjeve, si e vetmja armë efikase në duart e saj. Vendim epik ky, mbarsur me enigma të mëdha.
Kësaj radhe, Lulzim Basha ndoshta i fton qytetarët për t’i bërë pjesë të një qëndrimi, të cilin ai duhet ta ketë përvijuar, por që nuk e merr dot i vetëm. Pas të shtunës, Basha do të jetë më i vendosur dhe më i motivuar për të mposhtur mëdyshjet e veta! Enigma ndaj kësaj proteste e bën shumë të gjatë kohën deri të shtunën.
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/