Pesë maji është afati i fundit për të dorëzuar në KQZ listat shumëemërore të kandidaturave për deputetë në zgjedhjet e 18 qershorit.
Pavarësisht kohës që ka ende në dispozicion për të qartësuar pozicionet e gjithsecilit dhe gjendjen e strukturave, Ilir Meta, përmes ndarjes së detyrave elektorale për njerëzit kryesorë të tij, ka krijuar projeksionin se kush do të jenë emrat që mund të kandidojë sipas qarqeve, raporton Shqiptarja.com.
Pjesa më e paqartë që ende nuk është bërë publike është kandidatura e vetë Ilir Metës. Burime brenda kësaj partie thotë se alternativa më e fuqishme është ajo e rikandidimit të tij si kryesues i listës në Tiranë, teksa një ide më e hershme, e kandidimit të tij në Durrës, duket se është lënë tashmë në plan të dytë. Një alternativë ngelet dhe Berati, qarku i vendlindjes së tij.
Tirana dhe Elbasani
Pavarësisht nëse do të qëndrojë në Tiranë, Meta e ka projektuar tashmë ekipin e tij në këtë qark. Emri kryesor është ai i Ministres së Integrimit, Klajda Gjosha e cila sapo u zgjodh si kryetare partie e njësisë numër një në Tiranë.
Sekretari i Përgjithshëm i LSI-së, Endrit Braimllari po ashtu është pretendent i fuqishëm për të qenë në pjesën fituese të listës së kryeqytetit, teksa pas një “eksperimenti” në Korçë, Meta e riktheu atë në Tiranë. Deputeti aktual, Ylli Shehu, i cili u zgjodh në 2013 nën logon e PR-së, mendohet se do të shpërblehet me një mandat të dytë në këtë qark nga Ilir Meta, duke justifikuar kalimin e tij nga PR në LSI.
Tirana ka një sërë pretendentësh të tjerë seriozë, si Erisa Xhixho, Kejdi Mehmetaj e po ashtu emra të rinj si ai i Brahri Shaqirit, Ilir Kullës dhe Dritan Yllit. Në qarkun e Elbasanit tashmë ka filluar punë Monika Kryemadhi, e cila ka filluar të ringrejë strukturat pas disa problemeve me drejtuesit lokalë.
Durrës dhe Fier
Qarku i Durrësit mendohet se do të kryesohet nga Lefter Koka, me anulimin e planit “Meta i pari”. Emra të tjerë të fuqishëm në këtë qark është dhe ai i Luan Duzhës apo drejtuesve të LRI-së. Në qarkun e dytë më të madh pas Tiranës, në Fier mendohet se do të kryesojë listën përsëri Petrit Vasili, i cili do të rimbajë në këtë strukturë Robert Bitrin.
Kandidaturë tjetër e lakuar është ajo e Ornela Muhametajt e cila edhe në zgjedhjet e shkuara ishte e treta në listë. Aktualisht ajo është shefe kabineti pranë ministrit të transporteve. Pretendent i mundshëm për këtë qark është edhe Spartak Braho, i cili më herët ka pasur një periudhë angazhimi në këtë qark. Nëse ai do të kandidojë do t’i besohet zona e Lushnjës, ndërsa nuk përjashtohet mundësia që ai të mos jetë më deputet pas rëndimit të gjendjes së tij shëndetësore vitin e fundit.
Berat dhe Korçë
Në Berat është e pasigurt nëse do të kandidojë Ilir Meta, por në krye të punëve përgatitore janë Silva Caka dhe Nasip Naço. Deputeti aktual Gledion Rehovica duket se nuk do të ketë besimin e Metës për një mandat të dytë. Në qarkun e Korçës, LSI ka ndryshuar mendim dy herë.
Fillimisht ai projektoi Klajda Gjoshën gjatë zgjedhjeve në Pogradec dhe Kolonjë, por më pas ndryshoi mendim duke e sjellë atë në Tiranë. Më pas Meta dërgoi atje Endrit Braimllarin, por në rivlerësim të situatës e ktheu përsëri në kryeqytet. Tashmë personi që drejton punën politike në atë qark është ministri i bujqësisë, Edmond Panariti, i cili po ashtu është me origjinë nga ai qark. Pjesë e listës mund të jetë sërisht biznesmeni Piro Kapurani.
Vlora dhe Gjirokastra
Pas divorcit politik me Shkëlqim Selamin (përpara se ai të humbiste mandatin) Meta ka angazhuar në Vlorë Prof. Dr. Shezai Rrokajn dhe ministrin e transporteve, Sokol Dervishi.
I pari është drejtues politik për rrethin Vlorë, ndërsa i dyti për të gjithë qarkun. Edhe pse të dy do të jenë kandidatë në atë qark, Meta i ka lënë në një garë të hapur, duke mos thënë se kush do të jetë kryesuesi i listës. Në qarkun Gjirokastër duket se nuk do të ketë surpriza. Vangjel Tavo mban “ekskluzivitetin” e atij qarku përsëri.
Lezha dhe Shkodra
Qarku i Lezhës është në ristrukturim pas largimit të Monika Kryemadhit nga administrimi direkt i kësaj zone. Emri suprizë i Metës për këtë qark burimet thonë se do të jetë kreu i grupit parlamentar, Luan Rama. Pozitat e forta i ka edhe deputeti aktual Gjovalin Kadeli, ndërsa një mundësi është vendosja në krye të këtij qarku të ish-ministrit të Drejtësisë, Ylli Manjani. Pjesë e listës mund të jetë dhe ish-kryebashkiaku, Viktor Tusha.
Në qarkun Shkodër duket se Meta do të surprizojë me një prurje të re nga jeta akademike. Bëhet fjalë për dekanin e Fakultetit të Infermierisë tek Universiteti Bujqësor, Luigj Turmalaj.
Ai u promovua si i atashuar tashmë në këtë parti në Konventën e së shtunës. Deputeti aktual Agron Çela duket se do të jetë në vendin e dytë, ndërsa zëvendës ministrja e arsimit, Nora Malaj mund të bëhet përsëri pjesë e listës.
Dibër, Kukës
Në Dibër LSI do të rimbajë strukturat me Përparim Spahiun, ndërsa nuk janë evidentuar persona të tjerë me pretendime reale. Në qarkun Kukës LSI nuk ka këto kohë ndonjë vëmendje të veçantë, pasi ky qark është vetëm me 3 mandate, çka dobësojnë mundësitë që LSI të ketë shanse reale. Kukësi ishte i vetmi qark ku LSI nuk mori asnjë deputet në zgjedhjet e vitit 2013.
Kandidatët e mundshëm nga LSI sipas Qarqeve
1. Tiranë Ilir Meta, Klajda Gjosha, Endrit Braimllari, Ylli Shehu, Erisa Xhixho, Kejdi Mehmetaj, Ilir Kulla, Bahri Shaqiri
2. Elbasan Monika Kryemadhi
3. Durrës Lefter Koka
4. Fier Petrit Vasili, Spartak Braho, Ornela Muhametaj
5. Berat Nasip Naço, Silva Caka
6. Korçë Edmond Panariti, Pirro Kapurani
7. Vlorë Shezai Rrokaj, Sokol Dervishaj
8. Gjirokastër Vangjel Tavo
9. Lezhë Luan Rama, Gjovalin Kadeli, Ylli Manjani
10. Shkodër Luigj Turmalaj, Agron Çela
11. Dibër Përparim Spahiu
12. Kukës Nuk ka pretendetë të qartë
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/