Bashkimi Evropian, në Progres-Raportin e fundit për Shqipërinë të botuar në nëntor të vitit 2016, deklaron se viktimat e trafikut njerëzor nga Shqipëria të regjistruara janë nga më të lartat në botë. Ndër to janë edhe fëmijë, raporton BalkanWeb.
“Kuadri për të luftuar trafikun njerëzor u zhvillua më tej, dhe sanksionet u bënë më të ashpra. Megjithatë, Shqipëria duhet të shtojë përpjekjet në ndalimin e trafikut njerëzor, duke i kushtuar vëmendje të veçantë fëmijëve dhe viktimave fëmijë të trafikimit, në veçanti ndër fëmijë që janë në rrugë. Kuadri ligjor duhet të përafrohet më tej me direktivat e Bashkimit Evropian. Shqipëria është një ndër 5 vendet e para jo të Bashkimit Evropian me numrin më të madh të viktimave të trafikut njerëzor të regjistruara”, thuhet në faqen 74, të Progres-Raportit të Bashkimit Evropian për Shqipërinë të vitit 2016.
Por vuajtjet e fëmijëve në Shqipëri nuk mbarojnë me kaq.
Sipas BE-së, Shqipëria vazhdon të ketë vende ku minorenët janë punësuar, jo vetëm në mënyrë të jashtëligjshme por edhe në kushte të rrezikshme për jetën e tyre.
“Punësimi i fëmijëve (minorenëve) mbetet një shqetësim madhor, duke përfshirë atë në mjedise të rrezikshme. Masa më të dobishme duhet të ndërmerren në mënyrë për të ndaluar punësimin e fëmijëve (minorenëve)”, thuhet në faqen 54, të Progres-Raportit të Bashkimit Evropian për Shqipërinë të vitit 2016.
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/