AGRON GJEKMARKAJ/ Dimër i ftohtë për Ramën, kur të vjen e keqja...

AGRON GJEKMARKAJ/ Dimër i ftohtë për Ramën, kur të vjen e keqja (Ilir Meta), hapi derën

62
0
Shares
agron gjekmarkaj, vogel

Agron Gjekmarkaj

Kryeministri ynë Edi Rama duket i pikëlluar. Diçka mes mërzisë dhe trazimit i varet mbi supe. Pasojat e një gabimi që pat bërë do kohë më parë kanë filluar t’i nxjerrin kindet e veta. I lejon vetes përhumbjen dhe nervozizmin. Rri gjatë në rrjetet sociale duke u kalamendur në përsiatje me bjerrakohës që herë e gudulisin me lajka e të tjerë që ia “kërcasin” me “shuplaka”. Nuk ka durim të dëgjojë fjalimet e Beqes. Tund karrigen, fryn e shfryn si tufan, bulcinjet e ndezur nga padurimi teksa ministri i tij kaq i anatemuar diç po përpiqet të shpjegojë me ngenë e dikujt që ha një sahan me përshesh.
Mendja i rri gjetiu. Ngjarjet e mëdha po i ndjek në televizor si spektator. Shpirti i tij e di se ç’heq kur sheh Lulzim Bashën të gëzuar në Uashington, pjesëmarrës në ceremoninë e betimit të Presidentit të 45-të të SHBA-ve, Donald Trump. Pezmi rritet si temperatura e këtij gripi këmbëngulës kur Lideri i Opozitës takohet me këshilltarin e afërt, të shefit të ri të Amerikës apo me kandidatin për Presidentin brenda Partisë Republikane, politikanin me peshë të madhe Ted Cruz. Katedralja e Uashingtonit i duket si guva e shkandujve. Basha është aty tek lutet me Presidentin e SHBA-ve, ndërsa ai lutet me Blendi Çuçin në rreze të Dajtit. Madje, ai (Basha) u kërkon zyrtarëve të lartë ta mbështesin në një betejë të vështirë për zgjedhjet e lira, mbi të cilat rri si kërcënim mbytës frika e manipulimit dhe lëshimit mbi to të lukunisë kriminale. U tha se premtimi ishte “po”. Basha modelin Trump po e amplifikon edhe për t’i shtuar keqardhjen kundërshtarit të tij. Natyrisht, beteja e opozitës varet nga reformimi i thellë i PD-së, kartat e saj morale e intelektuale, aftësia për të guxuar në rikthimin e besimit te shoqëria, duke i dërguar kumtin asaj se kësaj here nuk do angazhohet makineria elektorale për t’u siguruar marrëdhënien e punës si deputetë nja 20 vetave që rrotullohen aty tash 20 vjet. Rikthimi i besimit te shqiptarët është më i rëndësishëm.
Një frazë popullore thotë: “Kur vjen e keqja, hapi derën”! E keqja në këtë rast është Ilir Meta, aleati “armik”, të cilin nja dy vite me radhë Rama me të vetët e “kërcënonin” me Amerikën. Humbjen e demokratëve në SHBA dhe zvetënimin e Sorosit me gjasë e ka pritur si shpëtim. Daullet anti Soros prej ditësh buçasin në LSI. Meta, pasi është takuar me kreun e Senatit Amerikan, ka porositur t’i shkrepin një fotografi tok me Petrit Vasilin aty ku do bëhej eventi botëror. Resmja nuk ngjan thjesht si një magaze gëzimi e hareje, më tepër dukej si nxjerrje gjuhe për Ramën. Ajo, fotografia e ndezullisë, mori rrugën e mediave shqiptare duke rendur si i marri për t’i shtuar rrudhat ballit tashmë të vrenjtur të Edi Ramës gjumëprishur.
Ylli Manjani, ministri gjuhëpipez, këndej qesëndiste të gjithë kundërshtarët shqiptarë të Trumpit. Në fakt i teshtinte në fytyrë shefit të ekzekutivit ku ai bën pjesë. U kujtonte atyre dhe atij me fjalët që hidheshin si kripë në plagë se pisk do ta kenë të gjithë ata që ju shpifen apo abuzuan gjatë fushatës elektorale. Si shafran i bien mbi mide ato Kryeministrit.
Ambasadori Lu i ka rralluar qëndrimet e reagimet. Pret. Tetëdhjetë kolegë të tij u shkarkuan me një të rënë të lapsit.
Pasditen e 20 janarit, Edi Rama do të dëshironte të ishte atje ku bota kishte përqendruar shikimin, por muzgu e zë në Surrel me telekomandën e televizionit në dorë, e cila veç ia shton vetminë. Zogjtë cicërijnë përvajshëm. Gjuha i shkrumboset dhe kërkon ujë. Pi e pi derisa brokës i del fundi në të cilin sheh veten, të zymtë e të veremosur. Sjell ndërmend çfarë pat thënë për Presidentin e Amerikës!! Fjalë të rënda plumb pa i pasur hak e hile burri i botës! Ai në punë e shtëpi të vet dëgjoi të ishte befas “turpi i civilizimit”, “racist” dhe i “shantazhuar” se “nëse fiton ai, do të prishen marrëdhëniet” me vendin e shqipove krenarë! Kryeministri hamendëson se cila është më e lehtë, si mund të gjendet një shpjegim justifikues, si mund të harrohen!? Mendja vërtitet tutje tehu, po përgjigje nuk gjen. Presidenti i çon mesazh urimi, madje edhe Kokëdhima ia terezit një ku i uron rrugë të ndritur, por Kryeministrit s’i bëjnë duart, nuk di çfarë të zografisë… t’i thotë u gëzova? T’i thotë se do forcojmë marrëdhëniet? Eh çfarë pezullie si gijotinë!? T’i thotë m’u thaftë gjuha?? Hesht e rënkon.
Mustafa Nano ia pat shkruar një skenar bujarisht në një shkrim të tijin për të dalë nga situata. Le ta bëjë provë se mbase i del hajer. Tjetër shans nuk ka për ta qetuar brengën e tij, e cila si dinamit i shpërthen në ndërgjegje disa herë në ditë. Të paktën të mos ftonin Bashën e të mos prisnin Metën, por jo, ata atje dhe ky këtu, duke dëgjuar me përbuzje vizionet e ministrave të tij, që i ka zgjedhur me dorë të vet si bostanin, tek i thonë qysh e tek mund të shpëtohet ky qerrata vatan.
Avokat Ngjela gjatë motit “epik” të reformës në drejtësi shpesh na bënte me dije se “nuk bëhet shaka me Amerikën”, se ajo e zë lepurin me qerre. Ka të drejtë Avokati. Nuk bëhet shaka vëlla, nuk bëhet. Qysh do t’ia bëjë Rama me Trump, një Zot e di!? Dimri i vetmisë së madhe trokiti më 20 janar në Uashington. Dimër i ftohtë për barinjtë dhe Kryeministrin e Shqipërisë.

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY