Pas zjarrit që përfshiu ashensorin e një pallati në zonën e “Freskut” ku mbeti e vdekur 29-vjeçarja Drilona Duriçi, policia ka nisur hetimet. Policia ka verifikuar dokumentacionin e pallatit, pronarët e objektit dhe firmën e ashensorit ku ndodhi ngjarja.
Sipas informacioneve të mbledhura nga policia ky pallat rezulton të mos ketë një administrator pallati të zgjedhur.
Paraditen e së shtunës Policia e Tiranës shoqëroi personin, i cili mirëmbante ashensorin.
Para policisë ai ka dëshmuar se garancia e ashensorit kishte mbaruar prej muajsh dhe se ai ka pasur detyrim ta mirëmbajë vetëm brenda garancisë.
“Pavarësisht se garancia kishte mbaruar, unë shkoja e mirëmbaja ashensorin kundrejt një pagese që banorët bënin për këtë shërbim. Prej muajsh ata nuk kanë paguar më dhe unë nuk kam shkuar që ta mirëmbaj. Për atë që ndodhi të premte në atë ashensor unë nuk di çfarë të them pasi kam shumë kohë që nuk kam shkuar për të parë gjendjen e ashensorit. Ne bëjmë kontrolle periodike vetëm në ashensorët të cilët janë brenda garancisë”, mësohet të ketë thënë si dëshmi në polici.
Flet Inspektoriati Teknik:
Zbardhen të tjera detaje nga shkaqet që çuan në rënien e zjarrit dje në një pallat në zonën e ‘Freskut’, ku humbi jetën tragjikisht një nënë 29-vjeçare.
Pas kryerjes dhe inspektimit të Inspektoratit Shtetëror Teknik dhe Industrial, zjarri ka rënë në depozitën e vajit në ashensor, ndërsa më pas është dëmtuar kabina. Sipas ISHTI-së, kabina e ashensorit ka qenë me material konstruktiv të djegshëm se nuk ka pasur rënie automati monofazor të familjarëve. Nga verifikimet e kryera ISHTI thekson se shkaku i zjarrit është bërë instalimi i depozitës së vajit në ashensor, duke shkaktuar vdekjen e Drilona Duricit.
“Në pallatin ‘Eni’ shpk, Shkalla 1 (Nga veriu), rruga “Muhamet Deliu” Qesarakë, rreth orës 09:48 ka marrë zjarr depozita e vajit të ashensorit hidraulik e cila ndodhej brenda kafazit të ashensorit. Zjarri i rënë ka dëmtuar kabinën e ashensorit dhe pastaj ka shkaktuar vdekjen e një banoreje të këtij pallati. Kabina ndodhej e pozicionuar në katin e parë dhe kishte edhe ajo në brendësi material konstruktiv të djegshëm. Nga kontrolli i rrjetit elektrik tek dy box-et kolektiv rezultoi se nuk kishte asnjë rënie automati monofazor që i përkiste familjarëve. U konstatua se ishte në pozicionin e ulur (i stakuar) automati trefazor i ambienteve të përbashkëta nga i cili furnizohej me energji elektrike ashensori hidraulik i pallatit. Shkak i zjarrit është kryesisht instalimi i depozitës së vajit brenda kafazit të ashensorit hidraulik por kjo gjendje nuk do të influencohej nëse nuk do të shoqërohej edhe nga moslejimi i rrjedhjeve të vajit, mospastrimi i vajit të rrjedhur dhe i papastërtive në fundin e kafazit të ashensorit. Nuk ka funksionuar ndonjë skemë lajmërimi për dëmtimin e ashensorit sipas kërkesave dhe standardit për ashensorët. Pasojat për jetën, dëmtimi i pajisjeve dhe mjedisit janë:
-Një banore e pallatit ka humbur jetën
-Ashensori i shkallës është dëmtuar në elementet e tij që influencoheshin nga flakët
-Të gjitha hyrjet deri në katin e katërt janë bërë me blozë dhe banorët e hyrjeve përkatëse janë traumatizuar e kanë vështirësi në frymëmarrje.”, thuhet në njoftimin e plotë të ISHTI-së.
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/