Shqipëria është përfshirë në një proces të normalizimit të marrëdhënieve me Iranin. Diplomacia e saj duhet të gjejë një zgjidhje në mes të një kryqëzimi të vështirë; premtimit për të mbajtur 3000 muxhahedinë dhe nevojës për normalitet diplomatik me shtetin e fuqishëm të Lindjes së Mesme.
Vetëm pak ditë më parë ministri i Jashtëm shqiptar Ditmir Bushati kreu një vizitë në Teheran. Më 14 janar ai takoi homologun e tij iranian ndërsa ishte i shoqëruar në këtë vizitë prej një grupi biznesmenësh nga Tirana.
Ministri i Jashtëm Mohammad Javad Zarif tha pas takimit se Irani dhe Shqipëria kanë shumë mundësi për lidhjet në të gjitha sferat.
“Ka shumë mundësi për zhvillimin dhe forcimin e bashkëpunimit në fushat e politikës, kulturës dhe ekonomisë në mes të dy vendeve”, deklaroi Zarif pas takimit me Bushatin në Teheran të shtunën që kaloi.
Ai vuri në dukje se të dy vendet mund të kenë bashkëpunim më të ngushtë në fusha të tilla si arsimi, turizmi tregtare, energjisë, dhe të ndërtimit hekurudhor.
Por përgjatë prononcimit të tij ai ka prekur indirekt faktin se Shqipëria po mban muxhahedinët iranianë në Tiranë. Gjatë bisedës me gazetarët dhe në prani të Bushatit ai deklaroi se “vendet evropiane po vuajnë në duart e terrorizmit dhe ekstremizmit, Zarif theksoi se Irani është i gatshëm për të ndihmuar Shqipërinë në betejën e saj me këtë sëmundje”.
Nga ana e tij, Bushati ka deklaruar se Tirana ka vendosur të ngrejë ambasadën shqiptare në Teheran. “Në kushtet aktuale janë të pjekur për thellimin e marrëdhënieve me Republikën Islamike të Iranit, duke Shqipëria ka vendosur të ngrejë një ambasadë në Teheran”, deklaroi Bushati, i cituar nga media iraniane.
Sipas ministrit Tirana është e gatshme të nënshkruajë marrëveshje për investime të përbashkëta dhe shmangien e taksimit të dyfishtë ndërsa në fund të takimit, të dyja palët nënshkruan një memorandum mirëkuptimi për të zhvilluar bisedime të rregullta politike.
Në bazë të një marrëveshjeje mes Shqipërisë dhe SHBA, dy qeveritë e fundit shqiptare kanë garantuar mbi sigurinë dhe qetësinë e luftëtarëve muxhahidinë që janë opozitë me regjimin që erdhi në Iran pas rrëzimit të dinastisë së Pahlevëve.
Irani e priti keq vendimin e Tiranës dhe në 2013 pak ditë pas arritjes së një grupi prej 200 muxhahidinëve, ambasadori iranian në Tiranë reagoi ashpër. “Irani nuk do të kishte dashur që Shqipëria të ishte vendi i parë i strehimit të individëve të grupit MEK (Mojahedin-e-Khalq) MEK, të cilët ndodheshin në kampin “Liria” në Irak”, – deklaroi Ambasadori i Iranit A. Majid Mozafari.
Por dy vjet më vonë, rreth 3000 anëtarë të MEK janë sistemuar jo fort larg qendrës së Tiranës dhe zhvillojnë jetë normale dhe pa kufizime.
Shqipëria duhet të mbajë premtimin për sigruinë e jetës së këtyre njerëzve por ndërkohë marrëdhëniet me Iranin janë të rëndësishme po ashtu. Pas ndërprerjes së embargos, ky vend prite të shpalosë fuqi të madhe ekonomike, megjithëse Shqipëria shkëmben aktualisht me të një sasi mallrash me vlerë më të vogël se sa 1 milionë dollarë.
Kurba e ngjitjes së marrëdhënieve mëgjithatë ka nisur. Sonte në Tiranë u shfaq një koncert me titull “për solidaritet të popullit iranian dhe shqiptar”. Flamujt e dy vendeve qëndruan pranë, një pamje që nuk ishte parë prej gati 20 vitesh.
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/