Dëbora qe ka pushtuar malësinë e Mbishkodrës bllokoi edhe shefin e Emergjencave Civile, Shemsi Prençi, i cili ndodhej në terren për të inspektuar situatën.
Reagimi i tij ishte i ashpër, duke kërkuar nga Prokuroria hetimin e plotë të firmave të cilat mirëmbajnë aksin rrugor Koplik – Bogë – Theth.
“Kompanitë që kanë detyrime kontraktore për të mbajtur të hapur këto segmente rrugore pothuajse nuk ekzistojnë në terren fare, kjo është kambanë alarmi. U bëj një apel strukturave të policisë së shtetit, strukturave të prokurorisë të fillojnë hetimet ndaj të gjithë atyre kompanive që nuk mirëmbajnë segmentet rrugore të domosdoshme për jetën njerëzore, të qarkullueshme. Dhe të gjitha atyre kompanive që shfrytëzojnë minierat e kromit që në ditë të tilla kur qeveria ka dhënë alarmin për ruajtjen e jetëve njerëzore në situatë të të ftohtit të acartë që ka pllakosur Shqipërinë, ata vazhdojnë dhe i çojnë njerëzit drejt vdekjes”, u shpreh Prençi pwr TV Ora News
Ndërsa prefekti i qarkut Shkodër, Paulin Radovani, u shpreh se kjo situatë vjen si pasojë e mungesës së mirëmbajtjes së rrugëve nga firmat kontraktuale.
“Ndërsa firmat e pastrimit dhe të mirëmbajtjes marrin paratë, të tjerët vinë dhe interesohen për hallet dhe problemet që ka pushteti lokal”, u shpreh Radovani.
Emergjencat Civile në këtë segment kanë dërguar një fadromë e cila do bëjë të mundur hapjen e rrugës.
Ndërkohë trashësia e dëborës në segmentin Dedaj – Bogë – Qaf Thore i kalon 50 cm dhe qarkullimi është thuajse i pa mundur.
Vështirësi ka edhe në disa zona të tjera të qarkut Shkodër, kryesisht Dukagjin dhe rrethin e Pukës ku akset rurale janë të bllokuara.
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/