Në intervistën e tij për emisionin “Fakt” te gazetarit Çim Peka, politikani Koço Kokëdhima kritikoi ashpër gjendjen e qeverisjes dhe institucioneve në Shqipëri, ndërsa vlerësoi se njerëzit që kanë studiuar dhe kanë bërë punë në jetën e tyre i bëjnë nder politikës.
“Kokëdhima është një person, dhe këtë e them pa modesti fare dhe pa asnjë kompleks, që i bën nder politikës. Jo vetëm unë, por të gjithë njerëzit si unë; njerëz që të gjithë jetën e tyre kanë studiuar, njerëz që gjithë jetën e tyre kanë punuar, njerëz që kanë bërë vepra në këtë jetë, kanë bërë punë vazhdimisht, kanë aftësi, kanë nivel”, u shpreh politikani socialist.
Sipas tij, “qeverisja e institucioneve dhe punëve në Shqipëri është në duart e të gjithë tutkunëve, njerëzve të paaftë, njerëzve që e kanë katandisur shtetin shqiptar që nuk pastron dot borën në një rrugë, e kanë katandisur që çdo shi na përmbyt, çdo ngricë na ndërpret shkollat, çdo dëborë, në vend që të shijohet, na ndalon të shkojmë në Dajt, na ndalon të çojmë fëmijët në çerdhe, e kështu me radhë”. “Kjo situatë që tregon paaftësinë tonë për të jetuar në normalitet, në situata krejtësisht normale natyrore, sepse nuk është një katastrofë natyrore gjendja në të cilën kalojmë dhe përmbytjet vazhdimisht. Këto tregojnë faktin se në çfarë niveli është manaxhimi i përgjegjësive qeverisëse dhe manaxhimi i përgjegjësive të ndryshme të institucioneve të ndryshme në Shqipëri”, u shpreh Kokëdhima.
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/