Gjykata e Tiranës mbylli procesin e falimentimit të kompanisë “ItalKrom Albania” të nisur që në vitin 2015. Kjo kompani e cila ushtronte aktivitet në fushën e kërkimit, eksplorimit dhe shfrytëzimit të mineraleve ishte regjistruar si e tillë në vitin 2007.
Pas një procesi të gjatë gjyqësor dhe verifikimeve Gjykata e Shkallës së Parë vendosi mbylljen e procedurës së falimentimit. Por, për shkak të mungesës së pasurive të tundshme e të patundshme, kreditorët nuk do të mund të likuidohen.
Në vendimin e saj gjykata vëren se: “Rezultoi se shoqëria “ItalKrom Albania” shpk, nuk provohet të ketë pasuri të luajtshme ose të paluajtshme, të cilat do t’i nënshtrohen procesit të likuidimit dhe më pas të shpërndarjes. Për pasojë, të gjithë kreditorët, pretendimet e të cilëve u verifikuan rregullisht dhe u vërtetuan gjatë kësaj procedure, nuk u shlyen nga masa e falimentimit për shkak të mungesës së saj. Mungesa e bilanceve pas vitit 2007 bënë të pamundur për administratoren e falimentimit dhe për Gjykatën, pasjen e një tabloje të plotë dhe të saktë të të gjitha lëvizjeve financiare të shoqërisë, duke ngarkuar me përgjegjësi për këtë fakt, subjektet drejtuese dhe zotëruese të kuotave të shoqërisë.
Sipas raportit të administratores, procedura e falimentimit i është referuar bilancit të vitit 2007. Në datën e hapjes së procedurës së falimentimit nuk ka një informacion mbi detyrimet e Shoqërisë, por sipas bilancit te vitit 2007, janë paraqitur nga drejtimi i Shoqërisë detyrime në shumën 171,606,385 lekë:
Furnitorë 160,926,983 lekë
Detyrime ndaj personelit për paga të papaguara 5,176,040 lekë
Detyrim për tatime të tjera 1,257,243 lekë
Detyrime për sigurime shoqërore e shëndetësore 4,246,119 lekë
Pas këtij procesi, shoqëria do të çregjistrohet edhe nga Qendra Kombëtare e Regjistrimit.
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/