E ëma e Atjon Zhitit, ja letra që i shkruan djalit që...

E ëma e Atjon Zhitit, ja letra që i shkruan djalit që i jepte motorit: Të mbash përgjegjësinë që të takon para gropës që hape ti!

119
0
Shares

Në një letër drejtuar gazetës Tema, Eda Zhiti, nëna e Atjon Zhitit vrarë dy vjet më parë në një aksident tragjik në prag të Krishtlindjeve, i shkruan të mbijetuarit të tragjedisë, ish shokut të djalit të saj, për përgjegjësitë që ai ka dhe për detyrimin për të qenë i përgjegjshëm për ato që thotë rreth aksidentit, pasi bëhet një model i keq për mijëra të rinj të tjerë.

Serxho Martiniani, u bënë dy vjet nga tragjedia, që na shkaktoi rruga dhe njerëzit e saj. Jam e ëma e Atjon Zhitit, që edhe pse i kam dhënë fjalën se do ta shoqëroj në paqe dhe në shenjtëri shkuarjen e Tij në Qiell, jo gjithmonë ia dal, sado që mundohem tmerrshëm për të mbytur ulërimat e mia të brendshme, që ato të mos dalin jashtë meje…

Po qëllimi im në këtë shkrim nuk është të tregoj për vete, por që të të përgjigjem, kultura e dialogut, na mëson Papa Françesku.

Miqtë në Tiranë na treguan me kujdes se kishe arritur të dilje në ekranin e një televizioni, punë e Klanit, në një emision që… menjëherë mendova se do të kishe diçka me rëndësi për të kumtuar, që lidhet me të vërtetën dhe përgjegjësinë, sepse sepse deri tani nuk kishe ditur të gjeje rrugën njerëzore për të ardhur tek rrëfimi i asaj që duhej dhe tek ata që duhej, te prindërit e Atjonit. E ke detyrë!

Fill pas aksidentit fatal, ti re në koma. Dhe ne në ditën e tretë të tragjedisë tonë, ne, unë me tim shoq, guxuam dhe patëm forca të të shihnim në spital, sepse jemi prindër të Atjonit dhe zëri i tij na prin drejt së mirës e mëshirës. Pas operimeve në Gjermani, kur ti u ktheve dhe po kishe kujtesë, prapë nuk u the gjë prindërve të Atjonit, natyrisht që e ke të vështirë, por e ke detyrë, e përsëris, është më lehtë se vrasja, mund t’u shkruaje… dhe rrëfimi yt s’ka nevojë për dëshmitarë e ndërmjetës, ti, ne, pra dhe prinderit e tu dhe ndëgjegjia. Por bërë të kundërtën, heshtje ndaj nesh, si ende i pa aftë, ndërsa në gjyqin tend, besoj e di që nuk të kemi hedhur ne, por ajo që bëre ti, ndodhte e kundërta: shmangie e zhurmë, zvarritje, ndërrime avokatësh, mungesa të tyre, humbje e qëllimtë kohe, etj, etj, kur tragjedia që shkaktove, kërkon të paktën dinjitet.

Nuk po zgjatem, megjithatë unë vendosa të të dëgjoj ç’i kishe thënë në emisionin e pronarit të Klanit, asaj Magjistarit. Ishte e vështirë të dëgjoheshe… Pas dy ditësh të ndoqa sërisht me zemrën e trupin që dridhej e dridhet, ndërsa shkruaj këto fjalë.

Ti fajëson rrugën, sinjalistikën që mungonte në atë mëngjes dhjetori, bllokun e betonit, etj. Po, duhet të jetë dhe është dhe kështu. Po a e ke pyetur veten, blloku i betonit, i vendosur në rrugë keq e që duhej të ishte plastik, u ngrit vetë kundër teje apo ti shkove drejt tij, verbërisht si i marrë? Ndërkaq askujt para teje dhe pas teje që kaluan aty, nuk i ndodhi ndonjë gjë, vetëm ti u përplase keqas duke I shkaktuar vrasjen atij që kishe marrë pas në motor dhe plagosjen rëndë të vetes. Ekspertët dëshmuan me përgjegjësi se ishe me shpejtësinë 160 km në orë, kur duhej të ishe me 20 km në orë në atë vend. Nuk e di a e mban mend se ç’shpejtësi kishe në të vërtetë, por kishe aq sa duhej për të shkaktuar një aksident me humbje jete të tjetrit. E besojmë që nuk doje, por edhe si “vrasës pa dashje” u shkaktove tragjedinë më të madhe prindërve të atij që në emision thua se e kishe shok të shokëve të tu, që e doje dhe vlerësoje. Ku është dhëmbja dhe pendimi para tij e para vetes dhe botës? Përgjegjësia jote së pari? Duke patur dhe një tjetër në motorr përgjegjësia jote duhej të dyfishohej, kurse ti s’pranon asgjë fare, ia vë fajin rrugës që është pa ndërgjegjegje. Po kështu dhe drejtuesit e emisonit tend.

Ne mundohemi të të kuptojmë. Ndjejmë dhimbje të thellë. Ju mund të thoni se ky ishte fati. Por ne nuk duhet të jemi si fati, kur ai është i mbrashtë, tragjik. Ti a mundohesh të më kuptosh mua, ne? Ti dhe ata të shtëpisë tënde? Mbylle padrejtësisht, tragjikisht një derë…

Në emisionin tënd the, ndër të tjera që për prindërit e atij që vrave, më mirë të mos flisje(?!). Pse? Nga që të erdhën dhe në spital dhe të panë, e përsëris, ty shkaktarin e tragjedisë së tyre? Isha unë me tim shoq, babain e Atjonit. Ta kanë thënë, besoj, kur i hape sytë? Madje të kemi dërguar mesazhe e të kemi pyetur të na thuash, të na tregosh… ti je i fundit që ishe me djalin tonë… e ke për detyrë rrëfimin ndaj nesh së pari… ku po shkonit atë mëngjes dimri dhe pse dhe si ndodhi… në prag të Krishtlindjes dhe të Vitit të Ri… që ti i nxive…

Ju keni dhe një filmim, të kameras para portës kur moret motorrin para lokalit tuaj e vutë kaskat mbi krye, dorashkat… dhe rezultoi që nuk kishit konsumuar akool… në rregull deri këtu… Po pastaj… s’flas dot… e pse nuk na i jepni atë filmim të fundit?…

E tani flet në media për të tjerët, gjykon të tjerët, madje na thanë se ke shkuar dhe në Vlorë te një aksident ndryshe dhe ke folur pa qenë ekspert para gropës së rrugës?

E ke për detyrë të mbash përgjegjësinë që të takon para gropës që hape ti. A di të çosh lule atje ku duhet? Nëse s’ke ditur, hesht dhe prit… mos ua shkel plagët Atjonit dhe prindërve të tij.

Më oshëtijnë veshët nga shprehja jote, kur ke shkatërruar një familje dhe thua publikisht se “po përpiqem të rehabilitohem vetëm pa ndihmën e mamit, sepse mami është shumë e re…”.

Shumë mirë bën që po rehabilitohesh, por përpara se t’i tregosh Klanit se si bën palestër për të rehabilituar trupin, tregoi opinionit çfarë i bën zemrës dhe ndërgjegjes tënde. Dhe mëndjes. Kanë kaluar dy vjet…

Egiozmi nuk duhet nuk duhet lejuar që të jetë vrastar… Ishe ti që ngisje motorin atë natë apo djalli i futur brenda teje? Si do ta nxjerrësh djallin, duke shmangur përgjegjësinë, duke mos u rrëfyer atje ku duhet? Por nuk i shmangesh dot gjykimit në tokë dhe Qiell, ligjeve të shkruara e të pa shkruara, opinionit qytetar jo antikapat, që edhe nëse nuk ka televizor, ka ndërgjegjen, dhimbjen, etikën, të vërtetën, ndjesën, mirëkuptimin, respektin, dashurinë njerëzore edhe në fatkeqësi, etj, etj.

The se kishe shkruar: Mirupafshim, Atjon. Si do të shihesh me atë? Ç’do t’i thuash për tragjedinë dhe veten?

Im bir, moshatar me ty, a nuk ishte shumë i ri për t’u ndërprerë? A s’është krim që u shkëput nga jeta këtu, nga dëshirat e gëzimet, nga projektet dhe ëndrrat, nga universiteti? E ke parë librin e tij, ekspozitën, gazetat që shkruajnë për to edhe tani, ç’shkruajnë miqtë e tij të shumtë nga e gjithë bota, ishte antar dhe i Paralamentit Europian Rinor, donte të studionte dhe të punonte për vendin, për një jetë më të mirë… jepet dhe një çmim ndërkombëtar me Emrin e Tij. Dhe Bashkia e Tiranës i ka dhënë emrin një rruge: “Rruga e Atjonit”, jo ajo ku bëre përplasjen fatale ti. Që jam mamaja e Atjonit, më vjen mirë… Dhe po të them ty, që edhe unë jam shumë e re e ti më dënove të jetoj pa të. Asnjë nënë, asnjë prind nuk e meriton atë që ndodhi prej teje. E ti si do të më përgjigjesh? Çfarë i ke thënë vetes në këto dy vjet mynxyre? Apo do dalin të tjerë që të shkruajnë për ty në fb, që të bëjnë zhurmë e fyerje apo magjistarë të klaneve të pa ndjeshme televizive? Ky është nderimi yt e i atyre për shokun që vrave? Ç’do të bësh me djallin brenda vetes, që e ushqejnë e ta përkëdhelin ata që ke përreth? Dëgjo, nga vrasës pa dashje mund të shndërrohesh që të të ndjejmë ne e i gjithë opinioni, në vrasës të rëndomtë. Zgjidhe rrugën, shikoje mirë sinjalistikën se po rivret… Dhe faji s’është i rrugës, por i atij që i futet kësaj rruge… Isha e detyruar të shkruaja kështu, mes dhimbjes më të thellë dhe indinjatës. Dhe ka plot që thonë se se është më e durueshme të jesh nëna e të vrarit se sa e vrasësit…

Mamaja e Atjonit

si çdo mama, përveç ndonjërës…

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY