Nami në ZVRPP-në e Lushnjes, KLSH kallëzon në Prokurori regjistruesin dhe 9...

Nami në ZVRPP-në e Lushnjes, KLSH kallëzon në Prokurori regjistruesin dhe 9 të tjerë

83
0
Shares

Kanë kryer regjistrimin në mënyrë abuzive të një pasurie prej 3000 m2,  pa marrë konfirmimin e Agjencisë së Trajtimit të Pronave;  kanë regjistruar në mungesë të kontratave të marrëdhënieve me truallin (kontratat e qirasë) dhe pa likuidimin total të vlerës së objektit, duke shkaktuar dëm ekonomik për buxhetin e shtetit në shumën 61,912,800 lekë; janë kryer regjistrime të pasurive pa dokumentacionin e duhur tekniko ligjor.

Kontrolli i Lartë i Shtetit, në zbatim të programit të auditimit nr. 812/1,  datë 24.08.2016, ka audituar Zyrën Vendore të Regjistrimit të Pasurisë së Paluajtshme Lushnjë, për periudhën 01. 01. 2014 – 30. 06. 2016. Në përfundim të auditimit u konstatuan një sërë shkeljesh të dispozitave ligjore, për të cilat janë rekomanduar masat përkatëse për përmirësimin e gjendjes dhe nxjerrjen e përgjegjësive, të miratuara me Vendimin e Kryetarit të KLSH-së me nr. 157, datë 24.12.2016, të cilat janë përcjellë në subjekt me shkresën nr. 812/19, datë 26.12.2016.

Nga auditimi u konstatuan një sërë shkeljesh, ndër të cilat më kryesoret janë:
1. Në 1 rast është regjistruar pasuria “Ullishte” me  sipërfaqe 3000 m2, bazuar në një vendim të Agjencisë së Trajtimit të Pronave, i cili ka ardhur në ZVRPP jo nga ATP, por dorazi nga aplikuesi. Megjithëse ky vendim përmban mangësi thelbësore, nga ana e ZVRPP-së Lushnjë regjistrimi është bërë në mënyrë abuzive, pa ardhur konfirmimi i vlefshmërisë së këtij akti nga ATP Tiranë, në kundërshtim me Ligjin nr. 33, datë 21.03.2012 “Për regjistrimin e pasurive të paluajtshme”.
2. Nga auditimi në 2 zona kadastrale, u konstatua se ishin kryer regjistrime të objekteve të përfituara nga ligji Nr. 7512, datë 10.08.1991, “Për sanksionimin dhe mbrojtjen e pronës private dhe nismës së lirë, të veprimtarive private të pavarura dhe privatizimit”, në mungesë të kontratave të marrëdhënieve me truallin (kontratat e qirasë) dhe pa likuidimin total të vlerës së objektit, duke shkaktuar dëm ekonomik për buxhetin e shtetit në shumën 61,912,800 lekë, në kundërshtim me Rregulloren e Brendshme të ZQRPP nr. 184, datë 8.4.1999 “Për punën e Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme”.
3. Në 1 rast, rezultoi se është regjistruar një pasuri, ndërtesë 138 m2, pa pasur origjinë pronësie e leje ndërtimi, duke u bazuar vetëm në një vendim të Komitetit Ekzekutiv KP të Qytetit nr.46, datë 29.09.1990, që bën fjalë për shpërndarje kredie bankare, pa pasur dokumentacion ligjor pronësie për ndërtesën apo për truallin (leje ndërtimi ose vendim gjykate para vitit 1991) në kundërshtim me përcaktimet e bëra në nenin 193 të Kodit Civil, nenin 24, të ligjit 33/2012, rregulloren nr.184, datë 08.04.1999 dhe urdhrin nr. 1400, datë 25.10.2010.
4. Nga auditimi i regjistrimit të një pasurie, rezultoi që nuk është bërë saktësimi i sipërfaqeve sipas librit të  ngastrave (LN)/Aktit të marrjes së tokës në pronësi (AMTP), duke përfituar më tepër një sipërfaqe prej 4063 m2. ZVRPP-ja Lushnjë nuk i është drejtuar mbajtësit të parë të titullit të pronësisë dhe komunës/bashkisë për të bërë saktësimin e planvendosjes sipas sipërfaqes së çdo pasurie të dhënë në AMTP, në papajtueshmëri me Ligjin nr. 33, datë 21.03.2012 “Për regjistrimin e pasurive të paluajtshme” dhe UKM nr. 2, datë 13.06.2013 “Për mënyrën e procedimit të organeve të administratës publike, për pasuritë e paluajtshme, të fituara me Aktin e Marrjes së Tokës në Pronësi (AMTP)”.
5. Në tre raste të regjistrimit të pasurive me sipërfaqe totale 74214 m2 “arë”, rezultoi që mungojnë AMTP-të, duke ligjëruar në këtë mënyrë kryerjen e veprimeve absolutisht të pavlefshme. Gjithashtu ZVRPP-ja, nuk i është drejtuar mbajtësit të parë të titullit të pronësisë, bashkisë dhe DAMT-it, pranë këshillit të qarkut, me kërkesën që, nëse disponojnë kopjen origjinale të AMTP-së, ta paraqesin në ZVRPP, veprim në papajtueshmëri me Ligjin nr. 33, datë 21.03.2012 “Për regjistrimin e pasurive të paluajtshme”.
6. Nga auditimi rezultoi se në katër raste janë regjistruar pasuri në zbatim të Ligjit “Për Urbanistikën”, në mungesë dhe pasaktësi të dokumentacionit tekniko ligjor, si: mungesa e studimit urbanistik pjesor i miratuar dhe akti i kolaudimit të ndërtesave, vlera preventive e objektit e ndryshme nga vlera e situacionuar, nuk ka përputhje të sipërfaqes së sheshit të ndërtimit me sipërfaqen në pronësi, veprime në papajtueshmëri me Ligjin nr. 33, datë 21.03.2012 “Për regjistrimin e pasurive të paluajtshme”, me Ligjin nr 8402, datë 10.09.1998 “Për kontrollin dhe disiplinimin e punimeve të ndërtimit”, të ndryshuar, me Ligjin nr. 8405, datë 17.9.1998 “Për Urbanistikën”, i ndryshuar dhe me Ligjin nr. 10 119, datë 23.4.2009 “Për planifikimin e territorit”, i ndryshuar.
7. Në 5 raste, janë kryer pranime të dokumentacionit dhe regjistrime të pasurive të paluajtshme me të meta dhe mangësi, si: kërkesat e personave të interesuar nuk janë të regjistruar në protokollin e ZVRPP Lushnje; mungojnë relacionet për verifikimin në vend të kërkesave qytetare, të cilat duhej të dokumentoheshin me pagesën për këtë qëllim; nuk janë verifikuar elementët e formës dhe të përmbajtjes së aktit administrativ.

Për shkeljet e konstatuara, KLSH ka kryer kallëzim penal në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Lushnjë për katër ish- Regjistruesit e ZVRPP-së Lushnjë E. B., B. K., S. K., e A.H., për 3 ish-specialistët D. L., ish-përgjegjës i sektorit të regjistrimit, G. D., ish jurist dhe S. K., ish-jurist, si dhe për 2 specialistët, E. R., hartograf dhe A. Ll., hartograf, për konsumimin e figurës së veprës penale të “Shpërdorimit të detyrës”, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal.

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY