Ajo çka ndodhi me grevistët e Zharrëzës në Fier, të cilët shkuan në kufijtë e flijimit për një kauzë që s’kishte mbështetës në superstrukturën e shoqërisë, as në politikë, as në media e as në biznes, ishte një paradhënie e asaj se çka mund të jetë 2017-a për shqiptarët. Në fakt, betejat vetmitare të shqiptarëve me shtetin xhahil, që shqetësohet veç që llogaritë e ministrit të kuadratojnë, janë parë edhe në 2015, edhe në 2016-n, me 6 të vetëvrarë, për shkak se rrezikonin burgun se s’paguanin dot energjinë elektrike, me rreth 30 mijë të burgosur e keqtrajtuar për të njëjtën arsye, për të cilët pati një zë të veçantë në amnistinë e këtij fundviti, si dhe me qindra të tjerë të cilët janë lënë në mëshirë të fatit apo trafikantëve të kanabisit, sepse janë përjashtuar nga listat e ndihmës ekonomike apo fondet e rimbursimit për bujqësinë. Këto përplasje spontane, kjo rezistencë fshatçe do të vijojë edhe në 2017-n dhe do të jetë fronti i parë ku nomenklatura e qeverisë do të tentojë të mbushë thesin e votave.
Dualiteti i luftës së pisët ndaj mbështetësve të opozitës (apo partive të reja që po dalin në skenë) dhe blerjes së viktimave me “frontin e solidaritetit”, një zë i turpshëm i buxhetit të ri të shtetit, rrezikon ta çojë shoqërinë shqiptare në një kurs përplasjeje mjaft të rrezikshme. Therori i parë, izolimi i ri dhe afatgjatë nga BE është një kurban stilistikor, në krahasim me koncesionet e reja morale që do të detyrohemi të japim në 2017-n, vetëm që vendi të vijojë edhe pas 18 qershorit të quhet një vend kuazi-normal. Edi Rama e ka shpallur pa shumë ojna mesazhin putinist se s’do të ketë zgjedhje dhe ai do të jetë fituesi i vetëm i tyre. Në karrocë me vete, ai ka njoftuar se do të marrë edhe ndoca aleatë të tjerë, për t’ia lehtësuar – siç thotë – qeverimin. Paradhënia e bllokimit të integrimit po shoqërohet me bllokimin njëherë e mirë të mundësisë për të pasur një ligj zgjedhor që garanton barazinë e votës, numërimin e saj dhe mbi të gjitha përfaqësimin e saj të drejtë në parlament. Loja me buratinë ka dhënë të kuptohet se kjo perspektivë është irrealiste, prandaj edhe “status-quo”-ja e legjislacionit për zgjedhjet flet për pamundësinë që 18 qershori të garantojë betejë të mirëfilltë dhe – prite Zot – rotacion.
Në vend të kësaj perspektive, në qendër do të jetë loja e pistë e numrave, loja e betejës sektare brenda së majtës, loja e larjes së hesapeve me kundërshtarët, por edhe loja e “qerasjes” së revizionistëve. Mizanskenat që shohim me disa “ish-nanoistë” është dëshmia se s’ka për t’u toleruar kurrfarë opozite, nëse s’do të ketë leje nga “qendra”. Në vend të opozitës, një formacioni i cili denoncon vjedhjet e buxhetit, sakrifikimin e interesave të shtresave të tëra për hir të klientelës, në fasadë do të shfaqet një opozitë revizioniste, e cila do të përqendrohet tek “segmentet” që s’po qeverisin si duhet, apo një fraksion politik që do të shërbejë si çomange për ndonjë të bezdisshëm brenda gardhit.
Ngrirja e ligjit zgjedhor dhe dalja në rend të parë e “revizionistëve” të politikës, është autostrada e betejës së pistë kundër opozitarëve të vërtetë. Ajo shfaqet në forma të ndryshme dhe s’kam ndërmend të vë duart në zjarr për “kreativitetin” e mizorëve që janë në drejtim. Pas arrestimit për faturën e energjisë dhe heqjen e ndihmës ekonomike, erdhi ndalimi për “pjesëmarrje në tubim të paligjshëm” dhe “gjobë” për mospagim taksash.
Tani radha i vjen “goditjes nga të panjohur në rrugë”, “djegies së biznesit nga të panjohur” dhe “mbetjes viktimë nga një përplasje për rrethana të panjohura”. Kudo do të gjendet mbiemri “i/e panjohur”, por kudo do qëmtohet edhe vullneti për të neutralizuar një kapilar opozitar të shoqërisë sonë.
Shenjat e 2016-s flasin për një 2017 që endet mes “opozitës së emëruar” dhe “reaksionit radikal”. Mesi është asgjësuar, prandaj edhe shifrat e viktimave – shumë të larta të këtij viti – rrëfejnë për një dëshpërim të përgjithshëm, për shkak se s’mundet të shihet kurrfarë alternative.
Kur çështjet janë krejt pa zgjidhje, terren fiton “arsyeja e shëndoshë” dhe paradoksi. Populli rrëfen se “budallait i hapet rrugë”, prandaj qëmtimi i 2017-s duhet kërkuar për nga koncesionet që “reaksioni” do lëshojë ndaj pushtetarëve dhe revizionistëve. Sërish ndihma nga kancelaritë e Vlahutinit s’do të vijnë, pasi Romana e ka treguar disa herë se s’dëgjon nga ai vesh. Edhe eko-ja e përtej Atlantikut nuk është e qartë dhe përkthimi i ambasadorit është vënë nën shënjestrën “jo plotësisht e besueshme”. Në këtë mungesë perspektive, koncesionet që mund të japë shoqëria jonë është mbyllja e syve para përdhosjes së zgjedhjeve, mbyllja e veshëve kur dëgjojmë se përfaqësimi ynë politik na tradhtoi dhe mbyllja e gojës kur kryeministri do të sillet si mbreti lakuriq me paratë e taksapaguesve, që do të shndërrohen në rrush e kumbulla për klientelën private.
Gjithsesi në 2017-n, si në 2016-n, e si gjatë 3 mijëvjeçarëve në vazhdim, do të jetë edhe pakica reaksionare – në të drejtë a jo – e cila do të reagojë dhe do të na faturojë koston e reagimit. Kundërshtarët e nomenklaturës garantojnë se do të mendojnë për koncesionet që do të jenë të detyruar të japin, por kam fort dyshime se kryeministri do të ketë arsyen e shëndoshë të mendojë lidhur me koston e përplasjes.
* Kryeredaktor i Gazetës “55”
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/