Klement Balili, i konsideruar nga Policia e media greke si Eskobari i Ballkanit del i varfër. Të paktën nga ato përgjigje që kanë mbërritur në Prokurori, ish-drejtori i Transportit në Sarandë nuk ka pasuri apo llogari bankare në emër të tij, raporton Panorama.
As kompleksi i madh turistik në qytetin e Sarandës, i lidhur shpesh me emrin e Klement Balilit, mësohet se nuk është në emër të tij.
Pikërisht për shkak të përgjigjeve negative që kanë ardhur në Prokurori nga organet e Tatimeve, nga Hipoteka, bankat e nivelit të dytë dhe nga QKR, Prokuroria ka vendosur të zgjerojë hetimin. Në një listë të dytë që organi i akuzës u ka dërguar institucioneve, janë renditur të gjithë të afërmit dhe rrethi familjar i Klement Balilit.
Prokuroria kërkon identifikimin e pasurive në emër të këtyre personave, përfshi edhe kohën kur janë krijuar këto pasuri. Pikërisht ky element, sipas hetuesve, do të krahasohet me kohën kur ka nisur edhe aktiviteti i dyshuar kriminal i Klement Balilit, për të parë nëse ka ndonjë lidhje mes tyre.
Më datën 9 dhjetor 2016, Prokuroria e Krimeve të Rënda kërkoi në Gjykatë caktimin e masës së sigurisë arrest me burg ndaj Klement Balilit. Një ditë më pas, Prokuroria e Krimeve të Rënda hapi edhe një hetim pasuror ndaj 44-vjeçarit nga Saranda, që deri në pranverën e këtij viti mbante edhe detyrën e drejtorit të Shërbimit të Transportit të rrethit.
Një grup prokurorësh nga Njësia Task Forcë e Krimeve të Rënda është duke punuar me identifikimin e gjithë pronave dhe llogarive bankare të Klement Balilit, për të kërkuar më pas ngrirjen e tyre me qëllim që të mos tjetërsohen deri në fund të hetimit.
Në hetim u përfshi edhe kompleksi Santa Quaranta në Sarandë, ku hetuesit shkuan dhe morën gjithë dokumentacionin e pronësisë e të biznesit. Pas verifikimeve, mësohet se ky aktivitet, por edhe pronësia e tokës dhe e objektit, është në emër të personave të tjerë, të cilët tashmë po verifikohen.
KËRKIMET PËR BALILIN
Krahas hetimit pasuror për Klement Balilin dhe të afërmit e tij, po vazhdojnë kërkimet për arrestimin e 44-vjeçarit në kërkim. Pas urdhrit të Prokurorisë së Krimeve të Rënda dhe masës së caktuar në mungesë nga Gjykata, Policia e Shtetit ka kryer disa kontrolle për kapjen e tij në Delvinë, Sarandë dhe Gjirokastër, pa arritur ta arrestojë.
Në fillim të dhjetorit, mes datave 9 dhe 10, u krye një operacion ku janë angazhuar rreth 200 forca policore që punuan në zbatim të Urdhrit të Prokurorit të Krimeve të Rënda, për ekzekutimin e vendimit penal nr.426, datë 09.12.2016, Për caktim mase sigurimi të Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda, e cila ka caktuar masën e sigurimit arrest me burg për shtetasin Klement Balili.
Ky person është i dyshuar për kryerje të veprave penale Trafik i narkotikëve ,Krijim i grupit të strukturuar criminal dhe Kryerjes së veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal, ka njoftuar Policia e Shtetit.
Ndërkohë Prokuroria ka thënë se Klement Balili duhej të arrestohej që prej pranverës së këtij viti, pasi urdhri i Interpolit grek kishte mbërritur që në atë kohë në Tiranë. Ky urdhër mësohet se ka qenë detyrues për Policinë shqiptare.
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/