Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka nisur seancën dëgjimore me dy deputetët, Shkëlqim Selami i LSI-së e Dashamir Tahiri i larguar nga PDIU-ja, dhe me kryebashkiakun e Kavajës, Elvis Rroshi, pas kërkesës së Prokurorisë së Përgjithshme se tre funksionarëve duhet t’u hiqet mandati.
KQZ-ja, para se të marrë vendimin e saj, do të dëgjojë deputetët dhe kryebashkiakun e Kavajës, të cilët, sipas Prokurorisë, preken nga ligji i dekriminalizimit.
Deputeti Selami eshte i pranishem vete ne kete mbledhje ndersa Elvis Roshi dhe Dashamir Tahiri perfaqesohen nga avokatet. Kërkesa e Prokurorisë për heqjen e mandateve me gjasa do të shtyhet për vitin e ardhshëm, pasi vetë kryetari i KQZ-së, Denar Biba, është shprehur se çështja ka nevojë për një analizë të detajuar.
PD mbron Dashamir Tahirin
Gjatë diskutimit në KQZ, përfaqësuesi i Partisë Demokratike, Gazmend Bardhi tha se për rastin e Shkëlqim Selamit dhe Elvis Roshit, mandati duhet hequr.
Ndërsa për rastin e Dashamir Tahirit ai tha se kërkesa e Prokurorisë nuk qëndron.
“Për sa i përket rastit të Dashamir Tahirit, ndaj tij në Itali është bërë ekzekutimi i menjëhershëm i dënimit. Dhe vepra e tij penale është amnistuar në vitin 2006 nga shteti italian. Sipas ligjit të dekriminalizimit ai e ka shlyer dënimin deri në vitin 2014. Dhe ndaj nuk ka asnjë pengesë për të ushtruar funksione publike”, tha Bardhi.
AKUZAT E PROKURORISE
DASHAMIR TAHIRI
Sipas Prokurorisë së Përgjithshme, deputeti Dashamir Tahiri rezulton të ketë fshehur në formularin e dekriminalizimit dy dënime. “Dashamir Tahiri, në vitin 1995 është raportuar nga policia në Foggia për krime lidhur me falsifikimin e parave.
Në vitin 2009 është dënuar nga Gjykata në Ravena (për të vuajtur 9 muaj burgim) për përdorim të një leje drejtimi shqiptare të falsifikuar. Subjekti është kontrolluar disa herë nga policia
Subjekti Tahiri ka dhënë shpjegimet e tij në Sektorin e ‘Dekriminalizimit’, duke deklaruar se nuk ka qenë në dijeni të dënimit me burgim në Ravena. Ndërsa lidhur me procedimin për ‘falsifikim parash’, ka deklaruar se bëhet fjalë për një episod në autostradë, kur ai është mashtruar nga një kamerier lokali, i cili i ka dhënë para false”, thuhet në argumentet e Prokurorisë.
SHKËLQIM SELAMI
Deputet i LSI-së, Shkëlqim Selami, sipas Prokurorisë nuk ka deklaruar arrestimin me burg dhe hetimin ndaj tij për trafik të qenieve njerëzore. “Shtetasi Shkëlqim Selami, me funksion deputet, rezulton se nuk ka deklaruar në formularin e ‘Dekriminalizimit’ të dhëna për një masë sigurimi ‘arrest me burg’, nxjerrë ndaj tij nga ana e Gjykatës së Brindizit, si i dyshuar për pjesëmarrje në organizatë kriminale që merrej me ‘Trafikim të qenieve njerëzore’.
Masa ndaj tij është dhënë në vitin 1994 dhe është ekzekutuar në vitin 2006. Në kuadër të kësaj mase, ai ka qëndruar një javë në paraburgim në Brindizi dhe më pas është lënë i lirë, në vijim të hetimit”, thuhet në kërkesën e Prokurorisë.
ELVIS RROSHI
Ndërsa kryebashkiaku i Kavajës nuk ka deklaruar se është dënuar për veprën penale të “Përdhunimit” në vitin 1995 dhe një sërë ndalimesh të tjera. “Shtetasi Elvis Rroshi, me funksion kryetar i Bashkisë Kavajë, rezulton se nuk ka deklaruar në formularin ‘Për Dekriminalizimin’ si vijon: Një dënim për veprën penale të ‘Përdhunimit’ në grup, në vitin 1995, në Itali.
Nuk ka deklaruar përdorimin e disa emrave në Zvicër. Në prill 1993 ka hyrë në mënyrë të paligjshme në shtetin zviceran dhe ka kërkuar azil. Në 14 maj 1993 është ndaluar nga policia e Zyrihut për një rast droge dhe është dëbuar 4 muaj më vonë. Në korrik 1997 ka hyrë përsëri në mënyrë të paligjshme dhe ka kërkuar azil.
Në gusht 1997 është dëbuar sërish. Në vitin 2015, DEA/US ka informuar autoritetet zvicerane se po hetonin një shtetas të quajtur Enver Rroshi për trafik droge dhe pastrim parash”, ka bërë të ditur Prokuroria.
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/