Media italiane jep alarmin, Lavdrim Muhaxheri në Kosovë. Policia e mohon

Media italiane jep alarmin, Lavdrim Muhaxheri në Kosovë. Policia e mohon

99
0
Shares

Disfata në Siri dhe Irak po kthen në Europë dhe kryesisht në Ballkan xhihadistët e ISIS. Sipas mediave italiane, në Kosovë është kthyer prej 2 muajsh edhe ai që është cilësuar kasapi i Ballkanit, Lavdrim Muhaxheri. L’Espresso thotë se citon burime të inteligjencës italiane në Kosovë, ndërsa policia e Prishtinës e mohon. Por periudha për të cilën L’Espresso flet, përkon me kohën kur edhe u dha lajmi se Muhaxheri ishte porositësi i akteve terrorist në ndeshjen me Izraelin, ngjarje për të cilën pati disa të arrestuar në Kosovë dhe Shqipëri.

L`Espresso në Itali është e vetmja gazetë që e përcjell si informacion, por për pohimet e saj se Lavdrim Muhaxheri është kthyer prej kohësh tashmë, e përjavshmja italiane i mbështet në informacionet e shërbimeve italiane të inteligjencës në Kosovë.

Xhihadistët po vijnë me dhjetëra, si nga Siria ashtu dhe nga Iraku, thotë gazeta. Disfatat në fushën e betejës dhe dëbimi i ISIS-it nga shumë prej territoreve të pushtuara po i shtyjnë luftëtarët e huaj të përshkojnë edhe një herë rrugën e itinerarit të tyre të terrorit.

Objektivi është goditja e Europës në zemër të saj. Një pjesë e mirë e të kthyerve, janë ballkanas sipas L`Espresso-s. Disa prej tyre arrijnë të gjurmohen, por shumica jo, dhe i kërkuari numër një, Muhaxheri apo kasapi i Ballkanit siç e kanë mbiquajtur, ka rihyrë ndoshta dy muaj më parë në Kosovë.

Muhaxheri u mendua disa herë i vrarë në Siri, por në muajin gusht ai vetë i dha fund hamendësimeve kur u shfaq në internet duke buzëqeshur me një Ak-47 në dorë.

Gjithmonë sipas inteligjencës italiane, gjatë kthimit në Kosovë Muhaxherin e kanë shoqëruar 300 apo 400 xhihadistë. Kalimi i këtij eksponenti të njohur të ISIS-it u sinjalizua në Maqedoni nga mesi i nëntorit.

Zëdhënësi i policisë së Kosovës, Daut Hoxha, i tha gazetës Zëri se bazuar në informacionet e autoriteteve te sigurisë së Kosovës dhe të partnerëve ndërkombëtare, Muhaxheri vazhdon të jetë në Siri. Kthimi i tij në Ballkan do të konsiderohej një kërcënim jo vetëm për rajonin, por edhe për shumë vende europiane ku ekstremisti ka kontaktet e veta dhe është në gjendje të godasë.

Lavdrim Muhaxheri rezultoi të ishte porositësi i akteve terroriste në Shkodër gjatë ndeshjes Shqipëri-Izrael. Hetimet e policisë së Kosovës rezultuan se Muhaxheri i kishte organizuar të arrestuarit në Kosovë për të kryer akte të rënda në Shqipëri. Por këto akte u parandaluan katër ditë përpara se të ndodhnin gjatë një operacioni të gjerë të policive të rajonit./ Top Channel

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY