Prokuroria për Krime të Rënda ka sekuestruar hotelin “Rezidenca President” në bregdetin e Sarandës, pasi ekzistojnë dyshimet e arsyeshme se është ndërtuar nga paratë e siguruara prej aktivitetit kriminal në Belgjikë të shtetasit Gentian Ndreu. Prokuroria për Krime të Rënda ka nisur hetimin pasuror në kuadër të ligjit “Antimafia”, pas kërkesës për ndihmë juridike të autoriteteve të Belgjikës. Deri në këtë fazë të hetimit, Prokuroria ka krijuar dyshime të arsyeshme se hoteli është ndërtuar nga të ardhurat e siguruara nga aktiviteti i “Shfrytëzimit të Prostitucionit”, për të cilin është hetuar në Liege (Belgjikë) shtetasi Gentian Ndreu.
Bazuar në të dhënat e deritanishme, prokuroria kërkoi vendosjen e sekuestros mbi këtë pasuri, gjë e cila u miratua nga Gjykata për Krime të Rënda.
Në bazë të të dhënave hetimore rezulton se shtetasi Gentian Ndreu është pjesë e një procedimi penale për “Shfrytëzim prostitucioni” në Belgjikë. Ai akuzohet nga Prokuroria e Liege se, në vitet 1999-2003, ka shfrytëzuar për prostitucion një shtetase shqiptare.
Nga hetimit pasuror, i kryer nga Prokuroria për Krime të Rënda ndaj shtetasit Gentian Ndreu dhe familjarëve të tij, rezultoi se babai i tij, Osman Ndreu ka në pronësi hotelin në Sarandë.
Gjithashtu, rezulton se asnjë prej familjarëve Ndreu nuk ka pasur mundësi ekonomike të mjaftueshme për të ngritur ndërtesën e hotelit, si edhe për zhvilluar sipërmarrje të tillë ekonomike.
Në këto kushte, Prokuroria për Krime të Rënda ka krijuar dyshime të arsyeshme se hoteli është krijuar nga të ardhurat e përfituara nga aktiviteti kriminal në Belgjikë i shtetasit Gentian Ndreu.
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/