Shtetet anëtare konsiderojnë se Shqipëria duhet të përmbushë 8 kritere para hapjes së negociatave të anëtarësimit. Kjo reflektohet në draft-konkluzionet e 28 ambasadorëve të përhershëm të BE-së, ku përveç përmbushjes së 5 kritereve kyçe nga KE-ja, shtetet anëtare kanë shtuar edhe kriterin për zbatimin e ligjit të dekriminalizimit, zgjedhje sipas standardeve ndërkombëtare dhe marrëdhënie të mirë me fqinjët.
Shtetet anëtare sfidojnë qeverinë shqiptare dhe Komisionin Europian. Shqipëria ka më shumë se 5 kritere për të përmbushur për hapjen e negociatave të anëtarësimit të vendit në BE. Ky është qëndrimi i 28 shteteve anëtare i reflektuar në tekstin e draft-konkluzioneve të ambasadorëve të përhershëm të BE-së, që do të diskutohet nga ministrat e jashtëm të BE-së në 13 dhjetor. Në versionin provizor të draft- konkluzioneve thuhet, se para hapjes së negociatave të anëtarësimit, duhet siguruar zbatimi gjithëpërfshirës dhe i qëndrueshëm i pesë prioriteteve kyçe.
1. Së pari, Këshilli i ministrave të BE-së i kërkon Shqipërisë zbatimin e reformës së drejtësisë për rritjen e profesionalizmit, pavarësisë dhe eficencës së këtij sistemi, përfshirë gjykatat dhe ligjin e vlerësimit të prokurorëve dhe gjykatësve. Vlerësohet drejtimi pozitiv për krijimin e një gjurme provash në hetimet, ndjekjet dhe dënimet përfundimtare, po kërkohen rezultate konkrete dhe të qëndrueshme.
2. Këshilli i kërkon Shqipërisë të intensifikojë përpjekjet dhe arritjen e rezultateve konkrete në luftën kundër korrupsionit të nivelit të lartë, të sigurohen arritje në shkatërrimin e rrjeteve të krimit të organizuar dhe të trajtohen problemet e prodhimit dhe trafikut të drogës. Për Këshillin, numri i ulët i dënimeve për raste e krimit të organizuar, përfshirë rastet e pastrimit të parave dhe trafikut të qenieve njerëzore mbetet një çështje për t’u trajtuar përmes masave si bashkëpunimi i zyrës së prokurorisë dhe policisë së shtetit. Këshilli sheh progres në luftën kundër radikalizimit dhe ekstremizmit
3. Këshilli nënvizon rëndësinë e forcimit të masave për respektimin e të drejtave të njeriut dhe të politikave anti diskriminuese, duke përfshirë trajtim të njëjtë për të gjitha minoritetet dhe aksesin e personave që i përkasin këtyre minoriteteve në gjithë Shqipërinë, si dhe zbatimin e plotë të ligjit të pronave. Në këtë kontekst, Shqipëria duhet të trajtojë boshllëqet në aspektin ligjor.
4. Këshilli mirëpret miratimin e ligjit për pastërtinë e figurës së personave të zgjedhur, të emëruar apo që ushtrojnë poste publike dhe ndryshimet kushtetuese lidhur me këtë. Zbatimi i kësaj kornize që mundëson përjashtimin e personave të inkriminuar nga postet publike është kyçe për rritjen e besimit të qytetarëve te përfaqësuesit politikë apo institucionet publike.
5. Këshilli konsideron se Shqipëria duhet të përforcojë përpjekjet për të luftuar ekonominë informale për forcimin e klimës e biznesit dhe investimeve dhe të ndjekë në mënyrë rigoroze konsolidimin fiskal.
6. Këshilli konsideron, se dialogu midis qeverisë dhe opozitës për reformat e integrimit mbetet kyç për avancimin e vendit në integrimin europian. Një rëndësi të veçantë ka gjithashtu finalizimi i reformës elektorale duke përmbushur rekomandimet e OSBE/ODHIR mjaftueshëm para zgjedhjeve parlamentare, në mënyrë që të sigurohen zgjedhje sipas standardeve ndërkombëtare.
7. Këshilli mirëpret qasjen konstruktive në politikën rajonale të Shqipërisë dhe thekson rëndësinë e sigurimit të fqinjësisë së mirë, që mbetet thelbësore. Aksione dhe deklaratat që ndikojnë negativisht në marrëdhëniet bilaterale duhen të evitohen.
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/