Spiro Nika, anëtari i bandës së trafikut të drogës në Greqi, e drejtuar nga shqiptari me pseudonimin “Genti”, duket se ka ndërruar identitet. Ai është banor i fshatit Çuke në Sarandë, 47 vjeç, dhe para se të ndërronte identitet, ka patur emrin Abaz Halit Taqe.
I njohur si pjesë e “Grupit të Konispolit”, Abaz Taqe, është dënuar nga Gjykata e Lartë më 23.05.2002 me 15 vjet burg për veprën penale “rrëmbim personi”.
Me të njëjtin vendim u dënuan edhe dy persona të tjerë bashkëpunëtorë në veprën penale të rrëmbimit, edhe këta banorë të Konispolit, Flamur Rako, me 25 vjet burg, e Haxhi Idrizi, me 18 vite burg.
Ngjarja e bujshme për të cilën akuzohen tre personat, mes tyre edhe Abaz Taqe, ka ndodhur në 27 qershor 1997 në fshatin Vrinë, rreth 1 km larg qytetit antik të Butrintit dhe rreth 20 km larg qytetit të Sarandës.
Flamur Rako, Haxhi Idrizi, Abaz Taqe e Elton Korça, që të katërt banorë të Konispolit, akuzohen se kanë rrëmbyer 17-vjeçaren D. Dh; në një ngjarje ku Rako akuzohet se ka vrarë me armë zjarri edhe babanë e17-vjeçares, J. Dhimitri.
17-vjeçarja është mbajtur atëherë për disa ditë nga rrëmbyesit e fshehur në Syrin e Kaltër, ndërkohë që është liruar pak ditë pas ngjarjes, tek një hotel në qytetin e Sarandës, ku në përpjekje për lirimin e 17-vjeçares pati edhe një shkëmbim zjarri, gjatë së cilit mbeti i vrarë njeri prej rrëmbyesve, pikërisht Elton Korça.
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/