Për shkak të punës në biznes, por edhe angazhimeve të tjera, më duhet të takoj shumë njerëz në ditë të profile të ndryshme. Të njohur e të panjohur, njerëz biznesi, të politikës, të diplomacisë, të kulturës e shumë e shumë të tjerë. Por dua të veçoj vizitën që më bëri një miku im para pak ditësh në zyrë, për arsyen e thjeshtë sepse biseda me të përmban një problematikë që e has sot çdo qytetar shqiptar.
Ai punon prej vitesh dhe ka ruajtur njëfarë stabiliteti ekonomik. Ka arsimuar fëmijët dhe jeton në kushte normale. Kam ditë që dua të pi një kafe dhe të flas hapur më tha. Pak vite më kanë mbetur për të punuar dhe dalë në pension së bashku me gruan. Shkova dhe u interesova te zyra e Sigurimeve Shoqërore për pensionin, pasi sa më shumë më afron koha e daljes në pension, aq më shumë më kap paniku.
Nuk dua të kem asnjë barrë apo shqetësim taksor. Sepse ti e di, kur nuk e udhëheq vetë punën vështirë të gjesh njeri të ta udhëheqë. Por e di ç’më thanë te Sigurimet? Pensioni im do të jetë rreth 18 mijë lekë, ndërsa i gruas rreth 16 mijë lekë. Të them të drejtën u mërzita sa dhe gjithë këto ditë kemi qenë të shqetësuar. Të gjithë e dimë që pensionet te ne janë të ulëta, por nuk e mendoja kurrë që me gjithë ato vite që kam paguar kontribute të më dilte një pension qesharak.
Kam punuar 20 vjet në punë shteti dhe 20 vjet në biznesin tim privat dhe i kam paguar të gjitha detyrimet. Mendoja se do të merrja diku te 50 apo 60 mijë lekë në muaj, sepse edhe pagesat që kam bërë kanë këtë performancë. Po tani s’di ç’të bëj. Sado që kam punuar gjithë jetën e kam vënë “dy lekë” mënjanë, nuk mundet të mbahem me ato kursime dhe t’u bëhem barrë fëmijëve të mi.
Po e dëgjoja me vëmendje, edhe pse këtë histori e kisha dëgjuar me dhjetëra, në mos qindra herë më parë. Kjo sepse njoh shumë persona të tillë që kanë punuar gjithë jetën e tyre dhe në fund kanë dalë me një pension qesharak, i cili as për ilaçet nuk mjafton në atë moshë. Njoh plot miq të mi që kanë paguar me miliona lekë sigurime shoqërore, 27% të pagës dhe 3.4% sigurime shëndetësore dhe kur vjen mosha e pensionit, sa marrin? Vetëm 15 mijë lekë të rinj!
Ndaj ka kaq shumë konflikte sot në familje, sepse të moshuarit shpeshherë bëhen barrë financiare për të rinjtë. Dhe jo se fëmijët nuk i duan prindërit e tyre, apo nipërit e mbesat nuk i duan gjyshërit, por sepse shumë prej tyre nuk kanë të ardhura të mjaftueshme për të përballuar kostot e jetesës. Dhe, përveç fëmijëve, të kesh dy të moshuar në shtëpi që kanë nevojë për shumë shërbime, të cilat kushtojnë, bëhen shkak për situata jo të këndshme familjare dhe krijojnë një problem të madh social. Po i them mikut tim, ti ke paguar 40 vjet sigurime shoqërore, por ti nuk i ke paguar për veten, i ke paguar për shoqërinë. Në Shqipëri deri më tani 1.2 punojnë dhe njëri merr pension kur në botë është 4 deri 5 veta punojnë dhe njeri merr pension e ky raport sa vjen dhe thelohet.
* * *
Vitet e fundit ka ndryshuar paksa situata sa u përket numrave, për shkak të ndryshimeve demografike dhe plakjes së shpejtë të popullsisë, së cilës as shoqëria jonë nuk mund t’i shmanget dot. Aktualisht rezultojnë rreth 800 mijë kontribuues të rregullt të sigurimeve shoqërore dhe nga këto, rreth 600 mijë persona që përfitojnë nga këto sigurime. Në pamje të parë ndryshimi numerik nuk duket të jetë shumë i madh. Por sa përfitojnë realisht këta persona? Nga të dhënat zyrtare për vitin 2015 rezulton se një pension mesatar pleqërie në zonat urbane është rreth 14 mijë lekë të rinj, një pension invaliditeti është rreth 12 mijë lekë të rinj, ndërsa një pension mesatar familjar është rreth 7 mijë lekë të rinj.
Akoma më e rëndë paraqitet situata me pensionet rurale, ku një invalid përfiton vetëm 6500 lekë të rinj, një pension pleqërie përllogaritet 8 mijë lekë të rinj, ndërsa pensioni familjar mesatar përllogaritet rreth 3200 lekë të rinj. A mundet të më thotë dikush se çfarë mund të bëjë një invalid me 6500 lekë në muaj? Kur atij/asaj as për nevojat personale nuk i dalin këto para.
A del dikush të më arsyetojë se me çfarë mundet të jetojë një i moshuar në qytet, të cilit mesatarisht i duhen 15-20 mijë lekë të rinj në muaj vetëm për ilaçet, si pasojë e shqetësimeve shëndetësore të moshës, apo kur fatura e ujit i kalon 7 mijë lekë të rinj në muaj, apo kur faturat e tjera të ujit dhe detyrimeve ndaj shtetit i kalojnë disa herë pensionin që ai merr? Si mundet që të mbijetojë një i moshuar me këto kushte kur shteti i jep vetëm 14 mijë lekë të rinj në muaj si pension, pavarësisht se ka punuar gjithë jetën dhe i ka dhënë shtetit me miliona lekë?
* * *
E njëjta gjë në sigurimet shëndetësore paguhet 3.4% e pagës dhe përfitohet asgjë, pse duhet të jetë kjo situatë, a nuk ka nevojë për një reformë reale, ku në bazë do të jetë ndërthurja e biznesit privat me atë shtetëror, duke realizuar një reformë që bota ka vite që e ka bërë dhe nga dita në ditë, ajo vetëm thellohet. “Por, a ka ndonjë zgjidhje tjetër?”, më pyeti me qetësi miku im, teksa bisedonim në zyrë, ndonëse shqetësimi i tij ishte shumë i qartë.
I shpjegova se si është zgjidhur kjo në vendet e zhvilluara në botë, por dhe deri te fqinjët tanë maqedonas. Ka disa skema ku qytetari paguan për veten dhe jo për të tjerët. Por këto skema duhet të nxiten dhe miratohen nga shteti. Nëse ky 27%, që mbahet nga paga çdo punëmarrësi, të ndahej në 24% sigurime shoqërore për shtetin dhe 3% për vetë të siguruarin, atëherë ti, unë e kushdo tjetër do të kishte pensionin privat, përveç atij shtetëror.
Dhe totali i të dyve do të jepte mbi 60 mijë lekë të rinj në muaj, që besoj se është normal për një çift të moshuarish që jetojnë në Shqipëri. Miku më shikonte i habitur dhe insistonte pse nuk bëhet kjo skemë, ndërsa unë qeshja nën zë, sepse e di shumë mirë që kjo skemë është shumë e thjeshtë dhe e mundshme për t’u realizuar, por mungon vetëm dëshira dhe vullneti i institucioneve përkatëse shtetërore.
“Miku im, mirë e ke ti, por po të bëhet kjo, ti nuk do të shkosh më në zyrat e shtetit sepse do të jesh i pavarur nga pensioni shtetëror, plus atë privat që të del në fund dhe kjo nuk u pëlqen qeverive. Nuk u pëlqen, sepse nuk kanë ku të gënjejnë se do të rrisim pensionet kaq apo aq. Pra, mbyllet një mundësi gënjeshtre elektorale”. E njëjta situatë ndodh edhe me shërbimin shëndetësor, i cili mund të jetë me të njëjtin program si pensionet (shtetëror+privat), pasi programi shëndetësor shtetëror nuk i mbulon nevojat reale që ne kemi.
Nëse 3.5% që paguhet për sigurimin shëndetësor në shtet do të ndahej në dy pjesë, atëherë do të kishim një mbulim real dhe shërbim konkret mjekësor në spitalet private, apo ato shtetërore. Përse nuk bëhet? Përgjigjja është e njëjtë: një premtim elektoral për shërbim mjekësor falas. Ndërsa kjo do ishte reforma reale dhe më pas shërbimi shëndetësor real.
Kaq, asgjë më tepër nuk ka të vërtetë në funksionimin e skemës së pensioneve shtetërore dhe shëndetësisë në shtet. Në rrjedhën e bisedës po i flisja edhe për sigurimet e tjera, për sigurimin e shtëpisë, dyqanit, sigurimin e përgjegjësive etj., dhe miku më shikonte habitshëm në sy. “Por ne nuk i dimë të gjitha këto, pse nuk na i thoni ju?”, m’u drejtua në një moment. Ne jua themi shumë herë, por ju nuk i bëni se mendoni se nuk ju ndodh gjë. Vetëm kur bëni aksident, apo kur ju përmbytet shtëpia, apo kur sëmureni kujtoheni për sigurimet. Po shteti pse hesht? Mund të pyesë ndonjëri prej jush, sikundër vazhdonte të më pyeste miku im përgjatë bisedës.
Sepse shtetit nuk i intereson që ti të kesh pavarësinë tënde, të kesh dentistin privat, të kesh shërbimin shëndetësor në privat, të kesh shtëpinë e siguruar nga zjarri e nga përmbytjet, të kesh pensionin privat të garantuar e kështu me radhë. Pra, ti s’do të kesh më nevojë të shkosh në bashki, në ministri dhe në asnjë institucion tjetër shtetëror, sepse ke pavarësinë tënde e nuk ia ke nevojën shtetit. Tani, shteti me të drejtë po mendon për kompensimin e lopëve të ngordhura dhe njerëzit që pyesin çfarë do të bëjë shteti.
Kur kjo do të ishte zgjidhur shumë lehtë, ndoshta edhe me një ombrellë sigurimi të të gjithë gjedhëve në Shqipëri dhe sigurimin mund ta paguante shteti, këto njerëz shkonin në zyrat e shoqërive të Sigurimit dhe jo duke i bërë SMS ministrit, apo Kryeministrit. Reformë do të thotë gërshetim i marrëdhënieve private me ato shtetërore në interes të qytetarëve, që ai të ndihet më mirë që ai të ketë më shumë personalitet.
* * *
Nëse të gjitha këto skema kaq të nevojshme për popullin do të realizoheshin, atëherë me kë do të merreshin më pas shtetarët tanë?! Ata kënaqen kur shohin njerëz të enden nëpër dyert e institucioneve dhe të shtyhen në radhë si në kohën e Enverit. Radhët e gjata tregojnë se njerëzit kanë halle dhe këto halle mund t’i zgjidhin vetëm duke shkuar nëpër zyrat e shtetarëve dhe jo diku tjetër. Shtetarëve u duhen njerëz hallexhinj, njerëz pa personalitet dhe të tillë njerëz u duhen me shumicë, që me demek të tregojnë sa më shumë vepra “të mira” në shërbim të qytetarëve bëjnë.
Privatizimi dhe shërbimet private e largojnë qytetarin nga zyrat e shtetit, e bëjnë njeri me personalitet të fortë, të guximshëm përpara kujtdo shtetari apo njeriu me pushtet, e bëjnë të pavarur. Por kjo nuk u intereson aspak shtetarëve, sepse nuk mundet që më pas të gjejnë kauzat e tyre elektorale, për të premtuar lloj-lloj gjërash dhe ëndrrash, do të rrisin pensionet, do të ofrojnë shëndetësi falas, do të luftojnë korrupsionin e dhjetëra premtime të tjera, të cilat ashtu siç thuhen, ashtu edhe mbeten!
Që qytetarët të mos mbeten të varur nga shteti dhe premtimet elektorale të shtetarëve, që qytetarët të mos ende dyerve të zyrave të shtetit dhe të mos kthehen në individë qaramanë e pa personalitet, duhet që skemat private të fillojnë të funksionojnë si në çdo vend të botës. Prandaj, edhe Zvicra, Austria, Hungaria, Bullgaria etj., janë aty ku janë, sepse këto skema, skema e sigurimit të shëndetit, të pensionit privat, të sigurimit të jetës, të shtëpisë dhe të çdo gjëje tjetër me vlerë funksionojnë më së miri dhe janë bërë pjesë e kulturës së çdo qytetari.
Ndaj, edhe një zviceran, austriak, gjerman, apo të kujtdo kombësie tjetër, nuk ia ka nevojën asnjë shtetari, madje as nuk e di se cilin ka kryeministër, cilin ka ministër apo kryetar bashkie. Në Shqipëri, shteti nuk ka për të na i “falur” kurrë këto programe, për të gjitha arsyet e lartpërmendura. Nëse duam që të jemi si çdo qytetar tjetër në Europë e botë, duhet të mësojmë t’i bëjmë pjesë të kulturës sonë sigurimet dhe të gjitha skemat që na japin zhvillim, na japin liri e mbi të gjitha na japin personalitet. Ka ardhur koha të paguajmë për veten dhe jo për të tjerët!
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/