Tre deputetët e Bundestag-ut që lexuan Tiranë 7 kushtet që Shqipëria duhet të plotësojë për të hapur negociatat, kanë pasur përplasje të ashpra në takimin që kanë zhvilluar me kryeministrin Edi Rama para konferencës për shtyp. Debati është zhvilluar në zyrën e kryeministrit dhe përplasja më e fortë ka qenë mes Ramës dhe deputetit Hans Joachim Falenski. Burime të Hashtag zbulojnë se Falenski i ka thënë kryeministrit Rama se po mashtronte me kanabisin.
Kryeministri Rama nisi të mbronte punën e qeverisë së tij, sidomos për sa i takon çështjes së kanabisit dhe krimit të organizuar. Rama përmendi dhe raportet e Delegacionit të BE-së në Tiranë si një tregues që mbështeste thëniet e tij.
Por në këtë moment deputeti i CDU-së Falenski, ka flakur në drejtim të Ramës pikërisht një raport të BE-së, duke i thënë se po mashtronte dhe se kanabisi dhe krimi i organizuar ishin problem që nuk ishte mohuar ndonjëherë nga BE-ja.
Më tej, Falenski i bëri të ditur kryeministrit shqiptar se përveç raporteve administrative, ekzistonin dhe raporte të specializuara të inteligjencës që kishin zbardhur veprimtaritë kriminale, shprehet burimi diplomatik.
Nga ana tjetër, burime të lapsi.al thanë se përplasja ka qenë e fortë edhe me kreun e Komisionit për Çështjet Europiane në Bundestag, deputetin e CSU/CDU, Gunther Krichbaum.
Sipas këtyre burimeve është dashur ndërhyrja e ambasadores gjermane në Shqipëri, Susanne Schütz, për të qetësuar deputetin Krichbaum, i cili gjithashtu i ka bërë të ditur Ramës faktin se qeveria e tij nuk i kishte plotësuar kushtet që BE të hapë negociatat, për shkak të korrupsionit të përhapur gjerësisht në nivelet e larta, për shkak të moszbatimit të ligjit të dekriminalizimit, të kultivimit të drogës në të gjithë vendin dhe të fuqizimit të krimit të organizuar, që i ka forcuar lidhjet me politikën.
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/