Lule, lot dhe zemërim. Ka qenë kjo skena që ka mbizotëruar sot paradite në qytetin e Vlorës në vendin e aksidentit, aty ku disa orë më parë gjatë mesnatës humbi jetën një 17 vjeçar dhe u plagos drejtuesi i mjetit.
Nëna dhe babai i Kristo Panajotit prej dhimbjes së humbjes së djalit të tyre 17 vjeçar, në një aksident te Lungomare, nuk i kursyen as gurët në drejtim të mjeteve që punojnë në këtë aks rrugor, që duket se ka qenë edhe shkaku i vërtetë i këtij aksidenti.
Ndërsa vizuan vendin ku humbi jetën djali i tyre, i ati i Kristos shkoi dhe më tej kur u betua se do të bëjë vetëgjyqësi nëse nuk dënohen shkaktarët e vërtetë të aksidentit “Kriminela! Po nuk vajtën në burg aty do ti varros!”
Policia që nisi menjëherë hetimet duket se e ka gjetur të paktën një nga shkaktarët e aksidentit që sipas saj është drejtuesi i mjetit, 21 vjeçari Petraq Beja, i cili ndodhet në spital jashtë rrezikut për jetën.
Sipas policisë, drejtuesi i automjetit ka shkelur rregullat e qarkullimit rrugor edhe pse nuk është qartësuar se cilat rregulla ka shkelur.
Në vendin e ngjarjes duket qartë që nuk ka as sinjalistikë dhe as ndriçimin e duhur për ti orientuar drejtuesit e automjeteve.
Dhe ndoshta për këtë policia ka nisur të marrë në pyetje përfaqësuesit e firmës nënkontraktore.
Sipas policisë, materialet do ti referohen Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Vlorë në ngarkim të firmës nën/kontraktore, në pritje të konkluzioneve që do të dalin nga ekspertët dhe nga hetimi i mëtejshëm, i cili do të përcaktojë shkaqet e vërteta të aksidentit.
Aksidenti që i mori jetën 17-vjeçarit ndodhi mesnatën e së shtunës në zonën e Ujit të Ftohtë, aty ku prej dy vitesh po kryhen punimet për projektin e Lungomares.
Automjeti ka dalë nga rruga duke rënë në gropën e hapur e për pasojë mbeti viktimë 17-vjeçari dhe i plagosur drejtuesi i automjetit që është edhe i afërm i adoleshentit.
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/