Ky takim ka të bëjë me fazën finale të procesit të hapjes, të bashkimit, të përgatitjes së PD dhe të opozitës për të marrë përsipër përgjegjësinë e madhe, barrën e kthimit të shpresës tek Shqipëria, te shqiptarët, për një Shqipëri që i ofron shanse dhe mundësi të gjithëve.
Bashkërisht edhe këto javë, këto muaj, kemi qenë pjesë e një faze konsultimi e bashkëbisedimi me njerëzit me qytetarët me anëtarët e PD. Ky konsultim ka qenë i vazhdueshëm, por tashmë në këtë fazë përfundimtare , do të na duhet që së bashku me ju, me drejtuesit e PD në rrethe dhe këtu në qendër të marrim vendimet e aksionit tonë politik, të marrim vendimet që presin shqiptarët për alternativën tonë për programin tonë, për ekipin tone, për përfaqësimin tonë para shqiptarëve. Jam i bindur se me këtë konsultim që i ka kaluar gjithmonë konturet e partisë tonë politike dhe, që ka përfshirë gjithë qytetarët e ndershëm të këtij vendi dhe do ti përfshijë të gjithë ata që duan të jenë pjesë e ndryshimit të vërtetë, ne do të konkludojmë me vendimet e duhura, si i përsa i përket aksionit politik, ashtu edhe sa i përket alternativës, programit, ekipit tonë të ri.
Lajmet e këtyre ditëve nuk janë lajme të mira. Realiteti ynë i drogës i krimit, i korrupsionit tashmë, jo vetëm është kuptuar, por po theksohet nga e gjithë Europa.
Mediat dhe politikanët e Europës po flasin hapur dhe pa dorashka. Ky realitet që shqiptarët e përjetojnë përditë në kurrizin e tyre, në shtëpitë dhe familjet e tyre, tashmë po vë në rrezik integrimin europian të vendit. E shohim e prekim, janë fakte që i di unë, i dini ju, i dinë demokratët, i dinë opozitarët, i dinë të gjithë, i di e gjithë Shqipëria, të gjithë i kuptojnë. Ka vetëm një njeri në botë që nuk e sheh këtë realitet dhe i fshihet me vetëmohim. Ky person fatkeqësisht është kryeministri aktual i vendit . Në vend që të reflektojë për gjendjen ku është zhytur Shqipëria, në vend që të reflektojë për mesazhet e forta që nuk kanë nevojë për ndërmjetës, ai ka zgjedhur të fshehë realitetin dhe të vazhdojë avazin e tij të propagandës së shfrenuar, trushplarjes dhe keqinformimit të qytetarëve shqiptarë me regji qendrore.
Sot dhe tash tri vite në Shqipëri janë përjetuar dy botë, bota – realiteti, ku jetojnë shqiptarët dhe bota ku jeton Edi Rama. Kjo e fundit është bota e luksit, është bota e avionëve privatë, e çarterave, është bota e ekspozitave të kushtueshme në kryeqendrat e botës, është bota e qejfit, e udhëtimeve. Është bota e indiferencës totale ndaj realitetit ku jeton pjesa tjetër e shqiptarëve.
Sepse, shqiptarët jetojnë në një botë të varfërisë që shtohet, të papunësisë që shtohet, të krimit, të drogës, të fëmijëve në shkolla në gjendje të mjerueshme, të fëmijëve pa shkollë, të shëndetësisë në ditën e vet më të zezë, të njerëzve të dëshpëruar e të shtyrë deri në aktet më tragjike si lajmi i tmerrshëm që morëm sot nga Fllaka e Durrësit dhe gjithë ky realitet ka përballë një njeri, Edi Ramën i cili ka humbur vullnetin, dëshirën dhe mundësinë për ta parë këtë botë. Në zyrë e keni parë, i ka veshur muret me skicat e vizatimeve të tij, krenohet me skicat e vizatimeve të tij në vend që të kishte në zyrën e tij hallet e panumërta të shqiptarëve dhe skicat e projekteve për të zgjidhur këto probleme.
Edhe kur i duhet të dalë nga zyra, çfarë bën?
Merr me vete botën e tij të izoluar të luksit. E keni parë besoj sa herë që vjen me regji qendrore dhe bën të ashtuquajtura takime me qytetarët edhe në fshatrat më të thellë e më të varfra të Shqipërisë, merr gjithmonë me vete karriget e rehatshme të Tiranës. Edhe sot në Peqin, nuk besoj se ishin karriget e Peqinit ato ku ishin ulur fermerët, jo, jo, janë karriget e luksit. Merr me vete botën e tij të luksit e transporton për pak minuta me regji qendrore dhe kur përballet me hallet e njerëzve siç u përball sot në Peqin, me atë zonjën që Ishte studente ekselence dhe që e ka të pamundur të gjejë vend pune si infermiere, çfarë bën; i trajton hallet si gënjeshtra, si ankesa dembelesh, i trajton hallet si sajesa sharlatanësh apo i stigmatizon si njerëz që janë aty jo për hallet e tyre, por për hallet e opozitës. Apo i stigmatizon si njerëz, të cilët janë aty jo për hallin e tyre, por për hallin e opozitës. Sepse, në botën e tij, fajin gjithmonë e ka dikush tjetër. Fajin nuk e ka kurrë as qeverisja, as kryeministri. Një ditë fajin e ka populli, pothuajse çdo ditë në fakt, ditën tjetër fajin e kanë mediat, çdo ditë fajin e ka opozita sepse për të, opozita është armiku kryesor. Është armiku më i madh, siç e ka thënë, me i madh se krimi, droga apo korrupsioni.
Droga po mbyt Shqipërinë. Edi Rama thotë, fajin e ka opozita. Krimi ka shtënë në dorë shtetin, ekonominë, ky thotë fajin e ka opozita. Klientët e tij po plaçkitin çdo pasuri të vendit ku me ta ashtuquajturat koncesione që në fakt janë monopole qeveritare, ku me tendera korruptivë, ku me grabitje ashiqare të njerëzve të lidhur me të dhe me pushtetin e tij, Shqipëri po zbrazet, njerëzit po ikin, ky thotë; fajin e ka opozita. Bota dhe Europa në veçanti po i bie kambanave të alarmit, për drogën, për krimin, për korrupsionin, për gjendjen e vendit dhe përgjigjja e tij është; fajin e ka opozita.
E di që nuk kanë mbetur shumë njerëz që shpresojnë se Edi Rama mund të ndryshojë, por nëse ka mbetur ndokush për fat të keq do të zhgënjehet. Tashmë Edi Rama e ka braktisur krejtësisht popullin e tij, vendin dhe të vërtetën. Ka braktisur të vërtetën. Tani, ai është një skllav i egos së tij, i etjes së tij për luks, për pushtet, për para dhe për famë personale në kurriz të popullit më të varfër të Europës dhe kjo e ka çuar te një grusht klientësh dhe te krimi.
Ndaj ne do të bëjmë detyrën tonë të shenjtë. Jo thjesht atë që nuk po bën Edi Rama dhe qeveria e tij, por atë që është detyra jonë ekzistenciale, arsyeja përse ekzistojmë si parti politike, përse jemi mbledhur këtu në këtë sallë.
Përse kemi marrë përsipër përgjegjësitë me të cilat na kanë investuar demokratët, ajo detyrë është; të mendojmë për njerëzit, t’u gjendemi gjithmonë pranë, e në veçanti atyre që janë në nevojë. Braktisjes totale nga Edi Rama, të realitetit, të të vërtetave, ne duhet t’u përgjigjemi me solidaritet, me ndihmë për qytetarët dhe me një raport të pastër me të vërtetën e qytetarëve.
E kemi bërë këto tre vite, mund, duhet dhe kam bindjen se do ta bëjmë edhe më mirë. Të vërtetën e qytetarëve. Nga ana tjetër, kjo gjendje e vërtetë ekonomike, kjo gjendje e vërtetë shoqërore psikologjike, ky depresion, duhet të reflektohet në hartimin e një buxheti realist që ka në themel nevojat e njerëzve. Për këtë arsye, kërkoj nga ju, nga drejtuesit tuaj kudo ku ndodhen, të ndërmarrin një proces verifikimi, evidentimi, regjistrimi konkret të të papunëve, të të pastrehëve, familjeve pa të ardhura apo me të ardhura minimale, pra njerëzve në vështirësi ekonomike, të njerëzve të goditur nga fatkeqësitë natyrore, nga përmbytjet, nga sëmundjet siç është dermatoza nodulare, që po bën kërdinë në zonat rurale, nga prishjet e paligjshme të objekteve për të mundësuar, jo këtë buxhet që ka sjellë ky, se ky do të jetë buxheti më jetëshkurtër në historinë e Shqipërisë, por që buxheti ynë t’i përgjigjet realisht këtyre nevojave sepse buxheti ynë, buxheti im, buxheti i Partisë Demokratike, nuk do të shkojë për kolltuqe, për palma, për fasada, por do të shkojë në radhë të parë dhe mbi të gjitha, për njerëzit në nevojë që sot përbejnë për fat të keq shumicën dërrmuese të qytetarëve shqiptarë.
Nuk mund të lejojmë, dhe nuk do të lejojmë qindra miliona euro për fasada, ndërkohë që familjet në nevojë ekonomike nuk marrin ndihmën ekonomike. Ata që e marrin, e lënë po atë ditë për faturat e energjisë, për faturat e ujit, për gjobat, për penalitetet, për kamatvonesat. Me qeverinë tonë, qëllimi i parë dhe kryesor është që asnjë familje nuk do të mbetet pa bukë, pa ujë dhe pa drita. Ç’më duhet mua si kryeministër 600 mijë lek palma, kur ka njerëz që nuk kanë bukë të ushqejnë fëmijët në darkë? Çfarë kryeministri do të isha nëse do të pranoja shpenzimin e 140 milionë eurove në një vit për 11 klientët e mi, kur me këto para mund të kisha hapur 55 mijë vende pune. 55 mijë vende pune! Kjo krizë ekonomike dhe sociale që vendi po kalon, fakti që sot mijëra familje diskutojnë bukën e fëmijëve, pamundësia për të paguar çmimin e rritur në energjisë e cila sipas EUROSTAT është më e larta në rajon, ky realitet nuk futet, nuk depërton dot, në zyrën me vizatime të Edi Ramës.
Ky popull e paguan energjinë më shumë se çdo popull tjetër në Ballkan. Këto janë vijat tona të kuqe të papranueshme, jo vetëm sot si opozitë por dhe nesër në qeveri. Propaganda me suksese imagjinare duhet dhe do të marrë fund me fundin e kësaj qeverie. Prandaj kërkoj që brenda 15 Janarit, degët tona, aktivistët tanë, anëtarët tanë, simpatizantët tanë, këshilltarët tanë bashkiakë, deputetët tanë, kryetarët tanë të bashkive, të evidentojnë me saktësi në çdo rreth të Shqipërisë gjendjen reale të papunësisë jo thjeshtë si statistikë por si njerëz me halle e brenga, pra si njerëz me emër dhe mbiemër, njerëz që janë në vështirësi ekonomike që nuk kanë asnjë të ardhur, të gjithë ata që kanë pësuar dëme nga fatkeqësitë natyrore, nga përmbytjet, që u janë sëmurur bagëtitë, atyre që u janë prishur pa të drejtë banesat. Këto të dhëna do të vihen në funksion të përfundimit të programit social dhe hartimit të buxhetit realist të Partisë Demokratike, që do të adresojë saktësisht këto nevoja.
Alternativa jonë do të jetë një alternativë realiste siç i takon çdo vendi demokratik dhe jo përralla, as fjalë në hava, por plane të mbështetura tërësisht në nevojat e qytetarëve dhe në mundësitë që kemi për ti përballuar prej ditës tonë të parë në qeverisje. Ky është misioni i një qeverie. Kemi të saktë problematikën ekonomike dhe sociale në çdo zonë të vendit. Nuk mund të lejojmë më dhe nuk do të lejojmë, që në kufijtë e mbijetesës, shqiptarëve t’u ofrohet përsëri gënjeshtra e 20 mijë lekëshit apo e thesit me miell në prag të zgjedhjeve. Do ti garantojmë përmes këtij procesi transparent të vërtetë dhe konkret që nesër qeveria jonë, qeveria ime do të mundësojë që çdo familje shqiptare të ketë bukë, ujë dhe drita. I kemi dhënë zgjidhje kësaj në platformën tonë. Kemi diskutuar bashkërisht me qytetarët duke marrë përsipër në buxhetin e shtetit pagesën e plotë për familjet në nevojë ekonomike deri në 200 kilovat, edhe faturën e ujit për të gjithë familjet në nevojë, për të gjithë familjet e varfra.
Është e papranueshme, e theksoj; është kriminale dhe do ta trajtojmë si kriminale në aspektin kriminal dhe në aspektin financiar që miliona dollar, 100 milionë dollarë vetëm këtë vit, kanë shkuar për makina, për luks, për palma ndërkohë që njerëzit janë pa bukë, pa ujë dhe në errësirë. Kjo në qeverisjen time, kjo në qeverisjen tuaj, do të marrë fund.
Në mënyrë konkrete i bëj sot thirrje qeverisë të kryejë menjëherë vaksinimin e plotë të të gjithë lopëve të prekura nga dermatoza nodulare. Janë 400 mijë lope në gjithë vendin. Qeveria duhet të akordojë mjaftueshëm para për të blerë vaksinat për çdo lopë. Kushtojnë më pak se sa ryshfeti shtesë që i jep një nënkontraktoi për të ndërtuar shtabin e ri të hajdutërisë të OSHEE-së. Kushtojnë më pak se 1 milionë dollarë. Nuk i gjejnë 1 milionë dollarë për bagëtitë e fermerëve sepse ato para i përdorin për çartera. Ashtu si nuk gjen dot 8 milionë lekë për të riparuar aksin nacional në Bërzhitë për 1 vit sepse 10 milionë lekë merr çarteri për në Hamburg. Po kështu, me këtë kërkesë dua të siguroj të gjithë fermerët se si kryeministri i vendit në krye të qeverisë së ardhshme do të ofrojmë ndihmë të plotë për vaksinimin e të gjitha bagëtive dhe do të kompensojmë me vlerë financiare të gjithë bagëtitë e humbura si rezultat i kësaj sëmundje dhe neglizhencës qeveritare. Puna që na pret është e jashtëzakonshme.
Ky është një udhëtim për të gjithë shqiptarët, drejt një Shqipërie që ofron mundësi për të gjithë ata. Larg një Shqipërie ku një pakicë ka në dorë politikën, ekonominë dhe gjithë resurset e vendit. Kjo do të jetë një betejë e vështirë sepse sfidat janë të larta, por në anën tonë janë interesi publik, e mira e përbashkët dhe dëshira e shumicës dërmuese të shqiptarëve për ndryshim.
Bashkë me ta le të bëhemi shpresa për këtë ndryshim, bashkë me ta le të bëhemi ky ndryshim tek i cili mund dhe do të besojnë gjithë shqiptarët. Dhe jo një ndryshim vetëm për një grusht pushtetarësh brenda partive politike. Dhe për këtë na duhet një hapje e vërtetë, një bashkim i fuqishëm, një vendosmëri për të përfaqësuar në çdo nivel, jo thjeshtë e vetëm interesat tona si parti, por interesat e çdo shqiptari.
* Fjala e plotë me drejtuesit e PD në rrethe.
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/