Pak ditë pas publikimit nga ana e emisionit “Stop” të audio regjistrimit të ministrit të Shëndetësisë, Ilr Beqaj, i cili shkarkon nga telefoni vartësin e tij në Tropojë sepse nuk ka shkuar në një mbledhje partie, reagon deputeti i PS-së, Parid Cara.
Ndryshe nga kolegët e tjerë të cilët i dolën në krah apo e kaluan në heshtje Cara kërkon shkarkimin e Beqajt, pasi sipas tij kjo është një papërgjegjshmëri e ministrit dhe se kostot individuale nuk duhet t’i mbajë qeveria mbi supe.
Reagimi i plotë Parid Carës në “Facebook”
Një video e transmetuar pak ditë më parë ku ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj është përgjuar teksa shkarkon me telefon një drejtor, ka ngjallur me shumë të drejtë reagim negativ në opinionin publik.
Ministri, në kundërshtim me të gjitha procedurat ligjore, e konsideron pozicionin që i ka besuar kryeministri, si pronë të cilën mund ta përdorë si të dojë dhe jo si një post që mund të drejtohet vetëm brenda kornizës së parashikuar nga ligji.
Një politikan i përgjegjshëm, pas asaj telefonate të transmetuar në emisionin “Stop” duhet të jepte dorëheqjen menjëherë. Kjo qeveri dhe kjo mazhorancë nuk mund të mbajnë kosto që nuk lidhen drejtpërdrejtë me punën e saj, por me tekat dhe arrogancën e një ministri.
Ilir Beqja duhet të japë dorëheqjen dhe të largohet, pasi çdo ditë më shumë ai në pozicionin e ministrit është kosto e panevojshme për Qeverinë në sytë e opinionit publik.
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/