LULZIM BASHA */ Drama kombëtare vazhdon, nga Shqipëria largohen më të diturit...

LULZIM BASHA */ Drama kombëtare vazhdon, nga Shqipëria largohen më të diturit dhe më të zotët

83
0
Shares

Të dashur bashkatdhetarë,
Dëshiroj t’ju uroj mirëseardhjen në atdhe dhe t’ju përshëndes përzemërsisht. Këto ditë që ju jeni këtu, Shqipëria është më e plotë, më e gjallë dhe më e vërtetë.
Do të kisha dashur shumë të kisha ndarë mendimet nga afër me ju në tryezën e diskutimeve dhe të rrahjes së ideve, por e vetmja mundësi që organizatorët e samitit më dhanë është t’ju përshëndesja në mbrëmjen gala që qeveria ka planifikuar për nderin tuaj. Duke qenë se e kam të pamundur të marrë pjesë në këtë mbrëmje gala, po ndaj me ju publikisht, me përunjësi disa mendime të miat.
Braktisja e Shqipërisë është kërcënimi kryesor ndaj të ardhmes së vendit dhe të vetë kombit tonë. Pak ditë para se ju të vini në Tiranë, mbi 100 mijë shqiptarë kanë aplikuar për të disatën herë për të emigruar në SHBA, ndërkohë që dhjetëra mijëra të tjerë përpiqen çdo vit të emigrojnë në Europë, Kanada dhe kudo tjetër në botë. Në 5-10 vitet e ardhshme, numri i shqiptarëve të lindur në Shqipëri të cilët janë vendosur përgjithmonë në vende të tjera do jetë më i madh se ai i atyre që jetojnë në Shqipëri.
Kjo dramë kombëtare është akoma më e rëndë për shkak se nga Shqipëria janë larguar dhe po largohen më të diturit dhe më të zotët. Çdo vit, mijëra mjekë, inxhinierë, artistë, sportistë, pedagogë, profesionistë dhe sipërmarrës të arrirë braktisin vendin e tyre. Akoma edhe më i dëmshëm është largimi i rinisë: kryesisht për këtë shkak, mosha mesatare e popullsisë është rritur nga 26 vjeç në vitin 1991 në rreth 38 vjeç sot.
Shqiptarët kanë ikur, po ikin dhe duan të ikin masivisht për arsyen më të rëndësishme njerëzore: atdheu i tyre nuk ju ofron mundësi për një jetë të mirë dhe të denjë. Ju e dini më mirë se unë sa e madhe është dhimbja e ikjes, që të ther në zemër dhe në gjithë qenien, por ju jeni dëshmia e vërtetë sa i madh është dëshpërimi kur kupton se atdheu nuk të jep asnjë shpresë për të përmbushur qëllimet dhe ëndrrat e jetës me punën, talentin, zotësinë dhe ndershmërinë tënde.
Ne e hodhëm pas ngrehinën komuniste të shoqërisë më shumë se një çerek shekulli më parë, por nuk kemi mundur ende të ndërtojmë një sistem politik demokratik, një ekonomi të lirë tregu dhe një shoqëri të denjë për njerëzit e saj.
Një pjesë e këtij dështimi është i vetëkuptueshëm: gjendja nga u nisëm dhe burimet që ne kishim nuk mundësuan dot transformimin e shpejtë. Por prapë, pengesa kryesore për mospërmbushjen e ëndrrave të shqiptarëve është politika, e cila më shumë se interesit të përbashkët dhe atij kombëtar i ka shërbyer pasurimit dhe pushtetit të një pakice, e cila sot sundon e patrazuar në politikë, ekonomi dhe shoqëri.
Shqipëria nuk mund të ndryshojë nëse ne nuk do të ndryshojmë politikën e saj, për ta vënë atë në shërbim të qytetarëve përmes përfshirjes dhe jo përjashtimit, përmes konkurencës e pluralizmit dhe jo autokracisë, përmes sundimit të ligjit dhe jo sundimit të drejtuesve, përmes meritës dhe jo klientelizmit, përmes transparencës dhe jo fshehtësisë. Për ta arritur këtë gjë, Shqipëria ka nevojë për ju. Ndryshimi dhe përparimi i Shqipërisë nuk mund të arrihet pa ju.
Pa asnjë dyshim, çdo lloj kontribut i juaji për atdheun tonë është i vyer dhe i rëndësishëm. Investimet e diasporës në çdo fushë të ekonomisë janë të mirëpritura si ujët e pakët. Burimet dhe mundësitë e Shqipërisë janë të mëdha. Partia Demokratike ka gati një projekt të ri të stimulimit të investimeve private përmes uljes së taksave dhe çlirimit të sipërmarrjes nga monopolet klienteliste dhe një mori pengesash që ndrydhin lirinë e saj. Unë do të jem shumë i vëmendshëm ndaj propozimeve tuaja për t’i përfshirë e zbatuar në programin tonë të zhvillimit.
Por mbi të gjitha këto, kontributi juaj për kulturën demokratike në vend ka një rëndësi të dorës së parë. Partitë, institucionet, shoqëria civile, të gjithë ne do të donim nga ju të ndani me ne vlerat e lirisë, demokracisë dhe dinjitetit njerëzor e shoqëror që ju kërkuat dhe gjetët në vendet ku ju jeni, vende që janë bërë atdhe i dytë për ju.
Ju mund ta këshilloni politikën, ju mund të ushtroni trysni mbi të, ju mund të merrni pjesë në debatin publik të vendit, ju mund të nxisni familjarët dhe të afërmit tuaj të punojnë për këto vlera. Ju mund dhe duhet të bëheni ndërgjegjja e Shqipërisë, ndërgjegjja që thërret për liri, përparim dhe dinjitet.
Në vartësi të zgjedhjes, çdo shqiptar i diasporës duhet të ketë mundësinë të marrë përgjegjësi të drejtpërdrejtë për zhvillimin e vendit këtu në Shqipëri. Përpara atdheut të përbashkët shqiptarët janë e duhet të jenë të barabartë kudo ku jetojnë.
E drejta e votës për emigrantët, lehtësimi i marrjes së shtetësisë së dyfishtë, përfaqësimi juaj i vërtetë në vendimmarrjet e rëndësishme politike, nxitja dhe mbrojtja e investimeve të diasporës, mbështetja shtetërore për arsimin, kulturën, artin dhe sportin në komunitetet e diasporës, janë disa nga prioritetet kryesore të projektit tim dhe të Partisë Demokratike për Diasporën.
Dua gjithashtu të pohoj se me gjithë ndryshimet epokale që ndodhen pas rënies së regjimit shtypës në vitin 1990, unë njoh detyrimet e papërmbushura që vendi i ka borxh diasporës në tërësi dhe sidomos asaj antikomuniste të cilës iu imponua me dhunë ndarja me atdheun. Përmbushja e këtyre detyrimeve është një obligim moral dhe politik për mua dhe Partinë Demokratike.
Të parët tanë na lanë një urtësi të mrekullueshme, kuptimplotë: Bashkë jemi më shumë. Le të mbetemi të bashkuar rreth vlerave demokratike dhe atdhetare.
Unë dua t’ju shpreh përkushtimin dhe vendosmërinë time personale për të luftuar për këto vlera dhe për të punuar me kurajë për një Shqipëri të mirë, të përparuar dhe të denjë për të gjithë bijtë dhe bijat e saj, kudo që janë në botë.
Ju uroj gjithçka të mirë për ju dhe familjet tuaja.
Zoti e bekoftë Shqipërinë dhe shqiptarët.

* Mesazhi i Lulzim Bashës drejtuar pjesëtarëve të diasporës të pranishëm në Tiranë.

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY