Një ngjarje jo shumë e zakontë ndodhi dje në një aktivitet, të ashtuquajtur për rininë e studentët, edhe pse te ftuar ishin vetëm eurosocialistët. Ishte e pazakontë se për herë të parë një studente mori guximin për t’i kujtuar ministres revoltën e madhe që edhe sot vazhdon mes studentëve e maturantëve të këtij viti.
Vajza u quajt kriminele, terroriste, radikale, kamikaze nga analistët e figurat zyrtare, por nga ana tjetër, sot në auditore dëgjohej shpesh emri i vajzës dhe shoqërohej me epitete si heroinë, e guximshme, e paparë dhe nuk dëgjova asnjë koment negativ. U habita disi se si të gjithë këto studentë, qoftë në rrjete sociale, qoftë në auditore e përkrahnin këtë akt dhe habitesha dhe me veten, që i vetmi person për të cilin po më vinte keq në ato momente ishte Mirela që ndodhej në rajon. Pashë menjëherë intervistën e publikuar disa muaj më parë, ku Mirela tregonte peripecitë e familjes për ta shkolluar dhe pamundësinë për të vazhduar shkollën dhe më shtohej akoma dhe më shumë keqardhja dhe revolta për arrestimin e saj.
Në parim është akt i dënueshëm për aq kohë sa cënon dinjitetin e një figure publike dhe një gruaje mbi të gjitha dhe jam shumë dakort me këtë fakt, por të gjithë ato persona që e dënuan si veprim, a nuk mendojnë se dinjiteti i studentëve sot dhe i të gjithë shqiptarëve, shkelet e përdhoset përditë? A nuk i intereson atyre personave dhe ministres fakti që cdo student ndihet sot i persekutuar nga vetë shteti i tij? Që detyrohemi të zgjedhim në 6 raunde derisa të na dali një shkollë? Që nga frika se mos ngelim pa shkollë shkojmë e rregjistrohemi në universitete private e fusim familjen e veten në borxhe? A nuk ndihen këto njerëz në faj për një moment që dhjetra mijra studentë duan të studiojnë, duan të kontribuojnë në këtë vend, janë të gatshëm të punojnë fort për të arritur dicka dhe privohen nga kjo e drejtë? A nuk mund të reagojnë këto personave jashtë kornizës së bindjeve të tyre politike për padrejtësinë më të madhe që po i ndodh vendit në gati 3 dekada demokraci? Përgjigja është shumë e thjeshtë: JO.
Sot qeveria kujdeset për eurosocialistët e jo për studentët, kujdeset për militantët e jo për qytetarët e shkolluar, kujdeset për ekspozita e jo për përmbytje, kujdeset per hashash e jo për shëndetësi, kujdeset për rritje taksash por jo për investime.
Atëherë në këtë situatë, si presin ky brez intelektualësh e pseudo-politikanësh, shumë prejt të cilëve kanë qenë personazhe gjatë protestave studentore që hodhën regjimin, që studentët sot të dënojnë dhunën e të përkrahin ministren? Për cfarë mund ta përkrahim; për shkatërrimin e ëndrrave tona e të sistemit arsimor apo për mosinteresimin në shkallë sipërore që ka për situatën? Ulet në rresht të parë të aktivitetit që organizohet nga forumi rinor i partisë së saj e nuk merr guximin të vi në auditore e të kërkojë falje për situatën e krijuar apo të dëgjojë shqetësimet tona, përvec rasteve ku takimet bëhen me spektatorë e studentë të zgjedhur.
A duhet të kërkojë Mirela falje? Natyrisht që jo dhe besoj s’e nuk ka asnjë student e pedagog të arsyeshëm që të jetë i mendimit që faji është i Mirelës. Falje duhet të kërkohet nga zonja Nikolla dhe nga z.Majko që qëllim kryesor kanë forumin e jo studentët. Falje duhet të kërkohet nga Delina Fico si aktiviste e shoqërisë civile e Elisa Spiropali si sekretare për cështjet e rinisë, postet dhe figurat e së cilave
de juro përkrahin protestën, rininë, të drejtat e njeriut e drejtësinë po përmes një reagiimit të tyre baltosin akoma dhe më shumë situatën e dinjitetin tonë. Falje duhet të kërkojnë dhe mediat që shpeshherë bëhen bashkëpuntore në mosinformim dhe dezinformim të publikut. Falja i takon fajtorit e jo viktimës.
Thuhet në shprehjet e përditshme që faji është gjithmonë jetim, por jo në këtë rast. Faji sot ka autor, ka bashkëpuntorë, ka departamente e struktura, ka mbështetës e duartrokitës, ka parlament e qeveri por nga ana tjetër ka dhe viktima që janë rinia e studentët. Janë pikërisht këto të fundit, që vazhdojnë të marrin një arsimim të detyruar e aspak cilësor ndërsa grupi i fajtorëve bën deklarata, dënon aktet publikisht dhe i fërkojnë shpinën njëri-tjetrit në shenjë solidariteti kur ka situata të tilla.
Por nuk ka rëndësi. Edhe pse të shtypur, edhe pse të baltosur, edhe pse të lënë mënjanë e të trajtuar si ‘dele’, prap mundi i studentëve e perpjekjet për drejtësi do vazhdojnë.
Jemi ne e ardhmja dhe jemi ne ato që do e rregullojmë këtë vend dhe të jeni të sigurt që nuk do harrojmë t’ju fusim në faqet më të zeza të historisë. Frytet e asaj që po i bëni sot këti vendi e kësaj rinie, do i merrni shumë shpejt. Ndoshta vitin tjetër, ndoshta pas 5 vitesh, ndoshta dhe më vonë, por nuk ka rëndësi për aq kohë sa rinia sot nuk pranon të shkelet me këmbë e të bëhët kukull e ‘etërve (tradhëtarëve) të kombit”.
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/