FOTO GALERI/ Kërkimet akademike dhe pasioni për turizmin, rikthejnë Agim Nezajn me...

FOTO GALERI/ Kërkimet akademike dhe pasioni për turizmin, rikthejnë Agim Nezajn me tre libra të rinj

173
0
Shares

Image GalleryJanë botuar dhe dolën në qarkullim tri publikime të reja të studiuesit të komunikimit Agim Nezaj; “Marrëdhëniet Publike, strategjitë dhe taktikat”, “Diplomacia Publike” dhe “Është koha për t’iu thënë më shumë turistëve”.
Dy librat e parë janë kërkime akademike të autorit në fushën e marrëdhënieve publike dhe diplomacisë ndërsa libri i tretë është botim në anglisht që lidhet me pasionin e hershëm të Nezës për turizmin e shprehu kjo edhe në publikimin prej tij të disa guidave që nga viti 1991.
Libri “Marrëdhëniet Publike, strategjitë dhe taktikat” është një vështrim i thellë, analizë e plotë dhe zbatime praktike të teknikave të marrëdhënieve me publikun, fushë në të cilën Agim Neza punoi për gati 25 vjet.
Teksti është i dobishëm për të gjithë ata që punojnë në fushën e marrëdhënieve me publikun si dhe për studentët e gazetarisë apo fusha të ngjashme me komunikimin.
“I shkruar qartë, thjesht dhe në mënyrë koncize, Agim Neza evidenton si rrugën historike përmes të cilave kanë kaluar MP për të ardhur deri në stadin e sotëm, po ashtu edhe pikat kyçe përmes së cilave këto të dhëna në funksion të aspekteve të ndryshme të MP jo vetëm që thyejnë “ritmikën” e përshkrimit teorik, por edhe zgjojnë kureshtjen e lexuesit për të parë “pas perdes”, për të kuptuar më mirë pikësynimet dhe përpjekjet e punonjësve të MP”, vlerëson Prof. Dr. Bashkim Gjergji librin e ri.      
Ndërsa vetë Agimi duke u përgjigjur në pyetjen se pse vendosi të shkruaj këtë libër thotë se është mbrujtur në të një përvojë e gjatë praktike dhe gërmime teorike.
“Materiali në këtë libër pasqyron përvojën time të punës si Zëdhënës i disa institucioneve në Shqipëri, si Ministrinë e Drejtësisë, Gjykatën e Lartë, Prokurorinë e Përgjithshme, Ministrinë e Punëve të Jashtme, dhe këshilltar për marrëdhëniet publike i disa ministrave, prokurorit të përgjithshëm, kryetares së kuvendit, si dhe eksperiencën time gjatë trajnimeve apo takimeve me kolegë që merren me marrëdhënie me publikun në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në Mbretërinë e Bashkuar (Angli), si dhe takimet me personalitete të rëndësishme në fushën e marrëdhënieve me publikun në Holandë, Irlandë, etj”, shkruan Agimi në hyrje të këtij libri.
Libri tjetër “Diplomacia publike” është një kërkim befasues për këtë seksion të Marrëdhënieve me Publikun, pak të njohur në institucionet shqiptare. Libri është marrë nga doktoratura e tij me të njëjtën temë dhe pjesën e fundit të këtij libri Agimi e punoi në muajt e fundit të jetës së tij.
“Diplomacia publike” është kërkim i parë në Shqipëri në këtë fushë dhe përbën një ndihmë për të gjithë ata që studiojnë këto fusha apo japin kontributin e tyre si në diplomaci, edhe në fushën e Marrëdhënieve me Publikun.
Libri i tretë “Është koha për t’iu thënë më shumë turistëve” është një rrëfim befasues i tij, histori të vendosura në fundin e viteve ’80 dhe fillimvitet ’90”, të gjitha reale gjatë punës së tij si përkthyes i grupeve të huaja turistikë, “detyra e të cilit ishte të dukej i lumtur në sytë e të huajve që përkthente dhe shoqëronte”. “Qëndrimi me të huajt dhe të qenit shqiptar në të njëjtën kohë, janë dy fakte që i japin autorit një eksperiencë të ndarë mes vuajtjes dhe mundimit”, shkruan për librin poetja dhe emer i njohur i shoqërisë civile, Elsa Ballauri.
Agim Neza ka përfunduar studimet në Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë, Fakultetin e Gjuhëve të Huaja në Tiranë në vitin 1987 dhe në fakultetin e Drejtësisë në vitin 1999.
Ka kryer studimet në sistemin “Master të Nivelit të Dytë në Marrëdhëniet Ndërkombëtare në vitin 2009-2011.
Ai ishte kualifikuar dhe specializuar për Lajme Ndërkombëtare, Marrëdhënie me Publikun, në Britani, SHBA, Holandë, etj.
Agim Neza ka drejtuar komunikimin dhe marrëdhëniet me publikun për shumë institucione qendrore të shtetit shqiptar si dhe ka punuar për disa media shqiptare dhe të huaja.
Botime të tjera të Agim Nezës përfshijnë edhe “Guida turistike për Shqipërinë”, botuar në Angli më 1993, “Mirësevini në Shqipëri-guidë turistike”, botuar në anglisht në vitin 2000 dhe ribotuar në 2004, 2008 dhe 2016, “Holokaust, dosje pa koment për krimet e Millosheviçit”, 1999, “Marrëdhëniet Publike”, 2004 etj.
“Ishe shqiptar që e doje Shqipërinë prandaj ja thoshe të metat. Nuk fyeve kurrë njeri, nuk rrëshqite kurrë nga logjika e faktit në shkrimet e tua mbërthyese. Nuk u lavdërove kurrë ndonëse ishe i pari në këtë botë universitare që nise rrugën e komunikimit. E profesionit të komunikimit”, shkruan Prof. Dr. Artan Fuga në një shkrim të tij pak ditë pas vdekjes së Agim Nezës në maj të këtij viti.
Ndërkohë që Presidenti Bujar Nishani në një letër për familjen e tij thekson vlerat njerëzore dhe akademike të Agim Nezës.
“Ky personalitet mbresëlënës, me një kontribut të spikatur çerekshekullor në gazetari, në komunikim, në jurisprudencë si dhe në lartësimin e emrit të Shqipërisë në sytë e të huajve, përçoi ngaherë tek publiku shqiptar me një ndjenjë të lartë profesionalizmi vlerat më të spikatura profesionale dhe njerëzore”, shkruhet në letrën e Presidentit.

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY