BIZNESI I PLEQËRIMIT/ Italianët e moshuar mësyjnë Shqipërinë, mundesi te reja punesimi

BIZNESI I PLEQËRIMIT/ Italianët e moshuar mësyjnë Shqipërinë, mundesi te reja punesimi

62
0
Shares

Nga Blerina Hoxha

Të paktën 50 të moshuar italianë kanë transferuar pensionin nga Italia në Shqipëri, në kuadër të një eksodi prej 500 mijë pleqsh që po lënë vendin e tyre për shkak të krizës ekonomike dhe taksimit të lartë. Ekspertët lajmërojnë se Shqipëria është para një shansi për të krijuar një të ardhur më të qëndrueshme se turizmi nëpërmjet eksportit të shërbimeve të pleqërisë. Avantazhet, pengesat dhe modelet që duhen ndjekur për thithjen e të moshuarve nga Perëndimi

Edi, një burrë anglez në të shtatëdhjetat, jeton në Tiranë prej rreth njëzet vitesh. I punësuar qysh 20 vjeç në marinën britanike për çështjet elektronike, pjesën më të madhe të jetës së tij e ka kaluar jashtë vendlindjes. Pothuajse ka parë çdo vend të botës dhe ka një përvojë mahnitëse në Afrikë dhe Australi. Por një ditë, në mesin e vitit 1996, mori ndoshta telefonatën më të rëndësishme që do të t’ia ndryshonte jetën përgjithmonë. “Eprori më telefonoi dhe më tha: Edi a je gati të transferohesh në Shqipëri. Në atë kohë, jetoja në Najrobi. Tashmë isha mësuar me ndryshimet dhe thashë pa hezitim po”. Edi erdhi në Shqipëri për të ndihmuar në ngritjen dhe funksionimin e shkollës profesionale ‘Harry Fultz’ dhe ka dhënë përvojën e tij për shtrirjen e rrjeteve elektrike, elektronike dhe kompjuterike në institucionet ndërkombëtare dhe ato publike të vendit tonë. Me katër mastera në çështjet elektrike dhe elektronike, Edi kishte shumë kërkesa për punë. “Shqipëria më ka pëlqyer qysh në fillim”. Sapo kam shkelur në këtë vend, kam menduar të kaloj të gjithë jetën time këtu. Dhe ky vendim u mor përfundimisht kur ai njohu Xhenin, gruan e jetës së tij. Të dy bashkë ata janë të vendosur në një banesë me qira në zonën e ‘Siri Kodrës’, teksa janë të angazhuar me kurset e gjuhës angleze për fëmijë dhe të rritur. Edit i pëlqen ritmi i jetës në Shqipëri, energjia dhe zgjuarsia e shqiptarëve dhe toleranca që kanë për besimin fetar.

Por si Edi, shumë të moshuar italianë po shtojnë interesin për të pleqëruar në Shqipëri. Kostoja e lirë e jetesës, afërsia me Italinë dhe masiviteti me të cilën flitet gjuha e tyre po i tërheq pensionistët e vendit fqinj drejt vendit Shqipërisë. Por fenomeni, nëse shfrytëzohet mirë, ka gjasa të kthehet në burim të madh të ardhurash dhe një model i mirë social për vendin.

Eksporti i shërbimeve të pleqërimit tashmë është kthyer një ardhur e rëndësishme për vende të tilla në zhvillim, si Turqia dhe Rumania, të cilat janë duke futur miliona euro në ekonominë e tyre nëpërmjet kësaj forme. Por në Shqipëri, kjo tendencë është në fillesa. Lura Baci nga UIM (Unione Italiani nel Mondo – Bashkimi i Italianëve në Botë) pohon se, vitet e fundit po vihet re shtimi i përmasave të fenomenit të transferimit të pensionistëve italianë jashtë vendit të tyre. Të dhënat e kohëve të fundit të Institutit Kombëtar të Mbrojtjes Shoqërore në Itali (INPS) flasin për rreth 500.000 pensionistë që kanë vendosur të transferohen jashtë Italisë. Por sipas të dhënave të Institutit të Sigurimeve Shoqërore, vetëm 50 italiane kanë transferuar pensionet në Shqipëri, teksa shumë të tjerë jetojnë në Shqipëri por vijojnë të marrin pensionin ende në Itali.

Ndërsa kujdesi për të moshuarit është një biznes mjaft i zhvilluar në Europën Lindore, sapo ka nisur të formësohet ideja dhe në Shqipëri. Investitorë italianë, por dhe të tjerë, po e shohin me interes ndërtimin e shtëpive (azile) me fokus të moshuarit e “pasur” të Europës Perëndimore. Gjatë dy viteve të fundit është vënë re një kërkesë në rritje për apartamente me qira në Sarandë dhe Vlorë. Këto vijnë nga njerëz të moshuar në Europën Qendrore e Veriore, të cilët duan të kalojnë pushimet në vende të ngrohta dhe me kosto jetese të ulët dhe të paguajnë më pak taksa për pensionet”, thotë Konomi, nga Albania Property.

Hotelet dhe resortet turistike gjithashtu mund të përshtatin oferta turistike për të moshuarit në muajt e dimrit, siç bën prej vitesh Turqia për pensionistët rusë dhe ata nga Gjermania.

Një rrogë mesatare në Shqipëri arrin në 250-300 euro në muaj, kështu që me një pension neto që fillon nga 500 euro e lart, mund të jetohet më mirë se në Itali, ku do të duhej dyfishi i të ardhurave për të njëjtin nivel jetese. Deri tani besohet se janë diku te 100 pensionistë italianë që pleqërojnë në Shqipëri, por statistikat e sakta mungojnë, thotë Baci, nga Unione Italiani nel Mondo. Përveçse ndikojnë në hyrjen e një sasie të ardhurash në Shqipëri, importi i të moshuarve italianë ndikon në rritjen e punësimit të dadove, infermierëve dhe në ngritjen e biznesit të azileve, thotë Baci. Ka disa shërbime që po i dedikohen pikërisht kësaj kategorie. Dy të rinj italianë kanë hapur një agjenci real estate në Shqipëri, pikërisht për të orientuar të moshuarit italianë që duan të jetojnë në Shqipëri, por edhe të gjithë ata italianë që jetojnë këtu për arsye të tjera. Nëse Shqipëria do të nisë të bëhet atraktive për italianët, do të duhet të zhvillohet biznesi i azileve dhe qendrave të posaçme për trajtimin e të moshuarve. Kostot e ulëta mundësojnë ofrimin e këtij shërbimi me një tarifë mujore më të ulët se 1000 euro, të përballueshme nga shumë pensionistë ndryshe nga vendet e tjera si Italia e Gjermania, ku tarifat mujore janë përkatësisht mbi 2000 dhe 3000 euro.

Janë me mijëra të moshuarit nordikë që jetojnë në Sllovaki, Poloni, Greqi, Bullgari, etj. Shqipëria për nga pozita gjeografike, klima dhe struktura e kostove krahasimisht disa herë më e ulët, mund të kthehet në një destinacion të preferuar të këtyre të moshuarve.

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY