Rafineria e Ballshit është afera më e re korruptive e Edi Ramës, theksoi kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha në takimin me drejtues të strukturave të PD në Mallakastër dhe Patos. Edi Rama dhe miqtë e tij nxjerrin miliona euro nga nafta në muaj, ndërsa naftëtarët marrin paga qesharake dhe punojnë pa minimumin e sigurisë teknike, çka u pa dhe në ngjarjen e fundit ku humbi jetën Shkëlqim Muça e shumë të tjerë mbetën të plagosur.
“Sa është fitimi i rafinerisë?! 30 milionë euro në muaj është xhiroja, minimalisht 10 milionë euro në muaj është fitimi, pjesëtojeni për 5 mijë naftëtarë. Sikur ky fitim ti shkonte i gjithi naftëtarëve, bëhet fjalë për 2 mijë euro për naftëtarë, domethënë 2.6 milionë lekë të vjetra për naftëtar.
Por naftëtarët kanë rroga minimale dhe pasiguri për nesër. Në vend që të kemi 5 mijë naftëtarë me një rrogë, me një pagë dinjitoze, nuk po them 2 milionë e 600 mijë, por të paktën 500 apo 600 mijë lekë, kemi Beson me një grusht njerëzish që fusin në xhepat e tyre 10 milionë euro në muaj dhe i ndajnë me Edi Ramën, me Damian Gjiknurin, me Arben Ahmetajn me shokë.
Ky është realiteti i Shqipërisë sot, qeveritarët e korruptuar e kanë kapur për fyti buxhetin e shtetit. Një grusht monopolistësh po vjelin pasuritë e shqiptarëve dhe nga ana tjetër mbështeten tek një grusht kriminelësh që shfrytëzojnë mijëra shqiptarë, midis tyre fëmijë dhe gra për ta mbjellë Shqipërinë me hashash”, u shpreh Basha.
Beteja që kemi përballë, theksoi zoti Basha është përmbysja e një klike të korruptuar dhe të inkriminuar e cila do te beje gjithçka qe te mbroje miliardat qe ka përfituar buxheti i shteti, krimi dhe droga.
“Ne jemi sot në një vend ku qeveria ekziston vetëm për të zhvatur pasurinë e vendit, ku Kryeministri ekziston vetëm për tu pasuruar dhe për të pasur sa më shumë pushtet. Për këtë arsye buxheti i shtetit masakrohet me tendera, koncesione, privatizime, shpenzime të cilat nuk shkojnë në mirëqenien e qytetarëve. Aleanca me krimin ka bërë të mundur që Kryeministri ti gëzohet qindra miliona eurove, dollarëve, lekëve të drogës. Beteja që kemi përballë është përmbysja e një sistemi, e një klike të korruptuar dhe të inkriminuar e cila ka në lojë miliardat e buxhetit dhe miliardat e krimit, dhe do ti mbrojë ato me çdo kusht e me çdo çmim.
Përballë një klike që numëron me gishtat e dorës përfituesit nga buxheti i shqiptarëve, përfituesit nga mbulimi i Shqipërisë me drogë, sot nuk janë vetëm demokratët, sot nuk janë vetëm të djathtët, sot përreth opozitës është bashkuar shpresa dhe besimi për një të nesërme më të mirë i shumicës dërrmuese të shqiptarëve”, vijoi më tej kreu i PD-së.
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/