Familja Ndoj në fshatin Plani i Bardhë në bashkinë e Klosit ka hapur dyert e mortit. Dhjetëra banorë të zonës, të afërm dhe qytetarë të tjerë udhëtojnë drejt fshatit të largët ku humbi jetën tragjikisht 44- vjeçari Xhevahir Ndoji.
16 vjet më parë, ai la vendlindjen pas dështimit të martesës së parë dhe u vendos në banesën e gruas së dytë, në familjen Bardhi, në fshatin Plani i Bardhë të Bashkisë Klos. Një vit më vonë lindi vajza e parë, e cila të martën në mbrëmje do të fejohej me një djalë nga Klosi, raporton “Panorama”.
Të afërmit thonë se Xhevahiri, në orët e para të mëngjesit udhëtoi drejt një HEC-i për të dërguar në punë dhëndrin. Në katin e parë të banesës së familjes Ndoji qëndrojnë gratë, të cilat jo vetëm ngushëllojnë gruan e vajzat e 44-vjeçarit, por edhe vajtojnë, sipas traditave të krahinës.
Sakaq të gjithë janë veshur me rroba të zeza, në kujtim të Xhevahirit që humbi jetën në mënyrë tragjike. Në katin e dytë të shtëpisë, që po rehabilitohej, qëndrojnë burrat. Në qoshe vjehrri i viktimës, Murat Bardhi.
Në oborrin e banesës dhe në mjediset e tjera qëndrojnë të afërmit e persona të tjerë që janë ngjitur në fshatin malor, për ngushëllime. Vjehrri 68- vjeçar thotë se tani i janë shtuar hallet pas humbjes së dhëndrit dhe se duhet të kujdeset për katër mbesat e mbetura jetime dhe vajzën e mbetur të ve, të cilët përballen me probleme të shumta ekonomike.
Pasi pret ngushëllimet, ai apelon për ndihmë. Kërkon nga strukturat shtetërore të shtojnë forcat për gjetjen e trupit të pajetë të dhëndrit. Bardhi falënderon Policinë dhe banorët e Klosit që vazhdojnë përpjekjet për gjetjen e trupit të viktimës.
Zoti Bardhi, kur doli Xhevahiri nga shtëpia dhe kush jua dha lajmin se atë e rrëmbeu lumi?
Xhevahiri ka dalë nga shtëpia rreth orës shtatë të mëngjesit. Me makinën që i pat dhuruar djali im ai u nis për të dërguar dhëndrin te një hidrocentral këtu poshtë fshatit. Në kthim ai ka ngarkuar në makinë dy thasë me rërë, sepse po merrej me riparimin e shtëpisë së vjetër dhe të dëmtuar. Roja tjetër e HEC-it ka parë rreth orës 8 të mëngjesit një trup njeriu që dallgët e forta të lumit Mat e kishin rrëmbyer dhe po e lëviznin me shpejtësi të madhe. Shiu, mjegulla dhe shpejtësia e rrjedhës nuk e kanë lejuar atë ta identifikojë kujt i përkiste trupi, por ai ka bërë lidhjen pasi vetëm pak minuta më parë Xhevahiri është larguar nga HEC-i. Roja telefonoi në shtëpinë tonë dhe në Polici.
Kur u kuptuat se Xhevahiri ishte mbytur?
Shumë banorë të fshatit tonë dhe fshatrave përreth erdhën dhe nisën kërkimet. Mbërritën aty ku bashkohet përroi i fshatit tonë, Shehi, me lumin e Matit. Deri në mbrëmje as makina nuk dukej. Gurët dhe trungjet e kishin rrëmbyer atë disa metra poshtë. Në fshatin tonë një stuhi e tillë nuk mbahet mend prej vitit 1946. Janë dëmtuar të gjitha urat e fshatit, rrugët, çatitë e shtëpive dhe disa toka kanë rrëshqitur.
Cili është apeli juaj?
Unë, vajza dhe mbesat e mia kemi një apel. U lutemi strukturave shtetërore të bëjnë të pamundurën që të gjejnë të paktën trupin e pajetë të dhëndrit. Fundja të ketë një varr ku fëmijët të dërgojnë lule. Aktualisht forca të shumta kanë kontrolluar lumin e Matit nga Ulza deri afër fshatit tonë. Asnjë gjurmë nuk është gjetur. Ndoshta do të mendohet edhe për mbështetje financiare të familjes së vajzës sime. Ato aktualisht nuk kanë asnjë burim të ardhurash. Po të kem mundësi i tërheq në Tiranë, atje ku banoj edhe vetë.
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/