Ambasadori Lu: Ja shqiptarët që kontribuojnë për SHBA dhe amerikanët që kontribuojnë...

Ambasadori Lu: Ja shqiptarët që kontribuojnë për SHBA dhe amerikanët që kontribuojnë për Shqipërinë

86
0
Shares

Në një intervistë për Zërin e Amerikës, ambasadori amerikan në Tiranë Donald Lu komentoi për rolin e shqiptaro-amerikanëve në përparimin e Shqipërisë. Ambasadori Lu u intervistua nga korrespondenti ynë Ilirian Agolli dhe i bëri komentet në prag të samitit të diasporës që mbahet në Tiranë nga 18 deri në 20 nëntor.
“Doja ta filloja këtë intervistë me një histori, tha zoti Lu.
Është një fotografi e famshme e një djali sirian që u përhap në internet në mbarë botën. Ai ishte plagosur në një sulm ushtarak dhe ishte i përgjakur. Kur presidenti Obama shkoi në Kombet e Bashkuara në shtator, ai foli rreth një fëmije amerikan që quhej Aleks, i cili i kishte shkruar një letër ku i kërkonte ta sillte djalin e vogël sirian në shtëpinë e tij.
“Dua që ai të jetë pjesë e familjes sonë, dhe ai do të jetë si vëllai im”, shkruante Aleksi.
Letra e gjashtëvjeçarit u bë e famshme në mbarë botën dhe të gjithë mësuan se ai ishte shumë i veçantë. Ata nuk e dinin në fakt që ai ishte një shqiptaro-amerikan. Prindërit e tij janë nga Shqipëria.
“Kjo më kujton mënyrat e ndryshme me të cilat shqiptaro-amerikanët kanë kontribuar në Shtetet e Bashkuara. Ne jemi një vend imigrantësh dhe në Amerikë ka 214 mijë shqiptarë që punojnë në fusha të ndryshme të jetës. Ata janë atletë, lojtarë hokei, lojtarë futbolli, muzikantë, artistë hip-hopi, regjisorë filmash, biznesmenë, shkencëtarë, dhe ka nga ata që shërbejnë në forcat e armatosura amerikane duke sakrifikuar çdo ditë për sigurinë e vendit tonë.
Ne kemi pasur politikanë që kanë qenë shqiptaro-amerikanë. Ish-kongresmeni nga Nju Jorku, Joe Dioguardi është shqiptar-arbëresh. Kryetari i bashkisë së Usterit në Masaçusets dhe ai i bashkisë së Nju Orlinsit në Luiziana janë shqiptaro-amerikanë. Kemi një shqiptaro-amerikane që është një atlete e famshme olimpike: Enkelejda Shehaj është një nga qitëset më të mira në botë.
Ajo mori pjesë në lojërat olimpike të vitit 1992 në Barcelonë dhe mori pjesë atje si përfaqësuese e Shqipërisë. Pas trazirave të 1997-ës imigroi në Shtetet e Bashkuara. Verën e kaluar ajo konkurroi në Rio si amerikane edhe njëherë pas 24 vjetësh.
Kemi shqiptaro-amerikanin Ferid Murad i cili fitoi çmimin Nobel në mjekësi në vitin 1998. Dhe sigurisht, shqiptaro-amerikanët ndoshta më të famshëm janë vëllezërit, Xhim dhe Xhon Belushi, aktorë që unë i kam ndjekur kur isha fëmijë. Të gjitha këto raste më kujtojnë gamën e gjerë të kontributeve që shqiptaro-amerikanët kanë dhënë për vendin tim dhe ky kontribut vetëm sa ka filluar”.
I pyetur se çfarë roli mund të luajë diaspora shqiptare e Amerikës në përparimin e Shqipërisë, zoti Lu tha:
“Ne e dimë se ka qindra mijëra shqiptarë që jetojnë në SHBA. Ajo që njerëzit mund të mos e dinë është se në Shqipëri vijnë çdo vit mbi 100 mijë amerikanë dhe shumë prej atyre janë shqiptaro-amerikanë. Kjo shpjegon pasurinë e marrëdhënieve mes dy vendeve tona.
Diçka tjetër që njerëzit mund të mos e dinë, tha ambasadori Lu, është sot në Shqipëri jetojnë në mënyrë të përhershme rreth 20 mijë amerikanë, shumë prej të cilëve janë shqiptaro-amerikanë dhe punojnë çdo ditë për të kontribuar në të mirë të përparimit të Shqipërisë.
Kam takuar shqiptaro-amerikanë që vijnë në Shqipëri dhe që dëshirojnë të kontribuojnë për arsimin. Njëri prej tyre mendon të hapë një universitet amerikan këtu. Kam takuar biznesmenë shqiptaro-amerikanë që shpresojnë të investojnë në infrastrukturë, në fasone dhe në biznesin bankar.
Ka shqiptaro-amerikanë që janë anëtarë të parlamentit, një shqiptaro-amerikan shpreson të themelojë një bankë amerikane investimesh këtu. Ka shqiptaro-amerikanë që punojnë në mjekësi e në arsim.
Madje kam katër shqiptaro-amerikanë të mrekullueshëm që punojnë këtu në ambasadë. Një punon në zyrën time si sekretar për zv/ambasadorin, një tjetër është oficer i sigurisë diplomatike, një është prokuror federal amerikan, i cili punon për krimet e rënda në çështje shumë të vështira të antikorrupsionit. Njëra është agjente e FBI-së. Ajo punon çdo ditë me policinë për çështje të antikorrupsionit dhe krimit të organizuar.
Ndoshta historia ime e preferuar është ajo me Rrok Mirditën, i cili ndërroi jetë vitin e kaluar. Ai ishte kryeipeshkvi katolik për Durrësin dhe Tiranën. Ai ishte shqiptaro-amerikan. Ai emigroi në SHBA kur ishte djalë i ri, u rrit në Nju Jork, u bë prift në moshën 25-vjeçare dhe shumë vite më vonë, Papa Gjon Pali i Dytë e emëroi në Shqipëri.
Ai e ringriti kishën katolike pas komunizmit dhe shpenzoi 25 vjet nga jeta e tij në shërbim të katolikëve shqiptarë. Në një farë mënyre, ai është babai i kishës katolike këtu në Shqipëri dhe shumë shqiptarë si dhe amerikanë ushqejnë ndjenja respekti për kontributin e tij.
Gjithnjë e më shumë shqiptaro-amerikanë vijnë në Shqipëri çdo vit dhe kam besim se sa më shumë të vijnë aq më shumë do të rritet kontributi i tyre vit pas viti”.

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY